Biznesin familjar e shndërruan në një perandori miliardëshe

  • 20 October 2017 - 17:44
Biznesin familjar e shndërruan në një perandori miliardëshe

Vëllezërit Richard dhe Robert Sands janë në mesin e 22 miliarderëve të rinj që sivjet janë përfshirë në listën e revistës 'Forbes', të 400 amerikanëve më të pasur. Ata kanë hyrë në këtë listë me një pasuri prej 2.9, respektivisht 2.8 miliardë dollarë. Vëllezërit Sands kanë arsye që të ndihen të kënaqur. Gjatë pesë vjetëve të fundit aksionet e kompanisë së tyre, "Constellation Brands" janë pesëfishuar, derisa vetëm në vitin 2017 kompania e tyre ka shënuar rritje prej 33%.

"Constellation" po ashtu ka të drejtat ekskluzive ndaj biznesit amerikan të birrës

Por, ky biznes familjar pati një fillim shumë më modest. Marvin Sands, i ati i vëllezërve Richard dhe Robert, në vitin 1945 kishte themeluar kompaninë "Canandaigua Wine Company". Deri në vitin 1980, kjo kompani sillte më shumë se 50 milionë dollarë bruto nga shitjet. Përgjatë dekadave, kompania, të cilës më pas iu ndërrua emri në "Constellation Brands", arriti famë botërore, si grumbulluese e fuqishme e verërave. Ndër markat e saj më të njohura tani janë vera "Robert Mondavi" dhe vodka "Svedka". "Constellation" po ashtu ka të drejtat ekskluzive ndaj biznesit amerikan të birrës, "Grupo Modelo", të njohur më së shumti me brendet e tij "Modelo" dhe "Corona".

Punojnë për të mirën e të gjithë aksionarëve

Në fillim të vitit, kompania "Constellation" filloi ta planifikonte blerjen e saj më të madhe të ndonjë kompanie tjetër. Vëllezërit ia kishin vënë syrin një kompanie tjetër familjare, "Brown-Forman". Robert Sands nuk kishte pranuar të deklarohej në lidhje me këtë lajm, por më pas, në muajin maj, kompania "Brown-Forman" deklaroi publikisht se nuk ishte në shitje. Por, kjo nuk e dëmtoi aspak biznesin e kompanisë "Constellation", përkundrazi, gjë që ndikoi edhe në rritjen e pasurisë personale të dy vëllezërve. Kompania e tyre është aksionare, ku dy aksionarët më të mëdhenj janë dy vëllezërit. Por, ata thonë se punojnë për të mirën e të gjithë aksionarëve.

(Kosova Sot)