Fle dy javë rresht, shkaku i një sëmundjeje misterioze

  • 19 October 2017 - 20:27
Fle dy javë rresht, shkaku i një sëmundjeje misterioze

Wyatt Shaw u bë një mister i vërtetë i mjekësisë, pasi ra në një gjumë të thellë, në ç'gjendje qëndroi për 11 ditë, pasi në dasmën e xhaxhait të tij ishte ngarkuar me detyrën e bartësit të unazës. Ky djalë shtatë vjeçar kishte pasur sjellje normale derisa kishte rënë për të fjetur, natën pas përfundimit të dasmës. E ëma e tij, Amy Shaw, u përpoq që ta zgjonte të birin të nesërmen në mëngjes, por atij iu kthye vetëm për pak vetëdija, për t'u zhytur përsëri në gjumë.

U zgjua me një lëvizshmëri të kufizuar

Pasi prindërit e dërguan te mjeku në qytetin e tyre, Elizabetaun, Kentaki, Wyatt u dërgua në spitalin e fëmijëve "Norton" në Luisvill, për të bërë analiza shtesë. Më 12 tetor Wyatt u zgjua dhe kishte një lëvizshmëri të kufizuar. Edhe sot e kësaj dite mjekët nuk e kanë idenë se çka e kishte shkaktuar këtë gjumë të thellë dhe të gjatë të djalit. Nëna e tij në fillim mendoi se kjo ishte pasojë e lodhjes së tepërt të djalit në dasmë. Ajo filloi që të shqetësohej kur pa se i biri nuk mund të rrinte zgjuar dhe ishte tepër i përgjumur edhe kur vetëdijesohej. Rhonda Thompson, gjyshja e Wyatt'it, tregon se djalit i janë bërë tri punkcione lumbale, tri rezonanca magnetike, një MRA, pesë EEG, derisa mjekët tentonin ta zbulonin diagnozën e tij. Mjekët i bënë djalit analiza për parazitë, viruse, baktere dhe sëmundje ngjitëse. Por, që të gjitha analizat dolën negative. Ai u testua edhe për virusin që shkakton encefalitin, por asgjë.

Image result for Wyatt Shaw

I dhanë ilaçe që përdoren për parandalimin e ngërçeve

Mjekët e këtij spitali janë duke bashkëpunuar me Klinikën "Mayo" në Minesota dhe me një ekspert nga Londra, për të marrë vesh se çka kishte mundur ta shkaktonte këtë gjumë të pazakontë te Wyatt. Doktori nga Londra iu kishte thënë se, gjatë karrierës së tij, kishte parë një djalë që kishte fjetur për 10 ditë. Mjekët, si në shaka, thanë se me gjasë Wyatt kishte dashur që ta thyente këtë rekord dhe kishte fjetur 11 ditë. Mjekët i dhanë atij ilaçe që përdoren për parandalimin e ngërçeve dhe, ai u zgjua. Nuk është e qartë a ishte djali duke përjetuar ndonjë sulm (ngërç), meqë të gjitha analizat tregonin valë normale të trurit. Gjumi dhe gjendja e zgjuar kontrollohen nga hipotalamusi, një strukturë që gjendet thellë në tru. Tani Wyatt ndihet më mirë dhe gjendja e tij shëndetësore është duke u përmirësuar, por mjekët nuk e dinë a do t'i përsëritet atij kjo gjendje, apo jo.

(Kosova Sot)