Klani "Pronto" ndal yryshin e Haradinajt

  • 13 November 2017 - 08:25
Klani

SHKARKIMET E KRYEMINISTRIT PRISHIN INTERESAT E PARTNERIT NË KOALICION, PDK-së
Reshiti: Shkapja e shtetit nuk mund të bëhet përderisa PDK-ja është në pushtet

"Ndalesa e Haradinajt në shkarkimet e mëtutjeshme të njerëzve të dyshimtë e të dështuar në borde e agjenci, në komisione e kompani, ambasada e konsullata, është një tregues që na bën të dyshojmë se PDKja e ka kërcënuar me prishje të koalicionit qeverisës, prandaj edhe e ka detyruar të tërhiqet nga veprimet e tilla, gjegjësisht mosrrëzimin e njerëzve të saj në borde e kompani, në agjenci e ambasada, të emëruar në vazhdimësi që nga viti 2008 e deri në ditët e sotme", është shprehur analisti Florim Zeqa

Ndonëse fillimi i shkarkimeve të para nga kryeministri Haradinaj, të disa njerëzve të klientelave të kaluara politike nëpër institucione, u pa si veprim i qëlluar dhe shpresëdhënës, për t'i dhënë vendit një qeverisje më të mirë, ndalimi i shpejtë i këtyre veprimeve tani nga analistët politikë po shihet si një tregues që na bën të dyshojmë se PDK-ja e ka kërcënuar me prishje të Qeverisë, prandaj edhe e ka ndaluar të bëjë më tutje veprime të tilla, rrëzimin e njerëzve të saj në borde e kompani, në agjenci e ambasada, ku kanë bërë krime të papara e të pandëshkuara deri tash, ose që nga 2008-a. Sipas analistit Florim Zeqa, ditët e para të qeverisjes "Haradinaj" ishin shpresëdhënëse për ndryshimin e kursit qeverisës në vend. Ai thotë se fillimisht ishte shkarkimi i kryetarit të komisionit qeveritar për demarkimin e kufirit me Malin e Zi, zotit Murat Mehaj, që ishte një sihariq i mirë dhe shkëndijë shprese për qytetarët se më në fund do t'u ndalet hovi emërimeve të kundërligjshme e joprofesionale, por edhe disa shkarkime të tjera, që nuk po vazhdojnë tash e tutje. "Mirëpo, siç duket, një veprim i tillë i nxituar i Haradinajt i ka hidhëruar tej mase zyrtarët e partnerit më të madh qeverisës (PDK-së). Ndalesa e Haradinajt në shkarkimet e mëtutjeshme të njerëzve të dyshimtë e të dështuar në borde e agjenci, në komisione e kompani, ambasada e konsullata, është një tregues që na bën të dyshojmë se PDK-ja e ka kërcënuar me prishje të koalicionit qeverisës, prandaj edhe e ka detyruar të tërhiqet nga veprimet e tilla, gjegjësisht mosrrëzimin e njerëzve të saj në borde e kompani, në agjenci e ambasada, të emëruar në vazhdimësi që nga 2008- ta e deri në ditët e sotme. Mbase sfidues për kryeministrin Haradinaj do të jetë edhe "balo(sh)tazhi i 19 nëntorit 2017 për kryetar komunash. Edhe përkundër mundësisë së fitimit të ndonjë komune të vogël ku AAK-ja është në balo(sh)tazh me PDK-në, do të jetë 'mollë e ndaluar' për Haradinajn, për faktin se prishja eventuale e ekuilibrit të PDK-së në nivelin lokal këtij të fundit do t'i kushtojë me humbje të pushtetit qendror", theksoi analisti Florim Zeqa për "Kosova Sot".

