Edhe Kosova i ka "Saimir Tahirat" e saj

  • 20 October 2017 - 09:05
Edhe Kosova i ka

Pas skandalit që ka shpërthyer në Shqipëri, në lidhjet me ishministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, analistët politikë me të drejtë shtrojnë dyshimin dhe shqetësimin se edhe politika kosovare ngjashëm mund të jetë e lidhur me trafiqet kriminale miliardëshe të drogës si në Shqipëri, por edhe më gjerë. Skandali na kujton faktin se në Kosovë fare lehtë u harrua vjedhja e drogës, dhe e arit në zyrat e Policisë së Kosovës, dhe sot e kësaj dite askush nuk doli para ligjit. Një shpresë e vetme e kapjes së këtyre rrjeteve kriminale shihet tek Gjykata Speciale,pasi Prokuroria në Kosovë as që ka bërë dhe as nuk guxon të bëjë hetime dhe as një hap të vetëm për të zbardhur rrjetet e krimeve të organizuara, që po bëjnë kërdinë ngjashëm me ato në Shqipëri. Analistët konsiderojnë se ish-ministri Saimir Tahiri nuk ishte një fenomen që ra nga qielli, ai shihej edhe në dritë të diellit dhe ishte një produkt direkt i nëntokës kriminale me në krye kryeministrin Edi Rama. Njëjtë është edhe në Kosovë, ku rrjetet e drogës, kontrabandës, korrupsionit, evazionit dhe krimit të organizuar nuk janë raste të ndara, por pjesë e rrjetit të krimit të organizuar të vetë politikës së inkriminuar në ato rrjete kriminale , si në nivelin qendror, po ashtu edhe në atë lokal kriminal.

Image

 

Inkriminimi i thellë i politikës

Analisti politik Gani Qarri thotë se Raporti konfidencial i OSBE-së (Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë), që nga shtatori i vitit 2015, fliste me emra konkretë të deputetëve të Kuvendit dhe politikanë nga të gjitha nivelet dhe të të gjitha partive politike që dyshohen për lidhje kriminale deri tek grupet mafioze në vend dhe jashtë tij. Ai nuk e fsheh dyshimin që një rrjet i tillë të ketë shtrirje edhe në Republikën tonë. "Kjo nuk ndodh vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë, ku politikanët e inkriminuar në korrupsion, trafiqe droge dhe lloje të tjera të krimit të organizuar, janë inkorporuar në bizneset më fitimprurëse dhe kamufluar në grupe interesi e organizata gjithfarë, në të cilat ende po dëshmohet se është tepër e vështirë për t'u hetuar, për t'u zbuluar dhe për t'u vërtetuar fajësia e tyre. Kështu edhe paratë që grumbullojnë me metoda mafioze, ata mund t'i pastrojnë në mënyrë tejet të rafinuar dhe, siç edhe është përfolur disa herë, ata për të pamundësuar hetimet ndaj tyre, pjesën kryesore të pasurive të paligjshme i transferojnë jashtë shtetit në konto të koduara apo edhe regjistrojnë në emër të bashkëfamiljarëve, të afërmeve dhe bashkëpunë- torëve të besueshëm me të cilët edhe mund të ndajnë pjesërisht interesat", theksoi ai. "Shumë nga biznesmenët shqiptarë në Shqipëri dhe në Kosovë, të lidhur me trafiqe të paligjshme dhe krim të organizuar, për të qenë sa më afër njerëzve udhëheqës dhe qendrave të vendosjes dhe për të siguruar në këtë mënyrë sa më mirë pasuritë e tyre, kanë hyrë në politikë, si dhe kanë hapur kompani reale e fiktive për të marrë tenderë publikë dhe për të pastruar kështu më lehtë edhe paratë, pasi edhe sipas Raportit të OSB-së, pastrimi i parave është një nga bizneset më fitimprurëse", tha Qarri për "Kosova Sot". Sipas tij, pastrimi nga të inkriminuarit e tillë është një proces tejet i vështirë, pasi ata kanë depërtuar pothuajse në çdo nivel. "Mjerisht, politikanët e inkriminuar shqiptarë në Shqipëri dhe në Kosovë, jo vetëm se kanë gjetur strehë për vete në politikën e vendeve tona, por ata kanë keqpërdorur edhe postet shtetërore dhe kanë abuzuar keq me pozitat e tyre, duke e kthyer për vite me radhë Shqipërinë dhe Kosovën në plantazh droge, strofull të kriminelëve dhe parajsë ndërkombëtare për zhvillimin e krimit të organizuar", u shpreh Qarri.

