Shpëtojeni jetën e Shqipëronës, NËNË E DY FËMIJËVE

  • 19 October 2017 - 18:08
Shpëtojeni jetën e Shqipëronës, NËNË E DY FËMIJËVE

Familja e Vullnet Demës tani e sa kohë jeton në varfëri në lagjen "Arbana" të Prizrenit, tek pishina TEA. Kjo familje jeton vetëm me ndihmat sociale. Sipas Vullnet Demës, edhe ato ndihma rrezikojnë t'u ndalen. Ai shton se është i papunë dhe gjatë verës punon vetëm si punëtor krahu. Në shtëpinë e ngritur nga ndihmat menjëherë pas luftës në lagjen "Arbana" në pishina TEA, pa numër mezi arrijnë të mbijetojnë vetëm me kafshatën e gojës kjo familje 4 anë- tarëshe. Shqipërona, gruaja e Vullnetit, është e sëmurë nga tumori në mëlçi. Vullneti thotë se shërimi i gruas duhet të bëhet në një vend të rajonit dhe duhen së paku pesëmijë euro. Ai thotë se familja nuk ka asnjë cent për të paguar. Vullnet Dema, i papunë, me lot në sy pohon:"Për shkak të sëmundjes së rëndë të gruas, jemi të sëmurë e gjithë familja. Nuk ka gjë më të rëndë se nëna e fëmijëve të ndodhet në këso situate". Ai tregon se është e vështirë të jetohet në këso kushte. Vullneti ofron në dispozicion numrin e telefonit të kësaj familjeje, që është 049 225 160. Ai tregon se kushdo që ka dëshirë ta ndihmojë këtë familje mund ta bëjë duke kontaktuar atë.

Image

 

"Fëmijët janë të pafajshëm"

Ndërsa, Shqipërona e shtrirë në spital në gjendje të rëndë shprehet për "Kosova Sot": "Ah, sikur të kisha mundësi të shërohem e t'i rris këta fëmijë. Kam një djalë trevjeçar dhe një vajzë njëvjeçare dhe kërkoj nga Zoti dhe nga të gjithë ata që munden të na ndihmojnë që unë të shërohem. Këta fëmijë janë të pafajshëm. Sa fort më dhemb shpirti kur shikoj se si ata më shikojnë dhe mbi të gjitha kanë të vetmen shpresë tek unë". Si nënë kërkon që t'i jepet një mundësi të jetojë e të shërohet për t'u kujdesur për këta fëmijë. "Nëse shërohem me ndihmën e Zotit, do të kujdesëm për këta fëmijë që të mos mbesin jetimë", është shprehur ajo. Kjo familje bie e zgjohet me të vetmen dhembje se kur do të shërohet nëna e këtyre fëmijëve. Kurse Vullneti thotë se nuk do të lërë gur pa lëvizur për shërimin e gruas së tij Shqipërones, porse është i bindur se do ta ketë të vështirë. "Pa kushte dhe pa punë kjo është një jetë e zorit", shprehet Vullneti. Ai i var shpresat te bamirësit që ta shpëtojnë jetën e Shqipëronës, e cila i ka vetëm 23 vjet.

(Kosova Sot)