Nëntoka kriminale, padronia e vërtetë e Republikës!

  • 17 October 2017 - 07:56
Nëntoka kriminale, padronia e vërtetë e Republikës!

Analistët dhe njohësit e fushës së drejtësisë kanë vlerësuar se nëntoka kriminale me politikanë të nivelit të lartë do të qëndrojnë dhe do të sundojnë mbi ligjin gjithmonë, nëse nuk merr masa Qeveria aktuale kundër atyre që po u duket vetja - MBRETËR e sundimtare, dhe që po mendojnë se gjithmonë munden që t'ia arrijnë qëllimit duke kërcënuar e duke shantazhuar të tjerët, të cilët dëshirojnë drejtësi. Sipas tyre, nëntoka kriminale është kalitur dhe ngulitur në politikë, pasi përmes pozicioneve politike dhe pushtetit i krijojnë vetes privilegje, ku përmes ndikimit në organet e rendit dhe ato të gjyqësisë i krijojnë vetes mbrojtje nga ndjekjet ligjore. Ndaj, ata kanë shtruar edhe çështjen se a po krijon sistemi i brishtë dhe i shitur e trafikante i drejtësisë njerëz të fortë të nëntokës kriminale , të cilët nuk pyesin fare më për ligje dhe nuk i frikësohen më as ligjit dhe as drejtësisë që nuk ekziston realisht. Për këtë dhe atë se përse sa më e dobët që të jetë drejtësia kundër kriminelëve, aq më të fortë bëhen kriminelët dhe një shoqëri që aspiron Evropën nuk duhet të lërë që njerëzit të bëhen kriminelë, por përmes masave ligjore e me dënime të fusë frikën ndaj atyre se kush shkel ligjin përballet me ligjin dhe drejtësinë, duke marrë edhe dënimin e merituar me ligj, flet shkrimi në vijim.

Image

 

Vetëm ligji i disiplinon partitë e degraduara

ra Eksperti i fushës së sundimit të ligjit, Blerim Burjani ka veçuar se partitë mbi shtetin dhe rendin e ligjin, legjislacioni dhe Kushtetuta e thonë ndryshe, përderisa partitë veprojnë ndryshe dhe në kundërshtim me atë çfarë proklamon Kushtetua dhe vullneti i qytetarëve. Rendi dhe ligji mbrohen duke respektuar Kushtetutën ligjin e shtetin. "Partitë kanë vendosur për një sundim për qytetarin dhe jo demokracinë si vlerë e këtij sistemi, politikanët duhet të respektojnë sistemin e drejtë- sisë dhe pushtetin gjyqësor e ta shohin si të shenjtë për të mbrojtur vlerat e demokracisë qytetare", ka thënë ai. "Asnjë nen nuk e ka ligji për Gjykatën kushtetuese se çka ndodh me partitë që janë mbi shtetin dhe qytetarin, e shkelin Kushtetutën, për këtë arsye partitë nuk kanë asnjë restrikcion dhe e shfrytëzojnë zbrazëtirën ligjore për të sunduar dhe të krijojnë ngërçe politike, dhe të njëjtët kësisoj nuk e respektojnë sistemin e pavarur gjyqësor", spikati për gazetën "Kosova Sot" eksperti i fushës së sundimit të ligjit, Blerim Burjani

Image

 

MAFIOZËT VEPROJNË LIRSHËM NË KRIM TË ORGANIZUAR

Profesori universitar Muhamet Kelmendi, në një prononcim për gazetën "Kosova Sot", ka thënë se shteti ligjor është arma vendimtare kundër shteteve që janë të kriminalizuara, dhe sa më shumë që zbatohet ligji i së drejtës dhe kur ai është i njëjtë për të gjithë, aq më shumë ndërtohet shteti ligjor dhe anasjelltas. Por, ai thotë se mu ky fenomen i shtetit të së drejtës nuk është duke funksionuar në Kosovë, dhe drejtësia ndahet sipas pozitës politike, pushtetit dhe forcës ekonomike e financiare, derisa, siç tha, mbi këtë bazë nuk kemi dënime të dhëna kundër kriminelëve dhe mafiozëve ekonomikë. "Ata, as që po ndiqen. Bëhen eksploatime të mëdha në firmat si 'ETC', 'Devolli', etj., por askush s'i kontrollon dhe nuk i heton. Deri edhe mallra kancerogjene dhe të prodhuara me elemente të ndaluara shiten, por përgjegjësi nuk ka kush për to . Merrni shembull kontaktet e mafiozëve ekonomikë me politikanët dhe lidhjet e tyre dhe askush nuk përgjigjet. Po kush është në burg për vepra të korrupsionit dhe të krimit te organizuar në Kosovë, kur të dhënat e UE-së dhe të SHBA-së flasin permanente për to. Askush! Pse? Shteti ligjor në Kosovë nuk ekziston", potencoi ai. "Prokuroria dhe gjykatat me polici janë nën dirigjimin e politikës dhe të ekonomisë mafio-oligarkike. Ato subjekte nuk hetohen fare dhe po lejohen të pasurohen jo mbi baza ligjore, por të dyshimta e kriminale. Shteti ka nevojë për spastrim ose vetëpastrim. E, kjo arrihet me konkretisht me 'Vetting' të kontrolluar dhe të varur e në bashkëpunim detyrimisht me UE-në dhe me FBI-në e SHBA-së. Nuk ka mundësi kurrë që të kemi Prokurori të aftë dhe profesionale e gjykata të tilla me KPK-në dhe me KGJK-në aktuale, duke i vendosur në pozitat e tilla. Këta dy këshilla duhet spastruar dhe riorganizuar, duke i nxjerr njerëzit e tjerë që të kemi sukses në ndërtimin e shtetit ligjor ", u shpreh profesori universitar, Muhamet Kelmendi.

