Badallaj: BANDA DEVOLLI I KA DUART E LIRA NË KOSOVË

  • 13 October 2017 - 16:13
Badallaj: BANDA DEVOLLI I KA DUART E LIRA NË KOSOVË

Analisti Reshat Badallaj-Zhuriani thotë për gazetën "Kosova Sot" se Kosova mjerisht është në një anarki, pa ligje, pa qeverisje zbatuese të ligjit, ndaj këtu bëjnë sallamadi oligarkët mafiozë dhe bandat e tjera të kanaleve të nëntokës kriminale. "Këtyre bandave dhe mafio-oligarkëve nuk u intereson fare rrafshi kombëtar, e as popullata, por këtyre banditëve u intereson vetëm paraja dhe ata janë në gjendje të bashkëpunojnë edhe me djallin e mallkuar për interesa të tyre personale kriminale", theksoi ai."Serbia fashiste ka hapur kanale të posaçme prodhimi e transferi për në Kosovë me llumin e mallrave të mbetura, me afate të skaduara, me simptoma kancerogjene, duke i pastruar stallat e derrave e të qenve. Bartin krunde qensh i dërgojnë në mullirin "M-Sillosi" dhe pastaj i shpërndajnë vetëm në sofrat shqiptare", vijoi më tej analisti Badallaj-Zhuriani. Sipas tij, banda 'Devolli' i ka duart e lira për të vepruar në Kosovë, sepse ka blerë me para kontrabandë, te gjitha qeveritë e gjertanishme kuislinge, majat e shtetit, sistemin e kalbur gjyqësor dhe banditët dhe kryebanditët e bandave politike. "Kjo bandë 'Devolli' në pikë të ditës futet në Serbi dhe sjell në vendet ku flitet shqip mallra për t'i tredhur shqiptarët që të mos shtohen", u shpreh ai."Gruri nga Rusia po sillet pa kurrfarë kontrolli dhe futet në Kosovë. Kriminelët duke parë fukarallëkun e popullatës kanë ulur çmimin e grurit dhe organet shtetërore nuk ngrenë fare zërin kundër këtyre banditëve dhe kriminelëve vrasës në masë. Tashmë dihet se sa skandale dhe krime të organizuara bënë banditët 'Devolli' dhe sistemi i kalbur i drejtësisë po hesht, atëherë si të shpjegohet kjo ndryshe. Veç saj, po këta banditë janë edhe shkaktarët kryesorë që kanë rritur papunësinë në vend, duke ia zënë frymën edhe bizneseve të vogla që ia vunë drynin nga këta matrapazë", ka thënë për gazetën "Kosova Sot" Reshat Badallaj-Zhurjani.

(Kosova Sot)