Politikanët pa moral përpijnë sharjet, " armiqtë" bëhen "miq"

  • 23 October 2017 - 07:56
Politikanët pa moral përpijnë sharjet,

Menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve të 22 tetorit dhe bërjes publike të rezultatit zgjedhor për këto zgjedhje lokale, analistët politikë vlerësojnë se nga partitë politike do të harrohen akuzat e ndërsjella të fushatës së nxehtë dhe do të fillojnë negociatat e "rimartesës", për shkak të shumë balotazheve pas publikimit të rezultatit zgjedhor të kësaj të diele. Analistët politikë vlerësojnë se kur është puna te pushteti, tek ndarja e tij copa-copa, të gjithë "armiqtë" bëhen "miq" të mirë me njëri-tjetrin, pavarësisht programit që i dallon mes tyre, pavarësisht premtimeve të dhëna në fushatë, prandaj kjo është dëshmia më e mirë dhe matësi i shkallës së moralit të humbur në politikën kosovare, ku akuzat e partive ndaj njëra-tjetrës për korrupsion dhe krim të organizuar është bërë sikur ta denoncojë hajnihajnin! Tani kjo do të thotë se pa marrë parasysh se cila parti fiton, ato serish do të bëjnë koalicione me ata që deri dje i quanin kriminelë, e për më tepër do të punojnë së bashku për të zhvatur sa më shumë qytetarët dhe shtetin.

Image

 

"Martesat politike", si sallatat franceze

Analisti politik Ymret Reshiti pohon se tanimë dihet se në Kosovë partitë politike nuk kanë moral në politikë dhe 'martesat politike' në zgjedhje për ta marrë pushtetin janë specialitete si sallata franceze. "Kjo praktikë duhet ndaluar nëse dëshirojnë të jenë më afër kontratës me qytetarin sikurse që bëjnë shtetet eurodemokratike. Por Kosova vazhdon t'i mbesë parimit makiavelist, të politikës pa moral, ku 'realizimi i interesit personal' arsyeton përdorimin e çfarëdo mjeti dhe mënyre, qoftë edhe ato të pandershme dhe kundërligjshme. Koalicionet e partive politike në raundin e balotazhit për kryetar komunash më së miri do të shfaqin 'spekulimet për premtimet e dhëna qytetarëve dhe qëllimet e tyre të vërteta'. Në Kosovë asnjëherë nuk ka pasur koalicione të programeve të partive politike, por koalicione kryekëput të interesave personale të liderëve të tyre. Këto koalicione i ngjajnë 'martesave për interesa' të qytetarëve , prandaj 'jeta bashkëshortore e partive politike të kurorëzuara' në këso lloj martesash politike do të jetë e trazuar dhe jo dobiprurëse për qytetarët e Kosovës", theksoi analisti Ymret Reshiti për "Kosova Sot".

Mozaiku politik është ndërtuar mbi bazat e përfitimeve personale

Analisti politik, Skënder Mulliqi, nuk sheh ndonjë ndryshim serioz të gjendjes pas këtyre zgjedhjeve, në të mirë të qytetarit, prandaj ai thotë se edhe në zgjedhjet lokale, sigurisht do të kemi koalicione pas zgjedhore, kur dihet së komunat më të mëdha do të shkojnë në balotazh."Duke përcjellë kronologjinë e gjithë asaj çka ka ndodhur deri më sot, e dimë së partitë politike në Kosovë janë të ndërtuara më shumë në baza të interesit. Kemi pasur koalicione, të cilat janë bërë mbi baza ideologjike, por më shumë në bazë të interesave të ngushta përfituese. Çdo fushatë zgjedhore e deri tash shpërfaqi më shumë apetite për pushtet së sa për mirëqenie të qytetarëve, të cilët me arsye po ndihen të mashtruar. Ky mozaik politik është ndërtuar më shumë mbi bazat e përfitimeve personale dhe të përfitimeve partiake dhe mu për atë edhe nuk i kemi punët mirë në aspektin zhvillimor", është shprehur Mulliqi për "Kosova Sot". Ai thotë se kemi nivel të lartë të krimit dhe të korrupsionit, kemi papunësi të shkallës së lartë, por na kanë goditur edhe shumë dukuri të tjera negative. "Qëmoti partitë tona e kanë humbur moralin politik si virtytin më të lartë në politikë bërje, prandaj edhe koalicionet të cilat po lidhen po bëhen që të ruhen pozitat e larta pushtetare dhe të ruhen bizneset, të cilat i lidhin me njëri- tjetrin", theksoi Mulliqi për "Kosova Sot".