Image

 

POLITIKA, MBUROJË DHE AVOKATE E KRIMIT TË ORGANIZUAR

Analisti Naim Miftari ka vlerësuar se nëntoka është kalitur dhe ngulitur në politikë, pasi përmes pozicioneve politike dhe pushtetit, i krijojnë vetes privilegje, ku përmes ndikimit në organet e rendit dhe ato të gjyqësisë i krijojnë vetes mbrojtje nga ndjekjet ligjore. " Sot, ta marrim shembull, një person i nëntokës, e që mban post të kryetarit të një komune, mund ta rrahë, ta kërcënojë me jetë gjyqtarin në vendin e tij të punës në gjykatë në prezencën e policëve të korruptuar ose të frikësuar nga fuqia dhe hakmarrja e mundshme nga nëntoka politike. Kur flasim për sistemin e drejtësisë, shumica e dimë se sa është i dobët e i brishtë dhe shumë i korruptuar, dhe e korruptuar do të jetë drejtësia gjithnjë gjersa do të jetë politika e kriminalizuar dhe e korruptuar. Kur flasim sot për krimin e organizuar, automatikisht kuptojmë se në fakt e kemi mendjen në politikën e korruptuar dhe të deformuar", u shpreh ai. "Krimi i organizuar është futur në politikë të ketë mbrojtje institucionale dhe ligjore dhe ndikimin në politike e përdor për t'i krijuar vetes benificione dhe përfitime materiale në mënyra joligjore dhe ilegale, marrim si shembull Doganën ku qindra miliona e miliona hyjnë në mënyrë ilegale dhe përfitimet u shkojnë vetëm "bosëve" të krimit të organizuar dhe politikanëve tanë të korruptuar", deklaroi për gazetën "Kosova Sot" analisti Naim Miftari.

Image

 

EDHE BE-JA I TOLEROI TEPËR BANDAT POLITIKE

Analisti Dardan Grapci ka nënvizuar se nëntoka kriminale me politikanë të nivelit të lartë do të qëndrojnë dhe do të sundojnë mbi ligjin gjithmonë, nëse, siç tha, nuk merr masa Qeveria aktuale kundër këtyre politikanëve që po iu duket vetja - MBRETËR e sundimtare, dhe që po mendojnë se gjithmonë munden që t'ia arrijnë qëllimit duke kërcënuar e duke shantazhuar të tjerët, të cilët dëshirojnë drejtësi dhe sundim të ligjit dhe jo të mafisë. Tutje, nëse një person përshkallëzon apo fillon që t'i ndryshojë ligjet qysh t'i teket, atëherë ky sistem në njëfarë pike mund të dalë jashtë rrjedhave, por nëse një person e mban ligjin strikt dhe nuk lejon që politikanët dhe ata të cilët mendojnë se janë BOSË në këtë vend, atëherë sistemi do të bëhet edhe më i pasur dhe më i mirë, sesa që ka qenë. " Drejtësia, për fat të keq, ka dështuar në Kosovë, s'po them në atë kontestin ligjor, por nga ana praktike ligjzbatuese , për shkak se askush dhe askujt nuk po i intereson se çka po bëhet me popullin dhe çka po heqin e vuajnë prej nëntokës kriminale, e cila është e udhëhequr nga politikanët e ndyrë e kriminele, të cilët shumë shpejt besojmë se do t'i shohim prapa grilave", u shpreh ai. "Evropa gjithashtu e ka fajin, apo më mirë BE- ja e ka fajin, për shkak se iu ka dhënë shumë liri këtyre pushtetarëve tanë te inkriminuar , në vend se të marrë masa të rrepta kundër tyre, prandaj tani është vonë, veçse nëse kjo Qeveri e sapokrijuar vendos që të bëjë diçka për këtë situatë, se ndryshe Kosovën dhe qytetarët e saj i presin ditët edhe më të vështira. Prandaj, ligji ekziston, por s'ka njerëz të duhur që dinë e duan ta zbatojnë edhe që s'kanë frikë nga kërcënimet e interferimet e politikanëve apo kriminelëve, të cilët mundohen të shantazhojnë dhe të kërcënojnë këdo që u del përpara apo ua prish planet kriminale", thotë për gazetën analisti Dardan Grapc.

(Kosova Sot)