Morina: Kuvendi të hetojë procesin

  • 12 October 2017 - 19:22
Morina: Kuvendi të hetojë procesin

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës në dy mandatet e kaluara, Salih Morina (LDK), për gazetën"Kosova Sot" tha se çështja e heqjes së monopoleve dhe e procesit të deritashëm të privatizimit në vendin tonë duhet që doemos të diskutohen në Kuvendin e Kosovës dhe nga Qeveria e re, por edhe nga shoqëria civile dhe qytetarët tanë, sepse monopolet dhe procesi i privatizimit ishin të dëmshme në ekonomi."Kuvendi i Kosovës dhe qeveria e re në veçanti duhet që urgjentisht të debatojnë edhe për çështjen e privatizimit skandaloz që ka dhënë kundër-efekte, duke lënë pa punë mbi 70 mijë veta, duke qenë njëri nga shkaktarët që më së shumti u bëri dëm vendit tonë dhe ekonomisë, sepse vetë rrjedha e këtij procesi nuk ka ecur si duhet", u shpreh ai. "Në çështjen e procesit të privatizimit ka qenë i involvuar edhe faktori ndërkombëtar e më pas edhe ai vendor dhe si një proces që ishte ai nuk ka dhënë efektet e pritura në të mirën e shoqërisë kosovare në përgjithësi, sepse si procesi ishte fund e krye i dëmshëm dhe si i tillë ky proces duhet të rregullohet dhe atë sa më shpejt", potencoi Morina. Ai tha se ky hetim i Kuvendit dhe Qeverisë duhet që të bëhet sa më parë, sepse po u vazhdua edhe më tej me këtë formë të privatizimit kjo do të jetë një pengesë e madhe edhe për zhvillimin ekonomik, por edhe në përgjithësi për zhvillimin e Kosovës. "Nuk dua që të besoj se kompanitë e mëdha po ua 'lagin fytin' të gjitha partive politike", theksoi Morina.

(Kosova Sot)