Askush nuk kujdeset për mirëmbajtjen e varrezave

  • 27 July 2015 - 21:26
Askush nuk kujdeset për mirëmbajtjen e varrezave

Komuna e Pejës nuk e paguan sivjet kompaninë “Ambienti”

 “Neve na vjen keq për gjendjen e këtyre varrezave, kërkojmë ndjesë nga qytetarët, por në mungesë të mjeteve, këtë vit nuk kemi mund të vazhdojmë me pastrimin e tyre”, thotë Avdullahu

Një thënie e vjetër thotë se nëse dëshiron të dish më shumë për kulturën dhe traditën e një populli “shko dhe vizito varrezat e tyre”. Nëse i besojmë kësaj thënie, atëherë pejanët nuk mund të krenohen me mënyrën si i trajtojnë vendpushimin e më të dashurve të tyre që tashmë kanë ikur nga kjo botë. Për varrezat e qytetit në Pejë tash e një kohë të gjatë nuk kujdeset askush. Pllakat prej mermeri dhe graniti dhe ndonjë epitaf plot dashuri dhe respekt, është mbuluar nga bari, i cili është zgjatur. Kështu dukeshin varrezat e qytetit edhe në prag të festës së fundit të Bajramit. Janë vetëm pak familjarë që kishin ardhur që t’i pastrojnë nga ferrat dhe bari. Varret ishin mbuluar aq shumë sa duhet një kujtesë e mirë për t’i gjetur ato.

“Kjo është e papranueshme”, thotë një bashkëqytetar, i cili po pastronte varrin e nënës së tij. “Kam ardhur nga mërgata në pushim dhe erdha të vizitoj varrin e nënës”, thotë Xh.Krasniqi. Sipas tij, kjo gjendje e varrezave të qytetit është ofenduese për të vdekurit dhe për të gjallët. “Është e turpshme për neve që edhe pas 15 viteve lirie i kemi lenë në këtë gjendje varrezat e më të afërmve tanë”, thotë Krasniqi, i cili bën fajtor pushtetin lokal dhe Bashkësinë Islame për mungesën e kujdesit adekuat. “Kjo gjendje e mjeruar e varrezave të qytetit më bën të mendoj që të lë “amanet” familjes time kur të vdes që eshtrat të mos m’i bien në Kosovë, në këto varreza që qenkan bërë për turp”, na thotë Krasniqi i revoltuar.(Më gjerësisht mund t'a lexoni në numrin e sotëm të gazetës KOSOVA SOT)