Luhatja e karriges

Analisti Reshat Badallaj vlerëson se Ramush Haradinaj, që u zgjodh kryeministër me pazaret e krahut të luftës, e nisi punën me yrysh, kinse për t´i treguar popullit se ka filluar të lëvizë diçka në të mirë të vendit, por shpejt u zmbraps nga veprimet e tilla sepse dikush i doli kryq në rrugë."Bile, e kishte marrë një shpuzë për t´i larë dritaret që i kishin bërë pis disa rrugaçë. Nuk shiten këto dallavere në këtë kohë, sepse tashmë është vetëdijesuar populli dhe se u ka dalë boja këtyre politikanëve dhe nuk u beson kush më. Ramush Haradinaj filloi shkarkimet, duke harruar se e ka bishtin e zënë me derë, por nuk i shkoi gjatë dhe u dorëzua shumë turpshëm, duke i treguar klani 'Pronto' se mos prek në këtë oborr se i ke ditët e numëruara. Ramush Haradinaj lëshon pe dhe çdo gjë kur është në pyetje luhatja e karriges së tij". Edhe sipas analistit Ragip Guraziu, Haradinaj e nisi mirë, por keq do ta përfundojë këtë përpjekje, sepse një hov i shkarkimeve nga kryeministri Haradinaj ishte i pamenduar mirë ku kemi të bëjmë me shkarkime të bosëve të PDK-së. "Hovi i ndaluar i shkarkimeve të disa emërimeve të kundërligjshme e joprofesionale me të cilat e nisi Haradinaj punën si kryeministër në javët e para, u ndalua sepse ai u frikë- sua sadopak se dikush i ngrehi 'veshin' , se iu bë me dije se shkarkimeve do t'ua shohë sherrin kryeministri,që mirë ia nisi e më vonë u detyrua të heqë dorë nga shkarkimet e vrullshme, e që mendonte se kështu me këtë avaz të shkarkimeve do ta bindte qytetarin se ai tani është bosi i bosëve dhe se ai tani e ka në dorë Qeverinë", është shprehur Guraziu. Ai shton se kjo ndalesë e Haradinajt është një tregues që na bën të dyshojmë se PDK-ja e ka kërcënuar me prishje të Qeverisë, prandaj edhe e ka ndaluar të bëjë më tutje veprime të tilla, rrëzimin e njerëzve të saj në borde e kompani, në agjenci e ambasada, ku kanë bërë krime të papara e të pandëshkuara deri tash e një dekadë.

Mulliqi: Kryeministri duhet të jetë këmbëngulës në veprimet e veta

Analisti politik Ymret Reshiti thotë për "Kosova Sot" se në këtë rast duhet për shembull ai parimi sipas të cilit thuhet se aty ku ka shumë fjalë zakonisht ka pak vepra, prandaj edhe nuk shkuan lëvizjet më tutje."Kjo qeveri për të mbuluar shumë defekte dhe paralajmërimet për dështimin e saj, që në fillim pati pompozitet premtimesh. Shkapja e shtetit nuk mund të bëhet përderisa PDK -ja është në pushtet", tha ai. Profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi, megjithatë beson se është tani vetëm një fazë e "pushimit", sepse veprimet e kryeministrit për t'i dhënë vendit qeverisje më të mirë do të vazhdojnë edhe në ditët dhe muajt në vijim. "Nuk mendoj se kryeministri do të ndalet nga rruga e ndërtimit të shtetit të së drejtës. Nuk ka absolutisht asnjë shkak që të ndalet". Kryeministri është në kërkim të ekzaminimit të gjendjes nëpër agjenci dhe në borde, sikundër edhe në ambasadat etj.", është shprehur Kelmendi. Sidoqoftë, ai thotë se vështirësitë në këtë proces megjithatë janë evidente."Natyrisht se vështirësitë po bëhen në fushën e përmbushjes së organeve me njerëz të partisë tjetër. Koalicionistët kanë interesa të ndryshme. Interesa karrieriste, ato lokale e fisnore, dhe mbi të gjitha interesa financiare. Mbi këto parime po ndërtohen edhe disa organe të shtetit dhe për këtë arsye është shumë vështirë të veprohet nga Qeveria e vendit", pohoi Muhamet Kelmendi. Sipas analistit Skënder Mulliqi, nisma e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, për shkarkime të bordeve të ndryshme, të cilat konsiderohet së nuk punuan mirë, ishte nismë e qëlluar që nuk do të duhej ndaluar. "Tek e fundit duhet bërë ndryshime në të gjithë sektorët e jetës që këto të freskohen më njerëz të rinj, të cilët nuk kanë afera korruptive. Pas komisionit për Demarkacion, shefi i ekzekutivit ka kërkuar që të shkarkohet edhe Bordi e Agjencisë së Akreditimit në Ministrinë e Arsimit, duke pasur parasysh së procesi i akreditimit deri më tash është zhvilluar me parregullsi serioze. Shkarkimi i Bordit të QKUK-së është mesazh i qartë për të gjithë. Sigurisht se PDK-së nuk i pëlqejnë shkarkimet e tilla edhe për faktin se me këto shkarkime dobësohet ajo në vendimmarrje. Ka mundësi që në mënyrë interne kryeministrit i është bërë me dije që mos ta kalojë vijën e kuqe, se mund të vjen deri të prishja e koalicionit. PDK-ja nuk dëshiron t'i prehet zinxhiri i klanit "Pronto" për rehatimin e njerëzve të vet, pa marrë parasysh përgatitjen profesionale. Kryeministri Ramush Haradinaj sigurisht se ka pasur synime që të spastrohet i gjithë aparati shtetëror nga njerëzit e burokratizuar në pozita të larta pushtetare, si dhe në ambasada të ndryshme, kur dihet së na ndodhën shumë dështime në diplomacinë e jashtme gjatë këtyre viteve dhe madje patëm edhe incidente të ndryshme, të cilat e prishën shumë imazhin e Kosovës. Sido që të jetë, kryeministri duhet të jetë këmbëngulës në veprimet veta, duke i shfrytëzuar kompetencat për të vepruar gjithkund ku nevojitet, sepse pa reforma në mbarë sistemin nuk pritet të ndodhin ndryshme pozitive në vend", theksoi Skënder Mulliqi.

