Skandali i Thaçit, dekoroi ish-ministrin e akuzuar për vrasje

  • 09 November 2017 - 07:49
Skandali i Thaçit, dekoroi ish-ministrin e akuzuar për vrasje

Ndarja e medaljes "Urdhri i Lirisë" nga presidenti Hashim Thaçi për Gramoz Ruçin , ishministër i Brendshëm në kohën e monizmit, i cili në Shqipëri akuzohet për vrasjen e heronjve të parë të demokracisë shqiptare në vitet e rënies së komunizmit, nga analistë politikë po vlerësohet si një veprim skandaloz, i cili e ul vlerën e medaljeve dhe rëndësinë e tyre, medalje të cilat i ndanë presidenti i vendit për personalitete të veçanta, për meritat e tyre kombëtare. Analisti Jeton Kelmendi tha për "Kosova Sot" se mendon që Hashim Thaçi, realisht, krejt karrierën e tij politike e ka ndërtuar mbi kurrizin e të tjerëve, prandaj duhet parë pak historinë e tij dhe pastaj ta gjykojmë edhe veprimin e tij të fundit, ku e dekoroi kreun e Kuvendit të Shqipërisë. "E, nëse i kthehemi figurës së shokut Ruçi, shohim një njeri shumë të komprometuar, sepse është po ai Gramozi i Ramiz Alisë, i cili ishte pjesë e nomenklaturës së partisë dhe po ajo parti vrau shqiptarë të pafajshëm, të cilët nuk mendonin si Partia Komuniste", është shprehur ai.

Image

 

Monistët i ngjajnë njëri-tjetrit

Sipas Kelmendit, këtu na dalin dy figura me biografi të ngjashme. "Që të dy dyshohen për likuidim të kundërshtarëve, vetëm se Ruçi është më i moçëm dhe e shfrytëzoi sistemin, ndërsa Thaçi për fatin tonë lindi dje dhe nuk mundi të sundojë në sistemin monist, edhe pse mendon si i tillë. Thjesht, akranqi shkon te akranqi, thotë populli ynë, pra një Ruç i Kosovës ka dekoruar një Ruç të Shqipërisë. Kjo, nëse analizohet mirë, në shikim të parë nuk thotë gjë të madhe, ama padyshim se ka ndikim, dhe atë jo të vogël, sepse janë viktimat e Ruçit të Shqipërisë, të cilat e përjetojnë rëndë. Ata edhe preken, sepse lloji i këtij Ruçi i dënoi, i vrau e i persekutoi, ndërsa kreu i shtetit të Kosovës po e dekoron këtë njeri!", theksoi ai. "Mendoj se nuk është bërë pa qëllim kjo nga Hashim Thaçi, ngase nuk mund të mos e di ky se kush është Ruçi, por ashtu siç ka filluar Thaçi të na prishë me BE-në dhe me miqtë ndërkombëtarë, ashtu po e përçanë edhe faktorin politik kosovar dhe natyrisht se ky mision i tij nuk mbaron vetëm këtu, por duhet t'i krijojë edhe përçarjet në mes të Shqipërisë dhe Kosovës. Kjo do të mund të jetë motoja e këtij 'njeriu', i cili tash e gati dy dekada po e dëmton qenien kombëtare shqiptare", tha Jeton Kelmendi.

 

Devalvimi i medaljeve presidenciale

Edhe njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare Albinot Maloku e sheh skandaloz këtë veprim, i cili përfundimisht i shndërron dekoratat e presidentit në disa letra pa vlerë. "Ndarja e çmimeve "Urdhri i Lirisë", nga ana e presidentit te Kosovës, Hashim Thaçi, sikur është devalvuar deri në një moment ku edhe çmimit si çmim po i del vlera, nga fakti që ato janë duke u shpërndarë për persona të ndryshëm, sikur ato të ishin karamele. Nisur nga kjo, konsideroj që kjo praktikë nuk do të duhet në asnjë mënyrë të vazhdonte në këtë formë nga fakti që çmimi "Urdhri i Lirisë", nëse atë do ta marrë nga ana e presidentit gjithsecili që hynë e del në zyrën e tij, çmimi si i tillë nuk do ta ketë e as vlerën e vet, as fuqinë e vet dhe as mesazhin e vet", tha Albinot Maloku. Po aq kritik është edhe analisti Ali Hertica. "Edhe dekorimi i Gramoz Ruçit del si i gabuar dhe i paqëlluar, ngase nuk mund të dëshmohet me asgjë që ky personalitet ka kontribuar dhe është angazhuar në atë masë të madhe për pavarësinë e Republikës së Kosovës, për ta ndihmuar shtetin e Kosovës, e as që ka pasur far interesimi. Ky Gramoz Ruçi është vetëm një fytyrë e vjetër enveriste, i cili ka qenë pinjoll i regjimit enverist. Kur një njeriu si Gramoz Ruçit i jepet një dekorim për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës është diçka jo e mirë karshi spektrit politik të Kosovës, që ishte unik në procesin e shpalljes së pavarësisë", tha Hertica për "Kosova Sot".Image result for thaci dekoron gramoz rucin

