Hoxha akuzon rëndë Komandant Remin: I deleguari i tij mori 2 milionë marka, por kurrë nuk i bleu armët

  • 28 July 2015 - 20:41
Hoxha akuzon rëndë Komandant Remin: I deleguari i tij mori 2 milionë marka, por kurrë nuk i bleu armët

(E plotësuar) “Dy milionë eurot e kërkuar nga Rrusem Mustafa për armatim përfunduan në xhirollogari të njërit nga të deleguarit e tij që t’i marrë ato, e armatimi nuk është blerë kurrë”, ka thënë për Rubikonin njëri nga menaxhuesit e parave të trepërqindshit dhe fondit “Gjithçka për luftën”, Gani Hoxha.

Hoxha ka kërkuar që të hetohen të gjitha paratë që u avulluan, jo vetëm nga Fondi i tre përqindshit, por edhe të “Fondit të Ahenit”, të krijuar nga LDK-ja, “Vendlindja Thërret” dhe atij “ Gjithçka për luftën”.

“Të paktë janë komandantët e luftës që treguan sinqeritet dinjitet dhe nuk i keqpërdorën paratë për luftën”, ka thënë veprimtari, Gani Hoxha.

Për Rubikon të KTV-së, Hoxha ka folur në detaje për paratë e fondeve të ndryshme që u mblodhën në emër të luftës dhe akuzat e tij thotë se i bazon në fakte dhe që të gjithë komandantët ishin të varfër dhe u pasuruan menjëherë pas lufte.

“ Unë vij nga Zvicra dhe atje dokumenti më i rëndësishëm është certifikata e pasurisë familjare. Gati të gjithë komandantët rrjedhin nga familje të thjeshta e të varfra. Ju e dini sa ka të ardhura Kosova dhe unë mendoj se pasurimi i këtyre komandantëve të luftës është i pajustifikueshëm”.

Ai ka rrëfyer një rast kur Rrustem Mustafa i kishte dërguar tre “ekspertë të logjistikës” dhe i kishte kërkuar dy milionë euro për armatim, duke specifikuar se duhen të holla, e jo armatim.
Por ky armatim, sipas Hoxhës, asnjëherë nuk ishte blerë.

“ Ka njerëz që thonë se me këto mjete është blerë armatim dhe sipas tyre është e menduar që ato të dërgohen nëpërmjet një helikopteri të Kryqit të Kuq, e që kinse piloti e paska gabuar hartën ne vend se t’i lëshojë në Potok, armatimin e paska lëshuar në Zubin Potok. E di, dhe ka pasur ushtarë që i kanë kërkuar këto mjete therrë më therrë, e në fakt paratë kishin përfunduar në një bankë të Zagrebit. Personi i ka marrë nga organet e Qeverisë së Kosovës në Vjenë, i ka transferuar në Austri. Ai është arrestuar dhe kjo ka mbetur çështje e pahetuar. Unë nuk dua t’ia përmend emrin, nuk është një person, por ishin tre persona nga zona e Llapit dhe ato mjete kurrë nuk kanë ardhur në Kosovë .”

Hoxha e ka vazhduar rrëfimin e tij, duke shpjeguar se gjatë luftës, Zona e Llapit pikërisht për këtë fakt ka dashur ta eliminojë. 
Ai thotë se gjatë bombardimeve është telefonuar nga zëdhënësi i kësaj Zone duke theksuar se ai është duke e penguar procesin e luftës dhe se mund të përdoren ligjet e luftës.

“ Unë e njihja dhe i thashë: More teveqel, ti dhe Zona jote... “ 
Ndryshe, ai ka bërë të ditur se në Zvicër kanë arritur të realizohen të konvertuara në marka, 103 milionë marka gjatë gjithë kohës kur ka ekzistuar Fondi i trepërqindshit, e që e nënkupton realizimin e mjeteve në 42% nga Zvicra.

Gani Hoxha ka treguar se rreth 24 milionë franga u mblodhën nga aksioni “Gjithçka për luftën”, pasi ishte e pamundur të përdoreshin paratë e trepërqindshit, pasi menaxhoheshin nga zviceranët dhe dihet se ishin mbledhur për humanitet, e jo për luftë.

Ai e ka shprehur habinë e tij për atë që e quan “dekorim të pjesëtarëve të fondit” : “Vendlindja thërret” nga Qeveria e Kosovës, që ia njohu statusin e veteranit të luftës. Sipas tij, ata duhet të vihen para gjyqit për të treguar se ku mbeten paratë e grumbulluara.

Hoxha thotë se përveç fondit “Vendlindja Thërret”, ka qenë i pajustifikueshëm ekzistimi i Fondit të Ahenit, i degës së LDK-së dhe, sipas tij, personat që e kanë menaxhuar atë fond duhet të japin llogari.

Duke qenë kryetar i Unionit të të gjitha fondeve, Gani Hoxha ka treguar se 
pas luftës, 56 milionë euro ishte buxheti i UFORK-ut, i cili, sipas tij, ka kontribuar ne rindërtimin e vendit. Çdo komune i janë ndarë nga 1 milion marka, 5 milionë u ndanë për ndërtimin e fshatit Çabër.

Megjithëse ka thënë se përgjegjësinë e mban Bordi ekzekutiv i Fondit, e respektivisht Bujar Bukoshi, Hoxha theksoi se është dashur që kohë më parë të bëhet barazimi i këtij fondi
Por, ka specifikuar se askush asnjëherë nuk e ka njoftuar se ku kanë mbetur 5.1 milionë eurot që erdhën nga shitja e “Dardani Bankës”, e cila i menaxhonte paratë e trepërqindshit.