Masakra serbe detyroi banorët e Brrutit të shpërngulen në Turqi

  • 07 November 2017 - 18:15
Masakra serbe detyroi banorët e Brrutit të shpërngulen në Turqi

Masakra e Brrutit, në shtator të vitit 1913, kishte përmasat më tragjike në nivel rajoni për nga numri i të mbyturve dhe për nga djegia dhe shkatërrimi i fshatit. Një grup prej 11 femrash, për të mos rënë të gjalla në dorë të dhunuesve serbë, kërcejnë e mbytën në puse. Në mesin e të mbyturve në puse janë evidencuar edhe pesë fëmijë.

Brruti i Opojës ka përjetuar masakrën më të madhe të njohur ndonjëherë në këtë anë dhe sipas profesor Ibrahim Skenderit, Brruti është fshat në veri të Opojës, në ballë të rrugëkalimeve,që lidhin rajonin e Vërrinit me rajonin e Opojës dhe Gorës, një pikë strategjike në të gjitha luftërat brenda shekullit, duke filluar që nga viti 1912, ishte ndër fshatrat më të rrezikuara, veçanërisht në kohën e Luftërave Ballkanike. Edhe brrutasit përjetuan fatin e bashkëkombësve shqiptarë të trojeve etnike të mbetur jashtë shtetit shqiptar të shpallur më 1912. Ata ishin viktima të shpërnguljeve masive, sidomos në Etapën e Dytë (1912-1918), në Etapën e Tretë (1918- 1944) dhe në Etapën e Katërt (1944- 1966), duke u shpërngulur në Turqi. Sipas të dhënave të mbledhura gjatë vitit 1993, me kërkesë të Shoqatës së të Shpërngulurve Shqiptarë në nivel të Kosovës, Dega e saj në Dragash, e udhëhequr nga veprimtari Nuridin Kuteli, në Brrut hulumtuar nga veprimtari Skender Nebiu, na del se në Turqi brenda këtyre etapave të dhunës nga ky fshat janë shpërngulur diku rreth 74 familjarë, kryesisht çifte bashkëshortore me ndonjë fëmijë (jo shtëpi në kuptimin klasik tradicional) dhe 6 individë, ose gjithsej 297 persona të evidentuar. Masakra e Brrutit në shtator 1913 kishte përmasat më tragjike në nivel rajoni për nga numri i të mbyturve dhe për nga djegia dhe shkatërrimi i fshatit. Djegia, vrasjet, dhunimet dhe shpërnguljet ishin pjesë e programeve serbe për shfarosjen e shqiptarëve. Kryengritja antiserbe e shtatorit 1913, ndodhi si reagim i menjëhershëm i shqiptarëve ndaj vendimeve të padrejta të Konferencës së Ambasadorëve në Londër, që tokat shqiptare ia dha Serbisë, si dhe kundër planeve serbe për shpërngulje dhe shkombëtarizim të fshatrave në Opojë e Lumë, shfarosjes së popullatës së këtyre trevave dhe kolonizimit të tyre me serbë.

Ranë në grackën e kasnecëve serbë

Ibrahim Skenderi thotë se masakra e Brrutit dhe djegia e 70 shtëpive të fshatit do të ndodhë disa ditë më vonë, me hyrjen e forcave serbe nga ana e kundërt, nga Bjeshkët e Sharrit. "Popullata ikën në panik drejt fshatrave shqiptare e gorane rrëzë Maleve të Sharrit si në Kosavë, Kapre, Kuk, Blaç e Radeshë. Thuhet se një pjesë e popullatës, duke ndier veten si të pafajshëm dhe të rënë në grackë nga propaganda e kasnecëve serbë se ata që kthehen nuk do t'u digjen shtëpitë, u morën peng dhe pasi u plaçkitën,burrat u renditën në kolonën e vdekjes. Kurse një grup prej 11 femrash për të mos rënë të gjalla në dorë të dhunuesve serbë, kërcejnë e mbytën në puse. Në mesin e të mbyturve në puse janë evidencuar edhe pesë fëmijë", është shprehur ai. Shton se kolona e burrave të fshatit nën përcjellje të kriminelëve të armatosur serbë,niset këmbë Udhës së Rrasës."Kur arrijnë në kthesën e parë te Vidhi i Rrasës, dikush nga kolona thotë: "Ikim burra, ne edhe ashtu jemi të vrarë... Njëri nga dy civilët e panjohur që kishte ditur gjuhën serbe ua përkthen serbëve thirrjen për ikje dhe këtu ndryshon trajtimi ndaj të arrestuarve. Të gjithë burrat në kolonë lidhen mes vete me shokat e brezit dhe drejtohen kah Kodra e Likenit, për të përfunduar rreth maleve të Brrutit në vendin e quajtur Lugi Brisë. Me të arritur te Lugi Brisë, kolona e brrutasve prej 42 vetash pushkatohet. Kufomat digjen me dëllinja dhe bëhen të paidentifikueshme". Mbetjet mortore të të masakruarve varrosën disa ditë më vonë nga bashkëfshatarët,pasi largohen forcat kriminele serbe.

Shpërthimi i kryengritjes

 Rreth kësaj ngjarjeje ka vepruar arsimtari Skender Nebiu, i cili që nga vitet e shtatëdhjeta si student i historisë fillon të mbledhë shënime nga të vjetrit, që sot janë të dhënat e vetme të shkruara, mbase edhe më të besueshme për këtë ngjarje makabër. Kryengritja e shtatorit e vitit 1913 shpërtheu në Lumë dhe udhëhiqej nga Isa Boletini, Qazim Lika, Bajram Curri, Sadik Rama, Elez Isufi, Ramadan Zaskoci etj. Operacionet janë zhvilluar në disa drejtime sipas grupeve:Grupi i parë prej Qafë Thanës në Strugë, Ohër e Resnje. Grupi i dytë prej Arsit në Peshkopi, Dibër e Gostivar. Grupi i tretë prej Ujmishtit, në Bicaj,Vraniq, Pllavë, Brrut, Prizren dhe grupi i katërt prej Gashit në Krasniqe dhe Gjakovë. Gjatë këtyre operacioneve, në tërheqje e sipër forcat serbe bënë masakra në Pllavë, Zym, Bellobrad, Zgatar, Kuklibeg e Bresanë. Ndërkaq, fshati që u dogj e u masakrua më së shumti ishte fshati Brrut. Arsyet pse Brruti është viktimizuar më së tepërmi janë të shumta. Së pari, pozita gjeografike e Brrutit, që e bënte atë vend shumë strategjik në të gjitha luftërat sepse aty ishin udhëkalimet, që lidhnin Prizrenin me Opojën e Gorën. Pastaj, përkrahja, që i dhanë brrutasit formacioneve të Qazim Likës në luftë kundër serbëve duke ndihmuar me ushqim dhe veshmbathje, si dhe përkrahja e ofruar në aksione luftarake e të rinjve nga Brruti. Këtë e dëshmon edhe fakti se nga grupi i të rinjve nga Brruti në një pritë në malet e Brrutit, që kufizojnë me malet e Billushës, vritet oficeri serb i vetmi hipur në kalë. Sipas dëshmive të Nazyf Skenderit, pjesëmarrës në këtë pritë, oficerin e vret njëri nga shenjë- tarët e dalluar, Eqrem Selim Skenderi. Pas vrasjes së oficerit serb, formacionet serbe tërhiqen dhe ikin në panik.

(Kosova Sot)