Shpendi po e kërkon mandatin e dytë, për t'i fshehur gjurmët e krimit ekonomik

  • 14 November 2017 - 07:42
Shpendi po e kërkon mandatin  e dytë, për t'i fshehur gjurmët e krimit ekonomik

QYTETARËT TË VETËDIJËSOHEN E TA NDËSHKOJNË KRYETARIN MASHTRUES ME VOTËN KUNDËR

Badallaj: "Shpend Ahmeti, kur është në rrezik të humbë pushtetin, hyn në lojë me dreqin e të birin, duke mos përjashtuar as serbo-rusët, si në këtë rast me Pacollët, të cilët deri dje nuk linin gjë pa i sharë, si më të inkriminuarit"

"Shpend Ahmeti do të tentojë edhe një herë që me çdo çmim ta fitojë e të sundojë kryeqytetin, për t'i fshehur dhe për t'i fshirë gjurmët e krimit ekonomik që e ka shkaktuar për këto katër vjetët e kaluar, duke e mbuluar atë me katër vjetët e ardhshëm. Mirëpo, unë besoj se qytetarët e Prishtinës e kanë identifikuar këtë qëllim mashtrues të Shpend Ahmetit dhe nuk do t'ia mundësojnë një qëllim të tillë të dytë , por do ta ndëshkojnë fuqishëm me votën e tyre KUNDËR në zgjedhjet për balotazh, më 19 nëntor", thotë për gazetën "Kosova Sot" analisti Reshat Sahitaj

Kandidatët për kryetar komunash, të cilët nuk arritën të fitojnë garën në rundin e parë të zgjedhjeve, që nga dita e djeshme i kanë pesë ditë shtesë fushatë zyrtare zgjedhore për t'i bindur votuesit e tyre se kush e meriton të qeverisë komunën përkatëse pas ballafaqimit me kundërkandidatin në garën e balotazhit. Një garë e ashpër tani do të zhvillohet edhe në Prishtinë, për të parin e Komunës së Prishtinës , në mes të kryetarit në ikje, Shpend Ahmeti, dhe kandidatit të LDK-së, Arban Abrashi. Analistët politikë, duke kujtuar katër vjet të keqqeverisjes së Shpend Ahmetit, por edhe përpjekjet e tij në debatet e deritanishme publike në media për të mashtruar e gënjyer opinionin prishtinas me gënjeshtra nga më të ndryshmet, besojnë me shumë siguri, që këtë herë votuesi do ta ndëshkojë qeverisjen e tij dhe nuk do t'i japë edhe një shans të dytë për ta shkatërruar kryeqytetin se bashku me krimin e organizuar të nëntokës kriminale të Prishtinës e më gjerë. E kaluara e Shpend Ahmetit në krye të Komunës së Prishtinës, sipas analistëve, nuk ishte gjë tjetër veç dëshmi për një njeri që ishte e është i inkriminuar thellë në krimin e organizuar dhe që gjatë gjithë mandatit katërvjeçar realisht ka bërë tregti të paligjshme me licenca, leje ndërtimi e tenderë milionësh për interesa të tij personale, të sejmenëve të tij të inkriminuar nga klani i kriminalizuar "Pronto" plus e të financuar nga vëllezërit Devolli. Analistët vlerësojnë se sidomos në marrëveshjen për garë të përbashkët në balotazh me Selim Pacollin e AKR-së u dëshmua më së miri aftësia e tij hipokrite e mashtruese se pikërisht për të fituar pozitë pushteti të kriminalizuar ai bëri PAZAR edhe me Rrahim Pacollin, njeriun më të afërt e të tejinkriminuar të Hashim Thaçit dhe Behgjet Pacollit dhe se për pozitë pushteti e krimi Shpend Ahmeti do të ishte gati që edhe me Hashim Thaçin të bënte pazar të tillë te kriminalizuar. Edhe përkundër pyetjeve të dërguara Komunës së Prishtinës dhe Shpend Ahmetit, si zakonisht, as kësaj radhe nuk iu përgjigjen pyetjeve të gazetarit.

