Edi Rama: PD-ja, zero lidership

  • 13 October 2017 - 10:18
Edi Rama: PD-ja, zero lidership

Kryeministri Edi Rama, në nisje të diskutimit në Kuvend të projekt-vendimit për Komisionin e Reformës Zgjedhore, theksoi se Partia Demokratike ka “zero lidership”.

“Rezultati i zgjedhjeve ishte i thellë dhe kuptimplotë për këdo që ka dëshirë ta lexojë me objektivitet. Partia Socialiste mori më shumë vota se 4 vite më parë, ndërsa Partia Demokratike më pak vota se 4 vite më parë. Asnjë vizion, asnjë program, asnjë ide dhe asnjë tingull i ri në këngën tuaj të vjetër “shaj e shaj se diçka do të mbetet”. Them me shumë keqardhje edhe se keni 0 lidership. Keni humbur çelësin e suksesit, që është përgjegjësia”, tha Rama në fjalën e tij.

Kreu i qeverisë shtoi se opozita ankohet se i mungon liria e fjalës për arsye se është e paaftë që ta përdorë lirinë e saj.

“Jeni bërë shëmbëlltyra e shprehjes së famshme “kush nuk di ta përdorë lirinë e fjalës, ankohet për mungesën e saj”. Sa më të paaftë janë politikanët, aq më shumë çirren se u mungon liria. Jeni kthyer me krisma verbale në çadrën e vjetër të konfliktit”, theksoi Rama.

(Kosova Sot)