Njeriu e kupton që ka vdekur, vetëdija vazhdon që të funksionojë

  • 19 October 2017 - 19:13
Njeriu e kupton që ka vdekur, vetëdija vazhdon që të funksionojë

Disa thonë ta kenë parë një dritë në fund të tunelit, derisa të tjerët thonë të kenë qëndruar pezull, mbi trupin e tyre, derisa i shikonin mjekët duke u munduar që t'ua shpëtonin jetën. Por, realiteti i përvojave afër vdekjes gjithmonë ka qenë temë debati. Tani shkencëtarët kanë zbuluar se vetëdija e njeriut vazhdon që të ekzistojë edhe pasi që trupi nuk tregon më shenja jete, gjë që d.m.th. se njeriu është i vetëdijshëm që ka vdekur. Ka dëshmi që sugjerojnë se njerëzit mund ta dëgjojnë edhe mjekun derisa i shpallë të vdekur. Ky zbulim vjen pas ribërjes së filmit të Hollivudit, të viteve 1990, "Flatliners", me aktoren Ellen Page në rolin kryesor.

Rrëfimet e pacientëve

Në këtë film, një grup mjekësh të rinj fillojnë një eksperiment të rrezikshëm, duke bërë që zemra e tyre, me radhë, të pushonte së punuari, me anë të substancave të ndryshme kimike, me qëllim që ta kuptojnë se çka ndodhë pas kësaj jete. Një ekip shkencëtarësh nga Shkolla e Mjekësisë e Universitetit të NjuJorkut studioi të njëjtën gjë, me anë të studimeve me binjakë në Evropë dhe SHBA, me njerëz që kanë përjetuar arrest kardiak (ndalje të punës së zemrës) dhe që janë "rikthyer" në jetë. Ky ishte studimi më i madh i këtij lloji, i bërë ndonjëherë. Autori i studimit, Dr. Sam Parnia, tregon se njerëzit që kishin përjetuar arrest kardiak, thonë se kishin vazhduar të shihnin mjekët dhe infermierët dhe kishin kuptuar bisedën që bënin ata. Ai më pas këto rrëfime të pacientëve i ka konfirmuar edhe me stafin mjekësor, që ishin duke u përkujdesur për ata pacientë. Duke studiuar aktivitetin trunor të minjve që ishin duke ngordhur, shkencëtarët arritën që të hidhnin dritë ndaj përvojave afër vdekjes te njerëzit.

E tëra bazohet te momenti kur ndalet zemra

Kërkuesit shkencorë nga Universiteti i Miçiganit kanë analizuar sinjalet elektrike në trurin e nëntë minjve të anestetizuar, te të cilët ishte shkaktuar një arrest kardiak. Ata kishin vërejtur aktivitete tipike të një gjendjeje 'hiperaktive' shkurt pas vdekjes klinike. Autorët e studimit thonë se përvojat afër vdekjes (NDE) janë raportuar nga 20% të atyre që kanë mbijetuar arrestin kardiak. Njerëzit shpesh thonë se këta njerëz janë dëshmi e një jete pas vdekjes, apo të ndarjes së trupit nga shpirti. Por, deri më tani shkencëtarët i kanë shpjeguar këto përjetime si procese psikologjike dhe besohej se ato ishin rezultat i një aktiviteti jo të rëndomtë të trurit, të shkaktuar nga zvogëlimi i qarkullimit të gjakut në tru. Në aspektin mjekësor, mjekët e përcaktojnë vdekjen duke u bazuar te pushimi i të rrahurave të zemrës, gjë që menjëherë ndërprenë shkuarjen e gjakut në tru. 'Teknikisht, kështu caktohet koha e vdekjes - e tëra bazohet te momenti kur ndalet zemra', thotë Dr Sam Parnia. 'Pasi që të ndalet puna e zemrës, gjaku më nuk qarkullon në tru, gjë që bën që funksionet e trurit të ndalen thuajse menjëherë. Humbin të gjitha reflekset trunore, duke përfshirë edhe ngushtimin e bebëzës së syve në dritë". Korja trunore, e cila është përgjegjëse për të menduarit dhe përpunimin e informatave të marra nga të pesë shqisat, po ashtu menjëherë pushon së punuari, thotë Dr. Parnia. Kjo nënkupton se, pas 2 deri 20 sekondash, në monitor nuk regjistrohet asnjë aktivitet elektrik i trurit. Kjo shkakton fillimin e një reaksioni zinxhiror të proceseve qelizore, që rezultojnë me vdekjen e qelizave trunore. Megjithatë, ky proces mund të zgjas me orë të tëra, pas ndaljes së zemrës, thotë ai.

(Kosova Sot)