Pasurimi korruptiv i komunarëve

Mesazh kundër mbështetjes së Shpend Ahmetit, mashtrues për katër vite në raport me zotimet e tij për qytetarin, dërgon edhe analisti Reshat Badallaj. Ai thotë se për më tepër qytetarët nuk duhet ta votojnë një kandidat që shumë shpejt pritet të marrë në dorë aktakuzën nga Prokuroria Speciale e Shtetit për shumë veprime të paligjshme gjate mandatit te kriminalizuar katërvjeçar. "Ky rrenacak dhe mashtrues gjatë gjithë mandatit të tij qeverisi si jo më keq kryeqendrën e Kosovës, me dallavere shëtitje natën nëpër pub-e, mashtronte qytetarët me 'Facebook', kinse është duke punuar për interesat e tyre, në fakt ky derdimen dhe karafil punonte shumë vetëm për interesa të tij personale dhe sejmenëve kriminelë aty rrotull që i kishte. Ka bërë një sërë veprash penale, duke shitur leje ndërtimi, duke falur tokat në zemër të Prishtinës, si të ishin tokat e babës së tij, iku tinëzisht për ryshfete dhe para të kontrabandës dhe të pista, natën pa hënë, larg syve të popullit, jo në tokë po në ujërat e thella të Serbosllavisë për t'u takuar me bandën famëkeqe serbiane që quhet Devolli, shkatërrimtarja me e madhe e vendit, dhe duke importuar mallra 90% nga Serbia fashiste, të dyshimta dhe me simptome kancerogjene, por të mos flasim për mallra të mykura dhe me afate të skaduar", theksoi Badallaj. Ai potencon se ndëshkimi i drejtësisë duhet të bjerë në grupin e tërë e jo vetëm mbi Shpend Ahmetin. "Shpend Ahmeti me Dardan Sejdiun, Liburn Aliun dhe jo vetëm me këta, kanë bërë pazaret më të pista e kriminale me mafio-oligarkë të tjerë që Kosovën e kanë në dorë për interesa të tyre personale, duke u pasuruar hajnisht dhe duke u bërë të kamur që deri dje ishin leckamanë dhe punonin me rrogë për bukën e gojës, ose ishin të papunë fare. Këta faqezinj populli i kuptoi dhe i pa dhe mu për këtë ua ktheu shpinën këtyre bashibozukëve dhe i ra shuplakë të fortë të turpit dhe bëri që të futen në balotazh", u shpreh Reshat Badallaj. 

QARRI: SHPENDI, PËR RUAJTJEN E POZITËS NË PUSHTET, ËSHTË NË GJENDJE TË BËJË PAZARE EDHE ME HASHIM THAÇIN PËR T'U GJENDUR NË SHTRATIN E TIJ TË KRIMIT!

