30-vjeçarja kujdeset 24 orë për motrën e saj me sindromën ‘Down’

  • 28 July 2015 - 20:28
30-vjeçarja kujdeset 24 orë për motrën e saj me sindromën ‘Down’

Kur flitet për dashurinë e motrës ndaj motrës, Roxanne Bottrill thotë se ka qenë me shumë fat. Kjo 30-vjeçare nga Rotherhami i Britanisë përkujdeset 24 orë në ditë për motrën e saj më të madhe, Kelly, por thotë se edhe Kelly, faktikisht, kujdeset për të. Me një dallim në moshë prej vetëm 18 muajsh, ato gjithmonë kanë qenë të afërta me njëra-tjetrën, duke u ndihmuar në çdo gjë. Kjo afërsi vetëm sa është forcuar në moshën e rritur: aktualisht, Roxanne përkujdeset 24 orë në ditë për Kelly-n. Për dikë të huaj, kjo mund të duket një sfidë e madhe. Kelly, e cila vuan nga sindroma ‘Down’, ka probleme të shumta shëndetësore, sikur që është verbëria, dëmtimi i dëgjimit, çrregullimi i përpunimit shqisor, si dhe një vrimë në zemër, transmeton Kosova Sot.

Image

Intervenimet e shumta mjekësore

Por, një terapeut i vallëzimit dhe lëvizjeve, kohën që motrat e kalojnë së bashku e përshkruan si “me të vërtetë argëtuese”. Në vend që të ishte burim i rivalitetit midis motrave, lindja e Roxanne-s ka qenë bekim për Kelly-n. Kelly kishte zhvillim të vonuar, por meqë Roxanne është më e re, ato thuajse u zhvilluan në të njëjtën kohë. Më pas, Kelly e ndiqte Roxanne-n, duke e shoqëruar në çdo aktivitet ku ajo shkonte. "Ne gjithmonë kemi bërë atë që ka bërë tjetra. Vazhdimisht kemi mësuar nga njëra-tjetra”, thotë Roxanne, e cila e përshkruan motrën e saj si shumë të kujdesshme dhe të sjellshme. Ajo kujton kohën kur, vitin e kaluar, e kishin dërguar Kelly-n në një shtëpi për persona me aftësi të kufizuara. Roxanne kishte qenë aq e shqetësuar, sa që nuk mund ta errte ditën. Kjo kishte qenë periudha e vetme kur ato kishin qenë të ndara. Më pas Kelly-t i ishte dashur që të bënte intervenime të shumta mjekësore. Edhe pse katarakti thuajse e ka bërë atë tërësisht të verbër, Kelly di si të argëtohet. "Ajo shkon te drita dhe, herë e ndezë, e herë e fikë atë, sikur të ishim në diskotekë”, thotë motra e saj.

Image

 

 

Kur Kelly përfshihet nga paniku, Roxanne e ka shumë të vështirë ta shohë të tillë

Një pjesë e shkakut pse Roxanne ka vendosur që vetë të përkujdeset për motrën e saj, ka të bëjë me faktin se vetëm ajo e kupton tërësisht motrën. “Na janë dashur tridhjetë vjet që të mësojmë të merremi vesh në tërësi”, thotë Roxanne. Meqë Kelly ka probleme edhe me përpunimin e informatave shqisore, ajo di të bëhet tepër nervoze, kur ndodh diçka e papritur. Por, kur është e qetë, ajo është gazmore dhe e relaksuar. Kur Kelly përfshihet nga paniku, Roxanne e ka shumë të vështirë ta shohë të tillë, prandaj ajo ka zhvilluar strategji për t’i ndihmuar motrës në situata të tilla. Njëra ndër ato strategji është ndërveprimi intensiv. “Edhe pse duket e çuditshme, Kelly preferon që të shkojë në ndeshje futbolli, ku brohoritjet nuk i pengojnë aspak”. Një sfidë tjetër, paraqet edhe reagimi i të tjerëve, i njerëzve të panjohur, kur e shohin Kelly-n. Reagimi i njerëzve mund të jetë frustrues. "Ka shumë njerëz që na ofrojnë ndihmë dhe ne jemi mësuar tanimë që t’i injorojmë ata që bëjnë komente të pahijshme”, thotë Roxanne. Si ambasadore lokale e organizatës “Carers UK”, Roxanne do të donte që personat përkujdesës të marrin më shumë mbështetje. Përkundër vështirësive të shumta që janë duke i përjetuar së bashku, kur e pyesin të tjerët se çka pret nga e ardhmja, Roxanne përgjigjet me ngazëllim: "Do të ketë tepër gëzim, pushime dhe ndeja, si dhe udhëtime në Topshop!"

(Kosova Sot)

 

Image