Gurra e peshkut, vend atraktiv edhe për zhvillim të bujqësisë

  • 20 October 2017 - 16:07
Gurra e peshkut, vend atraktiv edhe për zhvillim të bujqësisë

Poslishti i dikurshëm tani ka marrë emërtimin e ri, Gurra. Në këtë fshat fresku të freskon e uji i ftohtë i gurrës rrjedh verë e dimër. Në këtë fshat, fermeri Sallah Islamaj, i frymëzuar nga toka e bereqetshme, pohon se jetohet mirë nga puna e tokës nëse e do punën. Fshati tani dallohet për rritjen e troftës, për shkak të ujit të kristaltë të gurrës. Ai thotë se gurra e rrit peshkun, por edhe është shumë i mirë për pije. Dikur thuhej se ky ujë shëronte dhe sëmundje. Dr. Nexhip Berisha thekson se aty mulliri ka mbetur ende si një trashëgimi e kësaj lashtësie. Edhe Bahti Islamaj merret me bujqësi dhe familja e tij jeton mirë nga puna e duarve të tyre.

Image

 

Burimi më i madh i këtij rajoni

Banorët e këtushëm këtë ujë e përdorin për ujitje, për pije dhe mbi të gjitha tash edhe për rritjen e peshkut. Bimësia që rrethon gurrën i ngjan më shumë burimeve, ndaj me të drejtë është quajtur "gurra". Ai është burimi më i madh dhe më interesant ndër burimet që shpërthejnë rrëzë malit të Sharrit. Sot e kësaj dite ende nuk gëzon statusin e monumentit të natyrës. Thellësia e tij është dy tri metra. Ai ndodhet në hyrje të fshatit, është burim me ujëra të freskëta dhe të ëmbla, i rrethuar me bimësi të dendur dhe me gjelbërim të përhershëm, sepse uji edhe verës ka të njëjtën temperaturë.

Image

 

Kosovës i duhet më shumë zhvillimi i bujqësisë

Dy fermerët e fshatit, Sallah Islamaj dhe Bahti Islamaj, shprehen se toka është shumë e bereqetshme dhe është bukanike. Sallahu ka tokë pune mbi dy hektarë dhe bën një jetë idilike në këtë fshat. Ai mendon se nuk ia vlen të rinjtë të ikin jashtë Kosovës, sepse edhe këtu ka mundësi të jetohet mirë. Ai pastaj tregon se gjatë tërë vitit ka punë dhe përfitime nga toka jonë. Ai është i kënaqur nga përfitimi i punës së tokës dhe pohon se Kosovës i duhet më shumë zhvillimi i bujqësisë. Ndërsa Visar Islamaj, aktivist i këtij fshati, tregon se fermerët e Poslishtit po korrin suksese të konsideruara nga toka bukanike dhe përkushtimi që kanë ndaj tokës së tyre. Ai thotë se këta njerëz i besojnë Zotit dhe tokës së tyre e bashkë me këto dyja i besojnë edhe duarve e djersës së tyre. Poslishti nuk është vetëm i legjendave i legjendave të gjalla dhe të bujqësisë nga ku korren frytet e tyre.

(Kosova Sot)