Analisti politik Gani Qarri thotë se në asnjë mënyrë dhe për asnjë çmim qytetarët e Prishtinës nuk do të duhej të mashtroheshin kësaj radhe, sikur që u mashtruan para katër vjetësh, duke i besuar dhe duke shpresuar në premtimet e Shpend Ahmetit. "Përfundimisht u dëshmua se edhe kryetari në ikje i Prishtinës, Shpend Ahmeti, në fakt gjatë gjithë mandatit katërvjeçar, më tepër ka bërë tregti të paligjshme me licenca, leje ndërtimi e tenderë milionësh për interesa të tij personale dhe të partisë, së cilës iu ka mveshur, sejmenëve të inkriminuar, si Dardan Sejdiu e Liburn Aliu dhe mafio-oligarkëve të tjerë, me të cilët bashkëpunon ngushtë VV-ja. Gjithashtu po shihet edhe tendenca hipokrite e mashtruese e VV-së për të fituar pozitë pushteti të kriminalizuar, e cila së fundi bëri PAZAR edhe me Rrahim Pacollin, njeriun më të afërt e të inkriminuar të Hashim Thaçit dhe Behgjet Pacollit dhe se edhe vetë Shpendi për ruajtjen e pozitës në pushtet është në gjendje të bëjë pazare edhe me Hashim Thaçin për t'u gjendur në shtratin e tij të krimit. Qytetarët doemos duhet t'i ndëshkojnë me votën popullore dhe të votojnë KUNDËR synimit hileqar, mashtrues e gënjeshtar që VV-ja po e dëshmon dhe meriton kohët e fundit, duke lidhur marrëveshje joparimore me dreqin e të birin, ndonëse për katër vjet u dëshmua me pushtetin e saj shkatërrues e të dëmshëm për qytetarët dhe kryeqytetin e kequrbanizuar ", u shpreh ai. "Shpend Ahmeti dhe VV-ja nuk po zgjedhin mënyrë as mjete për ta mbajtur me çdo kusht pushtetin mbi Prishtinën edhe për një mandat, përderisa prishtinasit po shihet se nuk e duan më VV-në as edhe një ditë, as Shpend Ahmetin e dështuar, siç nuk e duan as AKR-në e kriminalizuar, të cilët tanimë kanë lidhur edhe koalicion ndërmjet veti. Kjo edhe nga fakti i përvojës së hidhur me VV-në dhe Shpend Ahmetin, të cilët po gjejnë gjuhë aq të përbashkët me mafio-oligarkët e krimit te organizuar më të mëdhenj në vend, si janë vëllezërit Devolli dhe të inkriminuar të tjerë, duke ia vënë kapakun së fundmi me njeriun që deri dje vetë VV-ja e quante zhvatës, kriminel e rusofil, Rrahim e Behxhet Pacollin, i cili edhe ashtu përveçse për interesat personale dhe klanit të inkriminuar te Pacollëve nuk punon për asgjë tjetër në Kosovë", thotë analisti Gani Qarri për "Kosova Sot".

VV-ja me Shpendin u zhyt në batakun biznesor kriminale!

Edhe analisti Dardan Grapci vlerëson se inkriminimi i Shpend Ahmetit në krim të organizuar është dëshmuar qysh në dy vitet e fundit të mandatit të tij, duke u jaranisë me kriminelët e 'Vetëvendosjes', siç janë Dardan Sejdiu dhe Liburn Aliu dhe shumë të tjerë, duke bërë marrëveshje marramendëse me korporatën DEVOLLI, duke harxhuar mijëra euro vetëm për qejfet e tij dhe duke shëtitur me jahtet luksoze. "Duke e thënë opinionin tim personal, unë them që Rrahim Pacolli ka gabuar që ka pranuar të jetë një ndihmës i Shpendit, duke e ditur që Shpendi i shfrytëzon njerëzit me kapital për interesat e tij personale, Rrahim Pacolli duhet të distancohet nga PAZARLLAKU korruptues me Shpendin, dhe mos të bjerë viktimë i tij, duke bërë kontrata që kushtojnë miliona euro, kinse për ta rregulluar dhe shpëtuar PRISHTINËN nga kriza ekonomike dhe ndërtimi i egër, kur e dimë që vetë Shpendi po jep leje në mënyrë të pakontrolluar që një kompani të ndërtojë ndërtesa apo objekte në vende ku ndoshta është edhe ndaluar me rregullore e ligje ", tha Grapci për "Kosova Sot". Pavarësisht pazarit korruptiv me Pacollët, Grapci pret ndëshkimin dhe debaklin e madh të Shpend Ahmetit dhe ekipit të tij më 19 nëntor. "Kuptohet që qytetarët e Prishtinës, më 19 nëntor, kur edhe do të mbahet rundi i dytë i zgjedhjeve, do të ndëshkojnë Shpendin dhe VV-në si asnjëherë më parë, duke ia dhënë votën kandidatit nga radhët e LDK-së, Arban Abrashit", theksoi ai. 