Image

 

Spahiu: Nuk janë normale koalicionet me atë që e ke akuzuar rëndë

Koalicione interesante pas zgjedhore, si proces normal i praktikave edhe nga zgjedhjet e kaluara, pret edhe analisti Nexhmedin Spahiu. "Koalicionet parazgjedhore e pas zgjedhore janë pjesë e demokracisë. Fjalët e rënda që përdoren ndaj njëri-tjetrit janë normale në raste të caktuara, por nuk janë normale koalicionet me atë që e ke akuzuar rëndë. Në kohën kur kam kandiduar për kryetar të Mitrovicës, kam përdorur fjalë të rënda ndaj partisë që e kam pas rivale timen kryesore. Pas zgjedhjeve kam pasur ofertë për koalicion pikërisht nga kjo parti, por për mua ka qenë e turpshme të pranoj, por kjo nuk ka qenë e turpshme për Behgjet Pacollin, i cili edhe e ka bërë një gjë të tillë dhe më ka shkelur mua që isha kandidat i tij", theksoi analisti Nexhmedin Spahiu për "Kosova Sot".

Image

 

Burjani: Do të ketë koalicione të çuditshme

Se në frazën e betejës për balotazh, apo edhe për modalitete të tjera të konfigurimit të ekzekutivit komunal do të harrohen sharjet dhe fyerjet rivale ndërpartiake në fushatë, vetëm për të ndarë kulaçin e pushtetit, është i sigurt edhe analisti Blerim Burjani. "Do të ketë shumë balotazhe në disa bastione të partive politike, por është e qartë se do të ketë balotazhe dhe me këtë edhe shumë befasi, do të ketë koalicione të çuditshme të bazuara vetëm në interesa të skajshme politike, pasurore, sepse procesi zgjedhor dhe politika në Kosovë po nënkuptohet si mundësi potenciale e punësimit të njerëzve, kur të merret parasysh se mbi 75 % të kandidatëve për asamblistë komunalë janë të papunë", theksoi analisti Blerim Burjani. Të pashmangshme i sheh marrëveshjet politike për koalicionet paszgjedhore, nga lakmia për pushtet në këto zgjedhje, edhe profesor Jeton Kelmendi. Ai shembullin më konkret, më të freskët, e ilustron me akuzat e Ramush Haradinajt kundër Pacollit, të cilat u harruan edhe nga njëri edhe nga tjetri kur erdhi dita "D" për ta bërë qeverinë dhe përfituar nga pushteti."Këto parti që janë në Kosovë nuk janë fare parti politike me baza të fuqishme dhe programe parimore, prandaj të gjitha ato sharje e fyerje i kanë dhe i bëjnë për inate primitive ballkanike mes vete dhe jam shumë i sigurt që këto përplasje do t'i tejkalojnë, eventualisht me përjashtim të VV-së, por të tjerat do t'i përpijnë të gjitha sharjet ndaj njëritjetrit, sepse rastin më eklatant dhe shembullin konkret e kemi te sharjet që i ka bërë Ramush Haradinaj ndaj Behgjet Pacollit kur e quan rusofil, ndërkaq ai i kishte ndihmuar për dy milionë euro në kohët e vështira, ndërsa ai tani shkon e i ulet sikur Shehut para këmbëve të tij për ta bërë qeverinë, duke i dhënë shumë pozita ministrore, e bëri edhe zëvendëskryeministër dhe ministër të Jashtëm, pavarësisht se ai nga rezultati zgjedhor doli vetëm me dy deputetë. Kjo tregon më së miri se këto parti tonat politike të shumicës shqiptare nuk kanë fare as parime as moral, prandaj edhe pas rezultatit zgjedhor do të ketë shumë rokada politike e tentativa për të bashkëqeverisur mes tyre në interes të kapjes së pushtetit", theksoi analisti Jeton Kelmendi.

(Kosova Sot)