Mehmeti: Shkarkimet në baza partiake i shërbejnë PDK-së si pretekst për të kritikuar AAK-në

Analisti Faton Mehmeti konsideron se tashmë dihet se në mes të AAK-së dhe PDK-së ka pakënaqësi të shumta në koalicionin qeverisës dhe këtu mund të jetë pengesa e veprimit nga ana e Haradinajt, ndonëse mbipunësimet si proces i rehatimit të militantëve politikë do të vazhdojnë pa u hutuar nga të dyja palët. "Kjo, shto edhe deklaratën e Thaçit për Demarkacion, veç sa rikonfirmon ndasitë e thella që kanë kapluar këtë koalicion. Në veçanti emërimet politike në numër enorm të zv. ministrave dhe shkarkimet në baza partiake i shërbejnë PDK-së si pretekst për të kritikuar AAK-në. Kjo e fundit po tenton të fuqizojë rolin e saj në qeveri me shtim të militantëve të saj, ndërkohë që PDK-ja nuk e pranon të jetë minore në rolin e saj në qeveri. Kjo i shton tensionet mes tyre, duke lënë të kuptohet se këto tensione veç sa do të shtohen në të ardhmen, edhe pse Ramushi ka stopuar emërimet dhe shkarkimet brenda Qeverisë. Ky koalicion s'ka jetë të gjatë, ndërkohë që PDK-ja dhe AAK-ja po bëjnë garë se cila të paraqitet engjëlli para popullit, ndërkohë që tjetra të dalë djalli. Këtu është gara dhe jo se sa do të zgjasë ky koalicion. Duhet shtuar se këtu edhe Gjykata Speciale do të jetë grushti fundit që do të marrë kjo qeveri dhe deri atëherë mbi punësimet do të vazhdojnë, edhe pse jo publikisht. Të dyja partitë e mëdha në koalicion do të mundohen të determinojnë njëratjetrën për të mbajtur timonin e qeverisjes", theksoi Faton Mehmeti. Analisti Gani Qarri thekson se fatkeqësisht ajo që filloi si shpresë e madhe për çrrënjosjen e korrupsionit, njerëzve të mafisë e keqqeverisjes, si dhe veprimeve të tjera antiligjore në vend, u ndal shumë shpejt dhe pa i shkuar të keqes deri në fund. Ai shprehet se madje as aksioni i nisur mirë e efektiv për zhbërjen e emërimeve të kundërligjshme e joprofesionale nga qeveritë e kaluara, që në javët e para të ardhjes së Haradinajt si kryeministër, nuk mundi të vazhdojë. "Por një shkarkim i mbetur peng, i cili për të mirën e vendit, gjithsesi dhe pa vonuar duhet të ndodhë, mbetet shkarkimi i Behgjet Pacollit, të cilit, duke pasur parasysh të kaluarën e tij të palakmueshme, kolaborimin e pandërprerë me qeveritë ruse, afrinë aq të madhe me Selim Broshën, përfoljet për involvim edhe në vrasjen e vëllezërve Gërvalla e të Kadri Zekës, shprehjet e tij jo fort të largëta, se kinse e ardhmja e rajonit varet nga Serbia dhe Kosova nuk mundet pa Serbinë, tendencat më të reja që edhe në vend të Universitetit të Prishtinës të ngritët një qendër islamike, vërtet janë tepër dhe shumë më të mëdha sa që atij të mund t'i besohen pozita me kaq shumë përgjegjësi shtetërore si detyra e zëvendëskryeministrit të parë dhe ministrit të Jashtëm, edhe në Kosovën e lirë", është shprehur ai."Megjithatë, dhe përkundër krejt përpjekjeve të mirëpritura nga opinioni vendor, shihet qartë se në Kosovë ende ka grupe të forta mafioze, kryetarë partish dhe pushtetarë të lartë të inkriminuar, të cilët nuk zgjedhin mjete as mënyra që veprimtaritë keqbërëse të kriminelëve të maskuar me kostumet e politikës, të mos ndalojnë, por të vazhdojnë dhe ata të luajnë edhe më tej, si deri më tani, me fatin e shtetit dhe popullit të Kosovës", është shprehur ai.

(Kosova Sot)