Ahmeti synon të mbulojë krimin

Pritje të ndëshkimit me votë nga qytetari i Kosovës për ekipin e VV-së, në krye me Shpend Ahmetin, ka edhe analisti Ragip Guraziu. "Tani çka i duhet Prishtinës një i inkriminuar i tillë si Shpend Ahmeti me ekipin e tij, kur me të tillët duhet të merret tani e tutje vetëm Prokuroria Speciale e shtetit , duke u bazuar në disa dhjetëra kallëzime penale për vepra penale. Prishtina me njerëz, kryetar dhe qeverisje si Shpend Ahmeti dhe klika e tij të inkriminuar thellë në krimin e organizuar dhe që gjatë gjithë mandatit katërvjeçar realisht ka bërë tregti të paligjshme me licenca, leje ndërtimi e tenderë milionësh për interesa të tij personale, të sejmenëve të tij të inkriminuar si Dardan Sejdiu dhe Liburn Aliu dhe mafio-oligarkët e tjerë të VV-së", u shpreh ai. "Këtu u dëshmuan fare mirë edhe aftësia e tij hipokrite e mashtruese se për të fituar pozitë pushteti të kriminalizuar ai është gati të bëjë gjithçka, prandaj bëri PAZAR edhe me Rrahim Pacollin, njeriun më të afërt e të inkriminuar të Hashim Thaçit dhe Behgjet Pacollit dhe se për pozitë pushteti edhe me Hashim Thaçin do të bënin PAZAR ne dobi te krimit te organizuar. Tani është e logjikshme dhe e drejtë të pritet që më 19 nëntor Shpendin ta ndëshkojnë qytetarët me votën popullore KUNDËR, për ta ndëshkuar synimin hileqar, mashtrues e gënjeshtar. Ky ndëshkim duhet të bjerë mbi këta njerëz të dëmshëm si rrufeja nga qielli, sepse VV-ja me Shpend Ahmetin, Dardan Sejdiun e Liburn Aliun, ndonëse për katër vite u dëshmuan me pushtetin e tyre të tej inkriminuar , shkatërrues e të dëmshëm për qytetarët dhe kryeqytetin, kurse tani po tentojnë të sigurojnë e blejnë vota duke mashtruar e gënjyer dhe duke blerë votat nga qytetarët e varfër, të përvuajtur e të nëpërkëmbur", theksoi Guraziu. Ndërsa, sipas analistit Reshat Sahitaj, qëllimi i vetëm i Shpend Ahmetit për të ruajtur edhe një mandat tjetër në krye të Prishtinës është interesi për ruajtjen e kapjes kriminale të pushtetit."Shpend Ahmeti do të tentojë edhe një herë që ta fitojë kryeqytetin për t'i fshehur dhe për t'i fshirë gjurmët e krimit ekonomik që e ka shkaktuar për këto katër vitet e kaluara nda kryeqytetit dhe qytetarëve, duke e mbuluar atë me katër vitet e ardhshme. Mirëpo, unë besoj që qytetarët e Prishtinës tanimë e kanë identifikuar këtë qëllim të Shpend Ahmetit dhe nuk do t'ia mundësojnë një qëllim e synim të tillë kriminal, por do ta ndëshkojnë fuqishëm me votën e tyre kundër në zgjedhjet për balotazh më 19 nëntor", thotë analisti Reshat Sahitaj për gazetën "Kosova Sot".

