Nafta ruse me dokumente "false" futet në Kosovë

  • 23 October 2017 - 08:03
Nafta ruse me dokumente

Qeveria e Kosovës qysh në vitin 2014 kishte vendosur sanksione ndaj importit të mallrave të Federatës Ruse, por Doganat e Kosovës po lejojnë importimin e naftës ruse në Kosovë, e cila po importohet nga një pjesë e madhe e kompanive të derivateve të naftës, duke falsifikuar "letrat" se gjoja derivatet e naftës po vijnë në Kosovë nga Serbia apo Bullgaria. Analistët dyshojnë se prapa këtyre kompanive të importit qëndrojnë figura të larta politike dhe të nëntokës dhe se Doganat realisht këto importe të naftës që po bëhen nga Rusia as që tentojnë t'i kontrollojë, e madje për më tepër të tilla importe po dyshohet se më së shumti për nga sasia zhdoganohen në terminalet doganore të të inkriminuarve me nëntokës kriminale. Sipas shënimeve të Doganave të Kosovës, mësohet se në Kosovë brenda një viti importohen rreth 650-700 milionë litra të derivateve të naftës. Veç saj, siç dihet, një pjesë e madhe e derivateve të naftës edhe tash nga çlirimi i vendit po vazhdon që të kontrabandohet. Ata shtojnë pyetjen se deri kur kosovarëve do t'u ofrohen nafta dhe derivatet e naftës ruse, edhe pse një gjë e tillë është e ndaluar me vendim të Qeverisë së Kosovës. Analistët shtrojnë gjithashtu pyetjen se deri kur Dogana do t'i mbyllë sytë para naftës ruse që po hyn me letra të "falsifikuara" dhe po qe se shkon përmes terminaleve doganore të lidhura me nëntokën askush nuk i nguc. Siç dihet, në territorin e Kosovës, më saktësisht në veri të Kosovës, "Nish-Petrol" është në pronësi të kompanisë ruse 'Gazprom Neft', e cila është në listën e kompanive të ndaluara në Kosovë.

Image

 

Stavileci: Nuk ka ndalesë në importin e produkteve ruse, por në eksporte

Lidhur me çështjen, zëdhënësi i Doganave, Adriatik Stavileci, ka thënë për gazetën "Kosova Sot" se nuk ka ndalesë në importin e produkteve ruse, por ka ndalesa në eksport të produkteve drejt Rusisë."Në Kosovë ka zyrtarisht import rreth 700 milionë litra derivate, që është i njëjtë me madhësinë e tregut, pra nuk ka kontrabandë", është shprehur ai. Sipas Stavilecit, nga Serbia importi i naftës që arrin është shumë i ulët dhe brenda një viti kemi vetëm 5-6 për qind të importit të tërësishëm të derivateve në Kosovë. Kreu i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, për "Kosova Sot" theksoi se pas heqjes së trupave inspektuese nga kufijtë e Kosovës e tërë barra dhe përgjegjësia për kontrollimin e cilë- sisë së derivateve të naftës në kufi është te Dogana e Kosovës. Ai ndërkaq sqaroi se e tërë pjesa tjetër e barrës bie mbi Inspektoratin e MTIsë, që është kompetent për monitorimin e cilësisë së naftës brenda tregut të Kosovës. Berjani thotë se kanë informacione se në pjesën veriore të Kosovës operojnë tri kompani që merren me derivate të naftës, por shoqata nuk ka informacione se nga furnizohen ato kompani."Mund të themi lirshëm se edhe puna e kompanisë 'Nish Petrol", që po e zhvillon në Veri të Kosovës, nga ana jonë si shoqatë vlerësohet se përbën një shkelje flagrante të embargos së Kosovës ndaj Federatës Ruse dhe kjo duhet të ndërpritet sa më parë". Edhe përfaqësuesi tjetër nga Kryesia e Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Ramadan Maloku, e pranon se një përqindje e madhe e naftës po importohet nga Serbia dhe Bullgaria, por, faktikisht, origjina e derivateve është nga Rusia. Sipas Malokut, për çdo ditë ka importe të derivateve që po futen qoftë nga veriu i Kosovës, përmes Merdarit apo nga Dheu i Bardhë. Këtë e thonë edhe importuesit që e bëjnë këtë, përmes shtetit të Bullgarisë dhe shtetit të Serbisë, ngase dihet se Serbia ka raporte me shtetin e Rusisë, pra është një derivat me origjinë ruse."Bizneset, edhe pse po mundohen që ta ndërrojnë origjinën e këtyre derivateve, se ajo është nga Ukraina dhe Bullgaria, realisht këto derivate janë nga Rusia", është shprehur ai.

