Devollizimi mafioz i grurit gjunjëzon tregun dhe fabrikat vendore

  • 17 October 2017 - 07:59
Devollizimi mafioz i grurit gjunjëzon tregun dhe fabrikat vendore

Fabrikat e miellit në Shqipëri e zvogëluan punën e tyre si pasojë e importit të miellit nga Serbia, që dyshohet se është edhe kancerogjen dhe që po hyn nga Kosova përmes kompanisë "MSillosi", në pronësi të Devollëve. Mësohet se fabrikat në Shqipëri kanë reduktuar 30 për qind të punëtorëve. Sipas industrialistëve të blojës, importet e miellit nga Serbia, Kosova dhe Mali i Zi kanë arritur në rreth 100 mijë tonë vitin e fundit, teksa konsumi i tërë miellit në total është rreth 200 mijë tonë. Pra, gjysma e tregut me miell vjen nga Serbia, përmes 'damping'-ut të qëllimshëm e të programuar. Sipas të dhënave zyrtare nga Doganat në Shqipëri, importet e miellit nga Serbia janë rritur madje në kuotën 43 për qind në 2016-n, ndërkaq një kilogram miell nga Serbia u importua me 25 centë nga 35 centë që ishte çmimi për kilogram në vitin 2014, po nga ky shtet. Çmimi për njësi është shumë më i lirë se mielli që importohet nga shtetet e tjera, p.sh. nga Greqia dhe Italia, me çmim prej rreth 42 centë për kg, sipas të dhë- nave të sasisë dhe çmimit nga Doganat. Ndërkaq, situata është edhe më skandaloze në Kosovë, ngase mielli serb po cenon edhe sigurinë ushqimore dhe po e vështirë- son të bërit biznes. Analistët e shtrojnë çështjen se përse Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë nuk po ndërhyjnë për të ndaluar miellin kërcënues serb që po vjen kryesisht përmes Shkëlqim Devollit dhe i cili po shkatërron prodhuesit shqiptarë dhe për më tepër edhe shëndetin e qytetarëve, duke iu shitur drithëra të kafshëve në vend të grurit e miellit për njerëz.

Image

 

 

Cilësi e dyshimtë

Në Shqipëri mielli serb që hyn nga Kosova ka standardin 9 për qind të proteinave, teksa mielli për bukë duhet ta ketë minimum 12 për qind nivelin e proteinave, deklaron Adi Haxhiymeri, kryetar i Shoqatës së Industrisë Përpunuese të Miellit. Mielli me standard 9 për qind zakonisht është i lejueshëm vetëm për biskotat e jo edhe për bukë, pasi ato gjatë gatimit pasurohen me lëndë të tjera, si sheqer dhe yndyrë për të arritur një nivel të pranueshëm ushqimor, por jo për bukë. Analistët pyesin se përse Dogana në Kosovë nuk po e bën publik nivelin e proteinave që gjendet në miellin që importojnë Devollët me kompaninë e tyre "MSillosi", apo ndonjë kompani tjetër fantome e tyre e panjohur si emër, apo nuk ka guxim të bëjë publike dëmin që Devollët qëllimisht po ua bëjnë qytetarëve tanë në shëndetin e tyre. Afaristi Shkëlqim Devolli ka dyshime tanimë se drithërat për kafshët i merr të përjashtuara nga TVSH-ja dhe qytetarëve ua shet për miell human. Veç saj ka dyshime të mëdha se këto drithëra për kafshë përzihen në fabrikat e tyre dhe pastaj drithërat e blera pa TVSH shiten në Kosovë dhe në Shqipëri me TVSH. Me këto veprime po dyshohet se si po ua pastrojnë Devollët fabrikat Serbisë, duke dëmtuar shëndetin e qytetarëve shqiptarë në Kosovë dhe në Shqipëri. Edhe përkundër gjetjeve në Dogana para disa vitesh që Shkëlqim Devolli ka paguar tarifë tjetër doganore për grurin e importuar si drithëra të kafshëve, deri më sot Prokuroria nuk e pati guximin që të hapë ende as edhe një rast kundër të inkriminuarve Devolli. Veç saj, shtrohet pyetja se përse Kuvendi i Kosovës, edhe pas hetimeve të bëra nga ana e Komisionit parlamentar për Bujqësi, Pylltari, Mjedis e Planifikim Hapësinor, në fillim te viti 2015, para më shumë se dy vjetësh e gjysmë, hetime këto për cilësinë e grurit, i cili importohet dhe prodhohet në Kosovë, ku rezultoi dhe u faktua se korporata më e madhe në vend, 'Devolli', në tryezat tona dyshohet se deri më tash ka servuar drithëra për kafshë në vend të grurit, nuk ka marrë as edhe një hap në këtë drejtim?

