< ‘Nuk e ke të gjatë ti!’ Kërcënimi me jetë që ndjek nipin (fatlum) të Aldo Bares - Lajme - Kosova Sot
‘Nuk e ke tė gjatė ti!’ Kėrcėnimi me jetė qė ndjek nipin (fatlum) tė Aldo Bares

‘Nuk e ke tė gjatė ti!’ Kėrcėnimi me jetė qė ndjek nipin (fatlum) tė Aldo Bares

Nuk ishte hera e parë që Laert Haxhiu dhe Orges Bilbili organizonin një vrasje. Me gjuhën e armëve, vite më parë, i ishin përgjigjur bandës së Aldo Bares duke marrë jetën e një prej anëtarëve më të rrezikshëm të saj.

Historitë e hasmërive në Lushnjë i kanë rrënjët thellë, në kaosin e vitit 1997, atëherë kur banesa e Aldo Bares ishte “Komisariati Nr.2”.

Tani që shokët i janë vrarë, burgosur apo në arrati, hakmarrja ka rënë mbi familjarët e Aldo Bares. Xhulio Shkurti është vënë në qendër të një sulmi të egër, tani që xhaxhai i tij nuk është aty për ta mbrojtur.

FATI QE MBRON XHULIO SHKURTIN
Breshëritë e Kallashnikovit të hasmëve të Aldo Bares lanë të vdekur Zamir Latifin dhe Jurgen Hoxhën. Viktimat njiheshin si miq të ngushtë të Xhulio Shkurtit, djali i vëllait të Aldo Bares (Alfred Shkurtit). Nipin e të fortit të Lushnjës e ndihmoi fati. Ai ishte larguar nga vendi i ngjarjes vetëm pak minuta para atentatit.

ATENTATI I VITIT 2016
Xhulio Shkurti e priste goditjen. Ai u qëllua shtatorin e kaluar pikërisht nga Laert Haxhiu. Ishte bashkë me një shokun e tij kur u qëllua me pistoletë."Lapsi.al" arriti të sigurojë dosjen, ku tregohet çfarë ndodhi në atentatin e parë që iu bë nipit të Aldo Bares.
“Nga deklarimet e shtetasit Xhulio Shkurti rezulton se rreth orës 16:00, ai ka qenë duke ecur në këmbë në lagjen “Çlirimi”, në trotuarin e rrugës përpara furrës së bukës “Zeneli”, të shtetasit Din Zeneli së bashku me shokun e tij, shtetasin Saimo Xheliu. 

Në atë çast përballë tyre në rrugë ka ndaluar një autoveturë e bardhë tip Smart, me targa italiane e drejtuar nga i pandehuri Laert Haxhiu. Ky i fundit kishte në dorë një pistoletë me të cilën ka qëlluar në drejtim të tyre, derisa i mbaruan fishëkët e pistoletës. Një nga plumbat e pistoletës të të pandehurit ka qëlluar Xhulion në këmbën e majtë, ndërsa një tjetër ka goditur shtetasin Saimo Xheliu në pjesën e barkut. Pasi i kanë mbaruar fishekët e pistoletës i pandehuri i ka thënë Xhulios: “Nuk e ke të gjatë ti!”. Më pas e ka fyer dhe ka vazhduar rrugën me autoveturën e tij drejt kryqëzimit të gjimnazit “18 Tetori”.

Për këtë ngjarje Laert Haxhiu u dënua me 31 vjet burg, por nuk u arrestua asnjëherë.
Ai lëvizte i lire dhe nën hundën e policies vazhdoi me organizimin e atentatit për të zhdukjen e nipit të Aldo Bares.

KUSH ËSHTË LAERT HAXHIU

Laert Haxhiu ishte i dënuar më parë për vrasjen e Gerti Lalës, i cili njihej edhe si “Iriqi”, vrasës i bandës së Aldo Bares. Ai ishte vetëm 18 vjeç kur e goditi me thikë. Bashkë me shokët e tij e qëlluan tre herë me pistoletë në kokë Gerti Lalën, në hyrje të pallatit të tij. Dyshohet se në krim mori pjesë edhe Orges Bilbili.

Ishte nëna e Gerti Lalës që i identifikoi ata si vrasësit e të birit. Laert Haxhiu u shpall fajtor për vrasjen dhe doli nga burgu në vitin 2014.

Kishte vetëm 8 muaj që kishte dalë nga burgu, kur u arrestua në 2015-ën për trafik droge. Haxhiu tentoi t’i shpëtonte policisë, por pasi u hodh nga 3-4 metra lartësi, theu këmbën. Në momentin e prangosjes, ai i tha policisë se u largua pasi mendoi se ishin njerëzit e Aldo Bares që e ndiqnin.

Haxhiu kishte një linjë autobusësh me Greqinë dhe dyshohet se bënte edhe trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.Ai u dënua me vetëm 17 muaj e 10 ditë burg, megjithëse policia i gjeti 1.2 kilogram kokainë.

Pas dales nga burgu nisi menjëherë nga atentatet. Tani ka në shënjestër Xhulio Shkurtin që i ka shpëtuar dy herë.Pinjollët e familjeve në hasmëri nuk përplasen vetëm për haqet e vjetra. Linjat e drogës, kontrolli i territorit dhe ndarjet politike kanë mbajtur gjallë konfliktin mes tyre.

Ajo ç’ka e rëndon më shumë atmosferën në qytet është inekzistenca e policisë, që është tërësisht e paralizuar. Policia nuk guxoi të përmendë as emrat e dyshuarve për masakrën. Në njoftimin për mediat i quante “L.H dhe O.B” Eshtë ironike që Laert Haxhiu kishte qenë në kërkim policor për vrasje të mbetur në tentativë, por ai u shpall në kërkim për herë të dytë pa u kapur asnjëherë.

Ndërkohë ia doli të ekzekutojë dy të rinj dhe të largohet në drejtim të paditur. Sot Laert Haxhiu është i lirë, bashkë me shokun e tij Orges Bilbilin. Të dy vrasësit e rrezikshëm i janë vënë pas Xhulio Shkurtit, që më shumë se te policia, duhet t’i besojë fatit të tij të mirë.

Babai i tij nukpati të njëjtin fat. Ramadan Shkurti, vëlla me Aldo Baren (Alfred Shkurti) u ekzekutua nga Artur Daja dhe bashkëpunëtorët e tij. Nga aty ka nisur zinxhiri i vrasjeve që vijon ende sot pas rreth 20 vitesh.

(Kosova Sot)

1 orë e 27 minuta më parë