Limaj në Vushtrri thotë se PDK është lodhur, u kërkon vushtrriasve ta dërgojnë në "shtëpi"

  • 16 October 2017 - 22:38
Limaj në Vushtrri thotë se PDK është lodhur, u kërkon vushtrriasve ta dërgojnë në

Kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, në Vushtrri ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës është lodhur dhe se vushtrriasit me 22 tetor duhet ta dërgojnë ketë parti në shtëpi.

Ai iu tha vushtrriasve se kanë nevojë për një parti siç është Nisma për Kosovën, e që sipas tij, është alternativa e vetme.

"Bajram Mulaku e pa që është lodhur, në fakt e ka parë para tri viteve por diqysh e shtinë edhe një herë. Por, në fakt nuk është lodhur Bajrami është lodhur kjo parti që është në pushtet, se ata po mendojnë që është lodhur Bajrami e kemi larguar e pe qesim një njeri tjetër. More është lodhur partia aty, aty nuk është lodhur Bajrami, por krejt partia është lodhur dhe ata kanë nevojë me i dërgua në shtëpi. Bajrami ka shkuar vullnetarisht e ju është mirë me 22 tetor me i dërgua ata. Më shumë e më shpejt kanë nevojë këta tjerët me shkua në shpi sesa Bajrami që është lodhur", tha Limaj.

Kreu i Nismës për Kosovën tha se do t’ju qëndrojnë afër prodhuesve dhe bujqve të Vushtrrisë. Po ashtu, ai premtoi se do të kenë në qendër të programit të tyre bujqit që merren me kultivimin e patates.

Kandidati i Nisma për Kosovën për Vushtrri, Avdullah Vojvoda, tha se programi i tij qeverisës për Vushtrrinë mbështetet në 10 shtylla siç është zhvillimi ekonomik, mirëqenia sociale, bujqësia dhe zhvillimi rural, arsimi, shëndetësia, mjedisi, rinia, infrastruktura, urbanizimi, kultura dhe sporti.

Vojvoda vushtrriasve iu premtoi mbështetje për bizneset e vogla, si dhe që prioritet do të ketë ata që merren me bujqësi.

Ai tha se qeverisja e Nismës do të funksionojë në bazë të disa parimeve siç janë llogaridhënia, transparenca dhe sundimi i ligjit.

"Nisma për Kosovën promovon zhvillimin ekonomik përmes investimeve nga fondet publike dhe vetiniciativën biznesore për mëkëmbjen ekonomike të komunës. Përkrah dhe subvencionon bizneset private për rritje dhe zhvillim që krijon bazë të mirë për punësim dhe zvogëlim të varfërisë. Nisma për Kosovën do të krijojë parakushte për mirëqenie ekonomike, barazi sociale, solidaritet shoqëror ku qytetarët kanë mundësi të barabarta për pjesëmarrje në vendimmarrje politike, sociale, arsimore, kulturore, sportive. Përkrah dhe promovon barazinë gjinore e fetare", tha ai.

Po ashtu, pretendenti për Vushtrrinë tha se prioritet do të ketë arsimin në këtë komunë.

(Kosova Sot)