Maloku: Përgjegjësit të japin llogari

  • 14 November 2017 - 18:49
Maloku: Përgjegjësit të japin llogari

Anëtari i Kryesisë së Shoqatës së Naftëtarëve, afaristi Ramadan Maloku, për gazetën"Kosova Sot" tha se sikur të kishte efekte, ky hetim duhet të bëhet doemos, në mënyrë që të zbardhet se kush ka qenë i implikuar t'i bartë pasojat.

"Efekti i privatizimit ishte kundërproduktiv, ngase ka krijuar vetëm varfëri që po rritet dita- ditës, kurse veç saj me këtë proces mbetën pa punë mbi 70 mijë veta. Ajo që ka ndodhur me procesin e privatizimit në Kosovë është një tmerr se e tërë ajo pasuri, që dikur kishte vlerën me miliarda para është shitur për pak para e shuma simbolike", tha ai. Sipas Malokut, duhet që të fillojë një hetim detaj i procesit të privatizimit edhe nga Kuvendi i Kosovës, por edhe nga organet e drejtësisë.

"Kjo, ngase kur bëhet fjalë rreth procesit të privatizimit kushdo qoftë ai burrështetas, duke filluar nga ish-kryeministrat e dikurshëm, pastaj ministrat Kryesia e Kuvendit, si edhe deputetë të dikurshëm dhe të tashëm të partive në pushtet, por edhe drejtorët e agjencive shtetërore, dhe shumë të tjerë, duke filluar nga shefat e AKP, bordet e drejtorëve, kushdo që ka rënë ndesh me ligjin dhe që ka bërë shkelje të ligjit pa asnjë mëshirë duhet që të hetohet dhe që të japë llogari para ligjit", u shpreh ai.

(Kosova Sot)