Image

 

Me paratë e krimit, blihen votat

Analisti Skënder Kapiti thotë se shikuar realisht gjendja në Shqipëri kryesisht, por edhe në Kosovë, për sa u përket krimit të organizuar, korrupsionit, drogës, kontrabandës dhe evazionit fiskal është shumë e rëndë, më e rëndë se anarkia. "Korrupsioni dhe të gjitha krimet e tjera, të cilat e kanë kapur fillimisht sistemin dhe që tanimë bëjnë ligjin dhe drejtësinë duke e falimentuar kështu shtetin. Fakti që Shqipëria është shndërruar në një kanabistan të drogës, rrjetin e së cilit e drejton dhe e kontrollojnë funksionarë të lartë të drejtësisë, i involvuar dhe ish- ministri i Brendshëm S. Tahiri me kompani tregojnë degradimin skandaloz të qeverisjes dhe tërë sistemit në Shqipëri", theksoi ai. "Përfshirja masive në këtë ndërmarrje kriminale të kultivimit të trafikimit të drogës të organizuar nga mafia e politikës dhe drejtësisë, fatkeqësisht tregon se në Shqipëri dhe në Kosovë, vetë politika me pushtetin, vetë drejtësia dhe paraja e pistë, të tria këto janë vetë krimi që sundon shtetin dhe shoqërinë. Kjo veprimtari kriminale dhe droga është shndërruar në një sëmundje të rëndë sociale. Krimi i montuar në pushtet, në politikë dhe në drejtësi është njëkohësisht edhe shumë i fortë financiarisht, gjë që mundëson dominimin, manipulimin dhe zgjedhjen edhe të politikës dhe të politikanëve. Këtë e deklaroi edhe deputeti dhe ish- kryeministri socialist Pandeli Majko kur deklaroi "se krimi na zgjedh ne....... dhe se është krijuar një shtresë njerëzish që e shesin votën"", tha Skënder Kapiti.

Image

 

Shteti të ndërmarrë veprime emergjente

Analisti Blerim Burjani thotë se do të ishte mirë që vetë Kosova të merret me të gjitha problemet e korrupsionit, tregut të paligjshëm ekonomik, nepotizmit dhe të gjitha formave të grumbulluara antiligjore, dhe jo të pritet nga ndërkombëtarët, qoftë edhe nga një Gjykatë Speciale. "Mendoj që sa më parë duhet bërë veprime bindëse, konkrete, edhe për qytetarët e Kosovës, edhe për bizneset, edhe për të gjitha kategoritë e njerëzve në Kosovë, për të ndryshuar gjendjen aktuale që mbretëron, ndryshe me miqtë ndërkombëtarë nuk do të kenë mirëkuptim. Kjo po vërehet prej ditës në ditë, nuk duhet lënë assesi oligarki financiare dhe përplot njerëz përfitues nga biznesi, njerëzit në këtë shtet merren krejt me politikë, sepse e kanë parë se politika është e vetmja që po e bën shpejtë njeriun të pasur", tha Burjani për "Kosova Sot". Ndërsa, sipas analistit Faton Mehmeti, edhe Kosova ka shumë Saimir Tahira, që janë sinonim i drogës, korrupsionit dhe kapjes së shtetit nga bandat. "Skandali i fundit në Shqipëri shpjegon më së miri atë që të gjithë e dimë; se në Shqipëri udhëheq banda e drogës. E njëjta situatë është edhe në Kosovë, ku njerëz të fuqishëm të politikës janë të lidhur me krimin, prostitucionin, drogën dhe tregtinë e armëve dhe kazinove. Thellimi i hetimit të skandalit të Saimir Tahirit mund të zbardhë edhe lidhjet e mundshme të bandës së Hamilajve të drogës edhe me politikanët në Kosovë", potencoi Ahmeti.

Image

 

Disa familje mafioze kontrollojnë gjithçka

Të njëjtin opinion ndan edhe analisti Reshat Badallaj- "Pa më të voglin dyshim, kam thënë pa reshtur se në Kosovë janë katër -pesë familje mafiozësh, që janë të lidhura me krimin e drogës dhe këto familje janë po ashtu të lidhura ngushtë me shumë banditë dhe kryebanditë që nga majat e shtetit deri te bandat politike. Këta narkomanë i kanë rrugët e hapura dhe pa kurrfarë kontrolli nëpër dogana që hynë pa therë në këmbë. Ky krim është i organizuar tejet mirë dhe me përpikëri nga kriminelët e drogës dhe shtetit kriminal..., po e përsërisë se janë bashkë kriminelët e drogës dhe kriminelët e shtetit", tha Badallaj për "Kosova Sot". Edhe analisti Ragip Guraziu vetëm sa e përforcon një bindje të tillë. "Ministri Saimir Tahiri është një produkt i pritshëm që sjell alkimia e Edi Ramës. Ndryshe, edhe politika në Kosovë, dihet mirëfilli që është politikë e inkriminuar dhe bashkëpunuese me rrjete të tjera kriminale drogash.... Dhe, kjo është arsyeja se dy shtete shqiptare nuk po munden të rehatohen, derisa iu ka futur në palcë një ''DREQ'' i madh dhe nuk po i lë rehat nga lakmia e korrupsionit, drogës, krimet e organizuara, e shumë e shumë të tjera", vlerëson Guraziu për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)