MULLIQI: LIDHJA E KOALICIONIT TË VV-SË DHE AKR-SË KA PIKËRISHT PËR SYNIM REALIZIMIN E INTERESAVE TË GRUPEVE TË FUQISHME KRIMINALE

Analisti dhe publicisti Skënder Mulliqi thotë se është parim dhe rregull në të bërit biznes që biznesmenët gjithmonë interesohen të lidhen më pushtetin, pasi për qëllim kanë zgjerimin e biznesit, pa marrë parasysh se ai biznes është i ligjshëm apo i paligjshëm. "Edhe partive politike, kështu qe edhe VV-së, u vërtetua se u interesojnë shumë lidhjet me mafio-biznesmenë, duke gjetur metoda dhe forma të pasurimit e përfitimit sa më të madh nga korruptimi. Edhe në pushtetet lokale edhe në pushtetin qendror është instaluar logjika që të bashkëpunohet ngushtë me njerëzit e fuqishëm të biznesit, se ata ua mbajnë tagjinë korruptive të koka, por që si kompensim kërkojnë benifite të mëdha me tenderë të ndryshëm, me leje të ndërtimeve, me lokacione për ndërtime e shumëçka tjetër përfituese, sigurisht në dëm të taksapaguesve qytetarë të Prishtinës . Edhe lidhja e koalicionit të VV-së dhe AKR-së ka pikërisht për synim realizmin e interesave personale të grupeve të fuqishme kriminale brendapartiake", tha Skënder Mulliqi, duke kërkuar edhe nga vota qytetare, që përmes votave KUNDËR Shpendit më 19 nëntor, që kjo praktikë e vjetër e punës së keqe e të inkriminuar të stopohet e të ndalohet përmes votës gjithëqytetare.

KELMENDI: ME SHPENDIN PRISHTINA DO TË JETË NË DUAR TË PACOLLIT DHE TË DEVOLLËVE TË INKRIMINUAR

Fitoren eventuale të VV-së në krye me Shpend Ahmetin për kryetar komunë dhe lidhjen kriminale me Selim Pacollin e sheh si storjen më të keqe e më fatale që mund t'i ndodhë Prishtinës në mandatin e ardhshëm katërvjeçar edhe prof. Muhamet Kelmendi. "Nëse fiton ky koalicion, fjala është midis VV-së dhe AKR-së, do të kemi një privatizim të përmasave të mëdha e të papara gjer më tani në Prishtinë , dhe lirisht mund të themi se pas katër vjetësh Prishtina do të jetë në duar të Pacollit dhe të Devollëve të inkriminuar, si dy kompani tepër të dyshimta, eksploatuese, mashtruese dhe në shërbim të armiqve shekullorë të shqiptarëve, si të Serbisë armike e fashiste, ashtu edhe të "MAJKA" Rusisë së Behgjet Pacollit rusofil. Nuk mund që të ndërtohet një koalicion midis Shpend Ahmetit dhe familjes së Pacollit pa iu dhënë këtyre të fundit lehtësira në privatizim gati pa lekë në hapësirat e në objektet publike dhe të komunës, në hapësirat e ndryshme për ndërtim, sikundër është synimi e plani i zbardhur për Qendrën universitare të Prishtinës, ku planifikohet që me kapitalin publiko-privat i tërë parku i fakultetit të privatizohet etj.", u shpreh ai."Me siguri kemi premtimin e madh të VV-së në këtë aspekt. Nëse jo këtyre, është atëherë kompania 'Devolli', të cilëve është përfolur që t'u jepet në ndërtim dhe ata të shfrytëzojnë si të veten . Këto janë çështje tepër të dëmshme, e që nuk duhet lejuat të ndodhin. Me këto Prishtina kthehet në duar të këtyre oligarko-mafiozëve të inkriminuar ,dhe me këtë tërë qytetarët shndërrohen vetëm në punëtorë të krahut, ku vetëm për bukën e gojës duhet të detyrohen të punojnë. Si te kompania e Pacollit, ashtu edhe te Devollët kemi vetëm eksploatim dhe bartje të përditshme të mjeteve monetare dhe të aseteve jashtë vendit nëpër parajsa fiskale. Këtë nuk duhet lejuar, duhet ndaluar fuqishëm vetë qytetarët me votën e tyre KUNDËR", thotë për gazetën analisti prof. Muhamet Kelmendi.

(Kosova Sot)