Image

 

Institucionet heshtin skandalin

Lidhur me skandalin me grurin, gazeta u ka dërguar pyetje, por edhe i ka vizituar personalisht institucionet për të mësuar se çfarë thonë për këtë çështje zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, Doganat, AVUK-u, anëtarët e Komisionit të ri për Bujqësi në Kuvendin e Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit. Asnjëri institucion nuk ka kthyer përgjigje. Gazeta u ka dërguar pyetje edhe Fabrikës së miellit "MSillosi" dhe Shkëlqim Devollit, mirëpo si zakonisht, nuk janë përgjigjur. Ndërsa zëdhënësi i Doganës, Adriatik Stavileci, në një përgjigje të shkurtër për "Kosova Sot", ka thënë se Dogana lidhur me kualitetin e produkteve nuk ka asnjë kompetencë."Derisa për statistikat e importit do t'ju informojmë". Kurse zëdhënësi i AVUK-ut, Lamir Thaçi, ka thënë për "Kosova Sot" se e kanë pranuar pyetjen, por për ditën e hënë "nuk besoj se do të merrni përgjigjen tuaj". Ndërkohë me gjithë pyetjet e dërguara me adresën elektronike, por edhe bisedave përmes celularit, lidhur me çështjen, përgjigjen e tyre nuk e kanë dhënë as drejtuesit e Shoqatës së Mullisëve të Kosovës, Bashkim Zejnullahu, kryetari kësaj shoqate, si edhe ishkryetari i shoqatës, Muhamet Farizi.

Image

 

Shteti të bllokojë ushqimet e pashëndetshme

Përfaqësuesi i shoqërisë civile, Selatin Kaçaniku, lidhur me çështjen për gazetën "Kosova Sot" thotë se konkurrenca e lirë në ekonominë e tregut të lirë e detyron prodhuesin, tregtarin e shërbyesin që t'i ndjekë standardet e inovacionet hap pas hapi."Shteti nëpërmes institucioneve duhet të ndalojë importin e ushqimeve jo të shëndetshme, jostandarde, jo të sigurta... Qytetari konsumator taksapagues duhet të jetë i vetëdijshëm, vigjilent, i angazhuar, i bashkuar në kuadrin e shoqërisë civile... dhe i shquar për aktivizim rreth zgjidhjes së problemeve, në veçanti të problemeve rreth ushqimit", potencoi ai."Shteti i Kosovës, si anëtar i CEFTA-s, konform marrëveshjes, Ligjit antidamping, Ligjit të konkurrencës, duhet të jetë më i vëmendshëm. Përveçse duhet të kemi kontratë bilaterale ndërshtetërore të tregtisë, duhet të pengojmë edhe 'dampingun' edhe konkurrencën jolojale", theksoi Kaçaniku. Ai sqaron se shtetet si Serbia e Greqia më lirë e shesin miellin se grurin, sepse e subvencionojnë eksportin e miellit.