Presidenti po i keqpërdor kompetencat kushtetuese

Sipas analistit Blerim Burjani, ky veprim i pakontrolluar dhe krejtësisht pa analizë paraprake të meritës së vërtetë në ndarjen e dekoratave nga ana e presidentit dëshmon se dekorimet e Thaçit, ndonëse janë vetëm një pjesë e punës së tij, ai po i shfrytëzon në maksimum dhe po e devalvon peshën e dekoratave, ngase po vepron si kryetar i PDK-së. "Pra, po ka vështirësi në të kuptuarit e kompetencave kushtetuese, që i ka dhe këto gjëra ia kanë vështirësuar edhe ushtrimin e postit, andaj merret me dekorime të ndryshme, me dhënie të medaljeve e dekoratave dhe dhënien e atributeve dhe urdhrave të lirisë e lloj-lloj medaljesh si të ishte kryetar Kampionatit të garave të Lojërave olimpike - kryetar i Olimpiadës, ose kryetar i ndonjë komiteti olimpik. Konsideroj se do të duhej marrë shumë me kujdes disa veprime e disa gjëra, para së gjithash duhet të merren veprime e vendime të drejta", theksoi ai. "Mirëpo, deri më tani Thaçi e ka pasur të pamundur, dhe akoma ka vështirësi ta luajë rolin e një presidenti të unitetit, opozita nuk e dëgjon fare, pra nuk e përfill dhe ai edhe në këto kushte disi duhet ta ushtrojë këtë post edhe me më shumë telashe", potencoi Burjani.

Image result for thaci dekoron gramoz rucin

"Urdhri i Lirisë" u ndahet personaliteteve

Një flakaresh të madhe karshi këtij veprimi të presidentit e jep edhe politologu Arsim Haziri. "Presidenti Thaçi jo rastësisht është figurë-personalitet që mëton skandale dhe përpjekje për të shkaktuar përplasje politike dhe sociale. Ai për gjatë gjithë kohës së qenurit figurë politike, ka promovuar gjuhë degraduese dhe fyese për vendin. Kjo fatkeqësisht u mundësuadëshmua edhe me rastin e dekorimit me "Urdhrin e Lirisë" ndaj kryeparlamentarit të shtetit shqiptar, Gramoz Ruçin", u shpreh ai. "Urdhri i Lirisë u ndahet zakonisht personaliteteve të cilat në kohë emergjente-krize, mendohet se kanë dhënë kontribut dhe përpjekje në konsolidimin e shtetit. Mirëpo, me sa kuptojmë, kryeparlamentari Ruçi nuk njihet për ndonjë përkushtim ose mbështetje në çështjen e statusit të Kosovës, procesit tranzicional, ashtu edhe arritjeve të tjera të Kosovës. Kështu që, dekorimi me atë titull prej presidentit aktual të Kosovës është i pavend dhe joreflektuese në kuptimin pozitiv. Këtu konsideroj se Presidenca jonë ia ka huqur në dekorimin e tij, ia ka huqur duke e afirmuar atë si meritor në çështjet e ndjeshme", vijoi më tej Haziri. "Presidenti Thaçi me këtë veprim prej një naivi ka shpërfaqur karakterin e tij prej një politikani të pavërtetë dhe të papranueshëm për qytetarë. Kryeparlamentari Ruçi, duke qenë një funksionar i lartë komunist, si dhe duke qenë në njërin prej resorëve më të rëndësishëm të shtetit në qeverinë e Fatos Nanos, ai s'mund të jetë figurë e pranueshme për shtetin tonë, kjo vihet në theks edhe për urrejtjen që ekziston në shtetin shqiptar dhe veprimet të cilat i kishte zhvilluar përgjatë kohës së udhëheqjes në Ministrinë e Brendshme", potencoi ai. "Presidenti aktuale ka qenë dashur të ishte më vigjilent për vlerësimin institucional, për historinë e tij prej një politikani të pandërgjegjshëm", tha Arsim Haziri.

(Kosova Sot)