Politikanët e lidhur me krimin nuk i shpëtojnë ndëshkimit

  • 21 October 2017 - 09:14
Politikanët e lidhur me krimin nuk i shpëtojnë ndëshkimit

Trafiqet e pista lulëzojnë aty ku nuk ka sundim ligji

Pushtetarët frikësohen se do t’u dalin në shesh skandalet

“Zullumet dhe haramet e politikanëve shqiptarë dhe atyre kosovarë do të paguhen dhe ata nuk mund t'i shpëtojnë ndëshkimit. Sundimit të sistemit të KRIMOKRACISË politike, pushtetore dhe asaj të drejtësisë, po i lëkunden themelet e ngritura me krim, korrupsion, vjedhje, grabitje, me drogë dhe me lloj-lloj poshtërsish”, potencoi Skënder Kapiti

Afera e ditëve të fundit në Shqipëri, që tronditi opinionin dhe skenën politike, ku ish-ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri, së shpejti mund të ndodhë që të gjendet në bankën e të akuzuarve, e ka ngjallur debatin edhe në Kosovë, ku analistët dhe njohësit e fushës së drejtësisë hedhin akuzat e tyre në adresë të organeve të drejtësisë se përse bartësit e institucioneve kyçe të saj po i lënë të lirë banditët që kanë qenë në shërbim  të oligarkisë kushtetore. Analistët pyesin se mos vallë drejtësia kosovare po frikësohet se kriminelët mund të  nxjerrin emrat e politikanëve të lartë si në rastin e Shqipërisë, ku banda e drogës nxori emrin e ish-ministrit të Brendshëm në  përgjimet e bëra nga Italia, por që me shpejtësi u dridh nga një 

termet i tillë e gjithë Shqipëria, që nga Qeveria ‘Rama’,  Parlamenti, Prokuroria, Policia e shtetit etj. Analisti Skënder Kapiti, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se patjetër që rezultati i luftës kundër krimit dhe korrupsionit, arrestimi dhe ndëshkimi, që do t’u bëhet zyrtarëve të lartë të krimit dhe të korrupsionit në Shqipëri, tashmë falë miratimit të VETTING-ut do të shtrihet edhe në Kosovë, sepse është e njëjta gjendje shtrirjeje dhe mirëfunksionimi të krimit të organizuar dhe shtetëror edhe atje në Kosovë.

Krimokracisë do t’i vijë fundi

Sipas Kapitit krimet kurrë nuk mund të fshihet dhe as të harrohen, pasi koha i nxjerr ato edhe nga skutat më të thella e më të errëta ku kriminelët mundohen t'i fshehin.“Zullumet dhe haramet e politikanëve shqiptarë dhe atyre kosovarë do të paguhen dhe ata nuk mund t'i shpëtojnë ndëshkimit. Sundimit të sistemit të KRIMOKRACISË politike, pushtetore dhe asaj të drejtësisë po i lëkunden themelet e ngritura me krim, korrupsion, vjedhje, grabitje, me drogë dhe me lloj-lloj poshtërsish”, potencoi ai.“Frikacakët më të mëdhenj janë kriminelët, të cilët ashtu sikurse e bëjnë krimin ashtu dhe shumë lehtësisht kur dalin para drejtësisë dridhen dhe nuk e kanë për asgjë që të "tradhtojnë" e të denoncojnë bashkëpunëtorët dhe padronët e tyre. Kriminelët nuk kanë as karakter, as moral, as nder, as turp  dhe as dinjitet, sepse në të kundërtën po t'i kishin këto cilësi nuk do të ishin kriminalizuar”, vijoi më tutje Kapiti.“Tashmë ligji, VETTING-u dhe aleatët e mëdhenj të shqiptarëve që do e monitorojnë atë do të kapin peshkaqenët e mëdhenj të krimit, ata kriminelë të cilët deri më sot këta si kriminelët dhe kusarët më mëdhenj që kanë politikën, pushtetin dhe drejtësinë në dorë, të cilët kanë ndëshkuar kriminelët "e vegjël", por që tani koha dhe ligji do t'i ndëshkojë ashpër krimet e tyre të rënda e të mëdha”, ka vlerësuar Skënder Kapiti.

 

Të inkriminuarit të ballafaqohen me përgjegjësitë penale

Profesori universitar, Muhamet Kelmendi, ka veçuar se natyrisht që ka raste të tilla, po siç tha kjo varet kryesisht nga raportet dhe konfliktet që janë në kuadër të grupeve kriminale.“Është e qartë se në Shqipëri duhet të veprojë ligji. Një ligj i tillë duhet të zbatohet edhe në Kosovë. Shtetet tona janë shumë keq. I gjithë aparati shtetëror po vuan nga elementët e tillë. Është koha e përgjegjësisë penale të të gjithë të inkriminuarve. Shpresoj në përgjegjësi. I lutem organeve të shtetit që të veprojnë, pasi shoqëria duhet të shërohet”, theksoi për gazetën “Kosova Sot” profesori universitar, Muhamet Kelmendi. Ndërsa, Hasan Preteni nga Qendra për Etikë, Transparencë dhe Integritet thotë shkurt se situata është e ngjashme.“Diferenca është vetëm se tek ne nuk është vetëm droga, por edhe gjërat e tjera si derivatet, cigaret dhe ekonomia joformale”, spikati për gazetën “Kosova Sot” Preteni. 

Lidershipi frikacak nuk përballet dot me bandat

 

Analisti Ali Hertica ka nënvizuar se po frikësohen oligarkët dhe pushtetarët për të kaluarën e tyre. Sipas tij, këtë fenomen mund ta vërejmë në politikën e shtetit kosovar, ku nuk kanë guxim të marrin hapa që t’i qesin para bankave të zeza ata kriminelë, sepse ata mund t’u thonë të kaluarën e lidershipit ku  këtë rast e kemi në Shqipëri, tani me ish-ministrin e Punëve të Brendshme, Saimir Tahirin, dhe rrjetin e tij të bandave kriminale të drogës. “Edhe pse regjimi komunist ka qenë më se i ashpër dhe e udhëhoqi këtë vend, prapëseprapë klima e përgjithshme lë të kuptohet se politika kosovare frikohet nga këto banda që mos po hapet hallka dhe do përmenden edhe emrat e politikëbërësve të tashëm kosovarë në këto afera korruptive që do ta dridhnin shoqërinë kosovare”, potencoi ai. “Në Kosovën e pasluftës po shihet qartë se po zhvillohet në përmasa të mëdha kapitalizmi dhe kjo tregon se brenda figurave politike mund të ketë diçka e cila luhat të gjitha institucionet e shtetit, por tek shoqëria kosovare mungon edhe një ambasador, siç është ai amerikan në Shqipëri, DONALD LU”, deklaroi për gazetën “Kosova Sot” analisti Ali Hertica.

“Në të gjitha shtetet ka grupe të kriminalizuara, por në Kosovë dhe në Shqipëri janë grupet kriminale që janë në pushtet, duke zhvatur çdo gjë që ka shoqëria”, theksoi Ali Hertica

“Ndëshkimi i KRIMOKRACISË së politikës, drejtësisë e biznesit dhe të parasë së pistë si në Shqipëri dhe në Kosovë është çlirim për shtetin, frymëmarrje e lirë për shoqërinë shqiptare, për demokracinë, për ekonominë, është kthim i shpresës te shqiptarët për të jetuar të lirë dhe të mbrojtur nga ligji në atdheun e vet”, u shpreh analisti Skënder Kapiti

(Kosova Sot)