PROKURORIA E PAAFTË TË BALLAFAQOHET ME KRIMIN EKONOMIK

Anëtari i Kryesisë së Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, afaristi Ramadan Maloku, për gazetën "Kosova Sot", tha se në Prokurorinë e Shtetit akoma nuk ka njerëz të punësuar që janë të devotshëm dhe që punojnë për shtetin në radhë të parë, sepse po të kishte prokurorë të tillë ata do t'i hapnin dhe do të merreshin me ndriçimin e këtyre rasteve, por si duket heshtja e Prokurorisë është bërë me arsyetimet se ata nuk kanë hasur në argumente të mjaftueshme. "Askund në botë prokuroria e asnjë shteti nuk i hesht këto raste që janë në dëm të shtetit dhe që e rrezikojnë shëndetin e popullit. Sepse një gabim i një mjeku e mbyt një njeri, kurse një gabim i një biznesi e mbyt gjysmën e popullatës së atij vendi, ndaj heshtja e AVUK-ut, Doganave dhe Prokurorisë së Shtetit për ndriçimin e këtyre rasteve vërtet është e pakuptimtë dhe nuk do asnjë koment", ka potencuar ai. Ndërsa analisti Faton Mehmeti tha për "Kosova Sot" se, fatkeqësisht, Shkëlqim Devolli po i bën dëme të mëdha Kosovës me grurin që po e importon nga Serbia për në Kosovë nën nivelin e lejuar të saj dhe po shkakton dëme të mëdha shëndetësore. "Duke ditur se niveli i ulët i proteinave të grurit është nën masën e lejuar, kjo po i shkakton dëme të mëdha vendit". Ai thotë se Kosova së pari humbet nga Doganat, pasi Devollët aty disa maune me grurë i doganojnë e disa të tjera jo, pasi edhe Dogana është pjesë e tyre, janë njerëzit e Shkëlqim Devollit ata që kontrollojnë se çka duhet të hyjë në Kosovë e çka jo.

Image

 

SHOQATA E ALARMOI, PUSHTETI E AMNISTON AFERËN KRIMINALE TË DEVOLLËVE

Sipas analistit Mehmeti, përveç dëmit ekonomik, Devollët po i shkaktojnë dëme të mëdha Kosovës edhe në aspektin shëndetësor, pasi ky miell nuk është i preferuar për t'u ngrënë për njerëzit, sepse cilësia është e dobët. "Serbia këtë grurë e hedh të papërdorur dhe të njëjtin Devollët e importojnë në Kosovë për ta shitur, pastaj me çmim të lirë si miell human për njerëz. Qytetarët në mungesë të informacioneve e blejnë pa qenë të vetëdijshëm për rreziqet që shkakton ajo. Një gjë të tillë e deklarojnë edhe nga Shoqata e Industrisë Përpunuese të Miellit", ka thënë ai. "Një alarm i tillë nga kjo shoqatë do të duhet të ngrinte tërë Qeverinë dhe shtetin në alarm, pasi ka të bëjë direkt me jetën e shëndetin e qytetarëve në masë të madhe të vendit. Por, kjo nuk ndodh derisa vetë qeveritarët janë të lidhur me Devollët, respektivisht Devollët e inkriminuar e kanë në grusht tërë skenën politike në vend", potencoi ai. Sipas Mehmetit, përveç Kosovës, Devollët po i shkaktojnë dëme të mëdha edhe Shqipërisë, e cila po vuan shumë nga kjo cilësi e dobët e miellit. "Me këtë rast po i bie hije e keqe Kosovës, mallrave të Kosovës në Shqipëri, si produkte të cilësisë së dobët". Ai thotë se Devollët kanë lidhje të dyshimta edhe me Edi Ramën, i cili me ndërmjetësimin e Hashim Thaçit ka bërë ujdinë që të importohet mielli i bluar prej "M-Sillosit", edhe pse nuk është i destinuar për t'u ngrënë për njerëz. "Dy shtetet shqiptare janë të kapura nga mafitë kriminale, e të cilat po i bëjnë dëme të hatashme shëndetit dhe buxhetit të Kosovës dhe të Shqipërisë. Duhet që të ndërmerret diçka urgjente dhe të mos lejohet që banda e Devollëve të luajë me fatin e një kombi të ndarë në dy shtete. Mafia duhet rrënjosur nga trevat shqiptare sa më parë. Devollët duhet të hetohen për këtë krim te organizuar, që po e kryejnë për të fituar para të pista në lidhjet e tyre me kriminelët serbë e tepër armiqësor për shqiptarët", ka thënë analisti Faton Mehmeti për gazetën "Kosova Sot".

 (Kosova Sot)