< Kështu hetuesia e Vetëvendosjes i marrin në pyetje Shpend Ahmetin dhe Ylli Hoxhën (Dokumente) - Lajme - Kosova Sot
Kėshtu hetuesia e Vetėvendosjes i marrin nė pyetje Shpend Ahmetin dhe Ylli Hoxhėn (Dokumente)

Kėshtu hetuesia e Vetėvendosjes i marrin nė pyetje Shpend Ahmetin dhe Ylli Hoxhėn (Dokumente)

Lëvizja Vetëvendosje gjithmonë është kritikuar për kontrolle të rrepta ndaj njerëzve të saj, të cilëve shpeshherë u kishte cenuar edhe privatësinë.

Të shpeshta kanë qenë edhe përjashtimet e të padisiplinuarve, me vendime të sekretariateve që i kontrollonte tërësisht ish-sekretari Dardan Molliqaj.

Ky i fundit ishte akuzuar se i merrte në pyetje edhe deputetët e Vetëvendosjes dhe drejtorët e Komunës së Prishtinës, përfshirë edhe Shpend Ahmetin, sikur të ishte ndonjë hetues policor, por kjo deri më tash kishte mbetur vetëm në nivel spekulimesh.

Gazeta Metro ka arritur të sigurojë dokumente zyrtare të sekretariatit të Vetëvendosjes, ku bashkë me Shpend Ahmetin ishte marrë në pyetje edhe Ylli Hoxha, duke i pyetur se ku ishin, kush ishte me ta dhe çfarë kanë bërë më 28 nëntor të vitit 2015, në ditën kur policia kishte intervenuar brenda selisë së Vetëvendosjes dhe kishte arrestuar Albin Kurtin, me ç’rast u kishte konfiskuar edhe një sasi të madhe të sprejit djegës, plumbave të gomës, gazit lotsjellës, maskave të zeza, etj.

Shpend Ahmeti atë ditë kishte mbetur largë selisë së Lëvizjes Vetëvendosje, ku policia kishte bërë ndërhyrje brutale, për të arrestuar Albin Kurtin, e kjo me gjasë kishte ngritur dyshimin se Ahmeti i ishte shmangur rezistencës ndaj policisë.

Në raportin me shkrim që Shpend Ahmeti e kishte deponuar në hetuesinë e Vetëvendosjes, si person që e kishte marrë në pyetje figuron vetë drejtori i tij i Pronës në Komunën e Prishtinës, Dren Kukaj, i cili njihet si njeri i afërt me Molliqajn.

Me akuza të tilla Ahmeti është përballur vazhdimisht nga opozita në Komunën e Prishtinës, se gjatë gjithë kohës ishte kontrolluar nga njerëzit e Molliqajt.

Nga “Formulari i deklaratës së dëshmitarëve”, dokument ky i brendshëm i tyre, vërehet se Vetëvendosje e ka shumë ta avancuar sistemin e marrjes në pyetje të njerëzve të saj, transmeton Gazeta Metro.

Ndërsa, në dokumentin tjetër zyrtar, Ylli Hoxhën shihet se e ka intervistuar mbesa e Visar Ymerit, Adea Batusha, e cila është pjesë e grupit të akuzuar për përfshirje në sulmin me raketahedhës mbi Kuvendin e Kosovës.

Në këto dokumente zyrtare të Vetëvendosjes, Ahmeti dhe Hoxha kanë dhënë përgjigje të detajuara rreth asaj ngjarje, duke specifikuar saktësisht edhe me orë se ku kanë qenë.

Ndërkaq, në fund, sikurse në polici, që të dy këta e vërtetojnë përmbajtjen e dëshmisë së tyre duke nënshkruar edhe personalisht me dorën e tyre.

Këto dokumente e demantojnë Lëvizjen Vetëvendosje, e cila më herët kishte mohuar se në sekretariate i marrin në pyetje njerëzit e tyre.

 (Kosova Sot)

23 orë e 4 minuta më parë