< Mehmeti: Kosova ka dështuar përballë Devollëve të inkriminuar - Lajme - Kosova Sot
Mehmeti: Kosova ka dėshtuar pėrballė Devollėve tė inkriminuar

Mehmeti: Kosova ka dėshtuar pėrballė Devollėve tė inkriminuar

Analisti Faton Mehmeti thotë për "Kosova Sot" se është skandaloze se si helmohen qytetarët e Kosovës me grurë që importohet përmes Serbisë në Kosovë."Është po ashtu e vërtetë që kompanitë serbe që eksportojnë grurë kanë ulur çmimin enkas për tregun e Kosovës dhe ai sillet rreth 15 e bile edhe 13 centë, për faktin se ky grurë nuk është fare për njerëz, por për kafshë. Këtë të keqe të madhe po e shkaktojnë Devollët e inkriminuar , të cilët jo vetëm që duhet të arrestohen, por edhe të futen në burg për të gjitha këto skandale që i kanë shkaktuar vetëm e vetëm që të pasurohen duke shkaktuar dëme të pariparueshme për vendin e qytetarët", u shpreh ai. "Kosova ka dështuar plotësisht përballë Devollëve të inkriminuar, të cilët e kanë kapur shtetin në duart e tyre dhe po bëjnë çfarë të duan me të. Derisa kanë vendosur njerëz të tyre për oficerë të lartë në Doganat e Kosovës, ata e kanë të hapur rrugën që të importojnë çfarë të duan në Kosovë edhe atë pa paguar as doganë dhe asgjë tjetër. Serbia po bën zullumin më të madh me grurin që po eksporton në Kosovë përmes Devollëve po i arrijnë qëllimet e tyre për të helmuar qytetarët e Kosovës", vijoi më tutje Mehmeti. Ai thotë se edhe vetë Departamenti Amerikan i Bujqësisë ka paralajmëruar për këtë skandal kriminal , duke alarmuar për cilësinë e dobët që ky grurë posedon, e i cili po futet dhe po shitet si miell human për njerëz."Ndaj fabrikat e miellit në Kosovë e Shqipëri po falimentojnë nga konkurrenca e pandershme që Devollët u bëjnë me grurin serb", potencoi analisti Mehmeti. Ai pyet se si ka mundësi që gruri që vjen nga Serbia është më i liri se në Kosovë, kur në gjendjen normale edhe me dogana ai do të kapte shifra edhe më të mëdha se edhe vetë buka? "Prandaj, nuk ka dyshim se këtu janë të përfshirë rrjete të mëdha kriminale, të cilat e kanë të kapur keq e kriminalisht edhe gjyqësorin, Prokurorinë Speciale dhe politikën e tejinkriminuar. Është e pafalshme se si Prokuroria Speciale hesht përballë të gjitha këtyre skemave mafioze, të cilat po shkaktojnë edhe kancerin në masë tek qytetarët e vendit. Ky është krim mbi krimet, kjo nuk duhet të heshtet dhe as të lejohet që të vazhdojë më tutje. Edhe Prokuroria e Shtetit nuk po guxon që të ndërmarrë asgjë në këtë drejtim, pasi që edhe ajo është e kapur nga politika, kurse klasa politike është e kapur nga Devollët. Kjo ngase figura të larta politike në vend qëndrojnë prapa Devollëve, me të cilët ndajnë bizneset, fitimet dhe të gjitha paratë e pista që i bëjnë duke shkelur mbi shëndetin dhe jetën e qytetarit të varfër të Kosovës", vlerësoi i bindur analisti Faton Mehmeti për gazetën "Kosova Sot".

(Kosova Sot)

21 orë e 14 minuta më parë