Mazreku: Shkollat profesionale, parakusht për investime nga jashë

  • 19 October 2017 - 21:38
Mazreku: Shkollat profesionale, parakusht për investime nga jashë

Eksperti i ekonomisë dhe ligjërues në Universitetin Publik të Pejës, Ibish Mazreku tha për gazetën,"Kosova Sot" se Kosova ka shumë nevojë për shkollat profesionale që janë bazamenti i zhvillimit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, për të cilat Kosova ka shumë nevojë. "Në Kosovë ka shumë punëkërkues, por e keqja është se shumica e tyre janë të pakualifikuar. Shi për këtë, shkollat profesionale janë një mundësi e mirë për kualifikimin e fuqisë punëtore, rritjen e punësimit tek të rinjtë dhe zhvillimin e vendit në përgjithësi ", vlerëson ai. Mazreku konsideron se shkollat profesionale janë një nga parakushtet për inkurajimin e investimeve të jashtme, sepse pa një fuqi punëtore të kualifikuar, investitorët nuk do të vijnë për të investuar në vendin tonë. "Shifrat e të rinjve, që diplomojnë në universitetet publike dhe private të vendit, janë alarmante, por ata, fatkeqësisht, nuk gjejnë punë, ose po detyrohen që të bëjnë punë që nuk kanë lidhje me profesionin e tyre. Në rastin e shkollave profesionale, punësimi është gati 100 për qind, siç është rasti me Shkollën Profesionale në Prishtinë", theksoi ai. Sipas tij, ka ardhur koha që në të gjitha komunat e Kosovës duhet të ketë së paku një shkollë profesionale që i përshtat rrethanave të komunës. "Në Kosovë mungon një orientim profesional në nivel nacional, nëpërmes të cilit u tregohet të rinjve se sa punëtorë i kërkon nëse e kryejnë një fakultet ose shkollë profesionale. Kjo, sepse përmes orientimit profesional ne u ndihmojmë të rinjve që ta zgjedhin më lehtë profesionin e tyre dhe që ata paraprakisht t'i dinë gjasat për punësim", potencoi Mazreku.

(Kosova Sot)