MALOKU: PROKURORIA E PAAFTË TË BALLAFAQOHET ME KRIMIN EKONOMIK

  • 17 October 2017 - 17:40
MALOKU: PROKURORIA E PAAFTË TË BALLAFAQOHET ME KRIMIN EKONOMIK

Anëtari i Kryesisë së Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, afaristi Ramadan Maloku, për gazetën "Kosova Sot", tha se në Prokurorinë e Shtetit akoma nuk ka njerëz të punësuar që janë të devotshëm dhe që punojnë për shtetin në radhë të parë, sepse po të kishte prokurorë të tillë ata do t'i hapnin dhe do të merreshin me ndriçimin e këtyre rasteve, por si duket heshtja e Prokurorisë është bërë me arsyetimet se ata nuk kanë hasur në argumente të mjaftueshme. "Askund në botë prokuroria e asnjë shteti nuk i hesht këto raste që janë në dëm të shtetit dhe që e rrezikojnë shëndetin e popullit. Sepse një gabim i një mjeku e mbyt një njeri, kurse një gabim i një biznesi e mbyt gjysmën e popullatës së atij vendi, ndaj heshtja e AVUK-ut, Doganave dhe Prokurorisë së Shtetit për ndriçimin e këtyre rasteve vërtet është e pakuptimtë dhe nuk do asnjë koment", ka potencuar ai. Ndërsa analisti Faton Mehmeti tha për "Kosova Sot" se, fatkeqësisht, Shkëlqim Devolli po i bën dëme të mëdha Kosovës me grurin që po e importon nga Serbia për në Kosovë nën nivelin e lejuar të saj dhe po shkakton dëme të mëdha shëndetësore. "Duke ditur se niveli i ulët i proteinave të grurit është nën masën e lejuar, kjo po i shkakton dëme të mëdha vendit". Ai thotë se Kosova së pari humbet nga Doganat, pasi Devollët aty disa maune me grurë i doganojnë e disa të tjera jo, pasi edhe Dogana është pjesë e tyre, janë njerëzit e Shkëlqim Devollit ata që kontrollojnë se çka duhet të hyjë në Kosovë e çka jo.

(Kosova Sot)