Image

 

Neziraj: ATK-ja të ndërpresë aktivitetin ilegal të kompanisë serbe në veri

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Xhevdet Neziraj, për gazetën "Kosova Sot" theksoi se vetë fakti që disa nga bizneset tona po e injorojnë vendimin e Qeverisë së Kosovës, që është sjellë në vitin 2014, me të cilin Qeveria jonë e asaj kohe kishte vendosur sanksione ndaj mallrave të Federatës Ruse, është për çdo kritikë. Ai thotë se Doganat e Kosovës në asnjë mënyrë nuk duhet që të lejojnë importimin e naftës ruse. Neziraj theksoi se heshtja e Doganave të Kosovës përballë këtij fenomeni lë dyshime të mëdha se pikërisht prapa këtyre kompanive importuese edhe mund të qëndrojnë nën hije dhe fshehurazi ndonjëri nga figurat e larta politike po të nëntokës, sepse nga heshtja e Doganave dhe arsyetimet e tyre realisht lënë vend për të dyshuar se këto importe të naftës që po bëhen nga Rusia, ata as që e kanë guximin që t'i kontrollojnë këto importe", është shprehur ai. "Veç dëmeve që po i bëhen buxhetit të Kosovës, është për t'u habitur se si autoritetet e shtetit të Kosovës po lejojnë që në territorin e Kosovës, në veri të vendit, të zhvillojë pa asnjë problem veprimtarinë e saj kompania serbe 'Nish-Petroll', që është në pronësi të një kompanie ruse", është shprehur ai. Neziraj thekson se autoritetet e Kosovës duhet që sa më parë të ndërpresin aktivitetin ilegal të kësaj kompanie serbe që po e bën në Kosovë, me çka do të ndërpritet edhe futja ilegale e naftës ruse në Kosovë.

Image

 

Badallaj-Zhuriani: "Rrokada në krye të Doganave, në interes të bandave politike"

Analisti Reshat Badallaj-Zhuriani theksoi për "Kosova Sot" se mjeranët, qyqarët, naivët dhe kokëshkretët mendojnë se krerët e Doganave nuk janë të lidhur tepër ngushtë me banditët që nga majat e larta të shtetit dhe kryebanditët e bandave politike. "Këta janë dhe bëjnë pjesë në rrjetin më kriminal kundër shtetit që e kanë shkatërruar buxhetin me miliarda euro. Pra, është i freskët rasti i fundit se si u bë rrokada në krye të Doganave, në interes të bandave politike dhe banditëve e kryebanditëve. Jo vetëm sot, por ata që nuk e dinë, këta matrapazë dhe hajna në krye të Doganave, që nga paslufta e deri më sot, ndajnë pazarin bashkë me këta banditë të strukturave të larta shtetërore", është shprehur ai. "Shikoni sa është e zhvilluar nëntoka kriminale në veri të vendit dhe në pikat e tjera kufitare. Nafta ruse nga larg importohet për në Serbi dhe banditët këndej falsifikojnë letrat, me arsyen se kjo naftë futet nga motrat e saj, Serbia dhe Bullgaria, në Kosovë. Kjo është vështirë të kuptohet, se nuk janë të lidhura me kryebanditët dhe banditët që nga majat e shtetit deri te kryebanditët e haraçexhinjtë e bandave politike. Vetëm një Zot i madh e di sa e sa miliona litra futen ilegalisht, pasi bëhet fjalë për kontrabandistët e majave të larta të shtetit dhe mafio-oligarkët", është shprehur Badallaj. Ai thotë se e keqja më e madhe për vendin tonë është se askush nuk e trazon këtë bandë kriminale të nëntokës, se këtu nuk ka sistem gjyqësor, përkatësisht prokurori. "Këta janë bashkëpunëtorë rusoserbë kundër shtetit të Kosovës", është shprehur ai. Selatin Kaçaniku ('Konsumatori') theksoi për "Kosova Sot" se Dogana do të arsyetohet se nafta deri në kufi arrin me 'letra' të rregullta dhe se ajo nuk merret me hetime."Dogana obligohet të bëjë verifikime shtesë nëse ka dyshime - në veçanti nëse dyshimet adresohen nga ekonomia, tregu, bizneset dhe qytetari konsumator taksapagues - për të cilat kujdeset dhe i mbron Dogana", është shprehur Kaçaniku."Institucionet e shtetit, MTI-ja, MPJ-ja edhe ambasadat e Kosovës, konform të drejtave e obligimeve që dalin nga CEFTA, duhet të alarmojnë mashtrimin e madh që na vjen nga Rusia, jo vetëm me karburante dhe jo vetëm nga Rusia, Serbia, Bullgaria, Spanja, Ukraina", është shprehur Kaçaniku.

(Kosova Sot)