Vota për Shpendin, votë për mafio-oligarkët e krimit

  • 15 November 2017 - 08:02
Vota për Shpendin, votë për mafio-oligarkët e krimit

PRAPASKENAT E NJË FUSHATE HIPOKRITE E MASHTRUESE TË KANDIDATIT TË VV-SË

Kryetari në ikje me çdo kusht dëshiron të ruajë pushtetin tanimë të inkriminuar

"Celula e pesëshit të VV-së e ngarkuan Shpend Ahmetin t'i shpeshtonte kontaktet me klanet mafioze, me të cilat kishin kontakte, e t'i zgjeronte të tjerat aty ku ende nuk kishin. Albin Kurti dhe kryesia e tij nuk i quajnë klane mafioze kompaninë e vëllezërve Devolli dhe kompani të tjera që brenda pak vjetësh nga hiçgjë u shndërruan në multimilionerët më të fuqishëm në Kosovë. Jo. VV-ja këta i quan biznesmenë dhe Shpend Ahmetin e kanë si xhoker që u shërben për të krijuar kontakte të reja me klane mafioze e kriminale, të cilin në rast nevoje mund ta gjuajnë që pastaj të kenë mundësi ta kritikojnë sa për opinionin tonë", thotë për gazetën analisti Reshat Sahitaj

Gara për të parin e Prishtinës në këto zgjedhje, e cila tani në balotazh po zhvillohet në duelin e ashpër në mes të Arban Abrashit të LDK-së dhe Shpend Ahmetit të 'Vetëvendosjes' ka hyrë në fazën finale, ndërsa kanë mbetur vetëm edhe tri ditë fushatë, kurse katër ditë na ndajnë nga momenti kur qytetarët do të dalin rishtas para kutive të votimit. Ajo që po habit opinionin publik, por edhe njohësit e skenës politike në vend, është insistimi pa fije turpi i Shpend Ahmetit që ta kërkojë votën edhe për një mandat të radhës nga qytetarët e Prishtinës, që shumica prej tyre, përjashto militantët e rrethit të ngushtë partiak, nuk kanë përjetuar asgjë të mirë dhe asnjë ndryshim të dobishëm nga qeverisja katërvjeçare e VV-së. Mbetet një pikëpyetje e madhe e si po ka fytyrë Ahmeti të kërkojë sërish votën e qytetarëve kur ka dështuar edhe në çështjen më humane në të cilën duhet të dëshmohet një përfaqë- sues politik apo institucional, kur është edhe bashkëpërgjegjës për vdekjen e dy fëmijëve në lagjen 'Kolovica'. Opinionistët e ndryshëm pyesin se si mundet një njeri i tillë të aktrojë në ditën e vdekjes së fëmijëve duke qarë, e pastaj të mos lodhet fare për këtë familje dhe as për zgjedhjen e problemeve në atë lagje. Kryetari në ikje, në vend se të jepte kaherë dorëheqje, menjëherë me rastin e marrjes së lajmit për vdekjen e fëmijëve, ai e vazhdoi pa asnjë pendesë këtë mandat, madje edhe si i dyshuar për inkriminim në krimin e organizuar me mafio-oligarkët Devolli dhe të tjerët, ndërsa kërkon sërish votën e qytetarëve, tani së bashku me rusofilin Pacolli. Analistët politikë mbeten të habitur se si mund ta kërkojë votën e qytetarëve Shpend Ahmeti kur është sidomos përgjegjës për vdekjen e fëmijëve, si mund të kërkojë votën kur është përgjegjës për krimin e organizuar, të shitjes së lejeve ndërtimore dhe për bllokime të jashtëligjshme të projekteve investive prej mbi 80 milionë eurosh dhe bllokimin e investimit që do të sillte mbi 2000 vende pune në qendër të Prishtinës.

Lotët e krokodilit të kryetarit në ikje

Analisti Ragip Guraziu thotë se pesha e parë e madhe e përgjegjësisë, madje edhe penale, është tek tragjedia në 'Kolovicë'. "Në vend se të jepte dorëheqje menjëherë me vdekjen e fëmijëve në lagjen KOLOVICA, Shpend Ahmeti aktroi me lot krokodili. Në vendet tjera, me një aktrim të tillë, me lot krokodili, një kryetar komune do të jepte dorëheqje të parevokueshme, e jo të mos lodhet fare për këtë familje dhe as për zgjedhjen e problemit në atë lagje", u shpreh ai. "Në vend se të jepte dorëheqje menjëherë me vdekjen e fëmijëve, Shpend Ahmeti u zhyt akoma më thellë në krimin e organizuar me mafio-oligarkët 'Devolli' dhe të tjerët dhe pa pikë turpi e pa pikë etike e morali njerëzor ai kërkon sërish votën e qytetarëve, tani së bashku e tandem edhe me rusofilin Pacolli", tha Guraziu për "Kosova Sot".

ALEANCA ME RUSOFILËT

Analisti politik Reshat Badallaj beson që në balotazhin për kryetar komune vota për Shpend Ahmetin duhet të marrë një minus të madh, duke dhënë votë ndëshkimi nga qytetarët dhe jo votë shpërblimi, sepse mjaft ka marrë VVja vota për Kuvendin komunal që mund të ketë qenë një lajthitje e qytetarëve."Ç´është e vërteta, jo vetëm në Kuvend, por edhe tani që po konkurrojnë nëpër komuna ta zëmë si mund të votohet një kryetar i Komunës siç është Shpend Ahmeti që bëri marrëzi dhe hata në kryeqytetin e vendit, Prishtinën, duke shitur leje ndërtimi, duke dhënë tokat në zemër të Prishtinës dhe kujt ia dha. Ia dha bandës famëkeqe serbiane që quhet 'Devolli' që është me procedurë penale për hajni, për kontrabandë, për racizëm dhe që bëri hata duke e dëmtuar shumë rëndë buxhetin e vendit dhe duke vrarë më ngadalë dhe tredhur shqiptarët me mallra që përmbajnë simptoma kancerogjene", tha Badallaj për 'Kosova Sot'."Vdiqën dy fëmijë në atë gropë të mallkuar që nuk e mbylli Shpend zeza dhe mundohej t´ia hidhte fajin dikujt tjetër. Ato dy lule nuk kthehen më dhe akoma me lot janë nëna dhe të afërmit e tyre e ky bënte salltanete si cub nëpër jahtin milionësh. Këtu shihet fytyra e tij se si këmbë mbi këmbë dridhej e përdridhej në jahtin e mafio-oligarkëve Devolli", potencoi ai."Ky cub mendon se populli i ka harruar sharjet që bënin që nga mëngjesi deri në darkë për pro rusët ose thënë ndryshe rusofilët Pacolli dhe kur e pa zorin ky matrapaz u shkoi me vrap këtyre rusofilëve, duke iu lutur se do ta humbë Prishtinën nga dora", u shpreh Badallaj.

SJELLJE E PAPËRGJEGJSHME E POLITIKËS

Ndërsa, sipas prof. Muhamet Kelmendit, kjo sjellje e papërgjegjshme ndodh edhe në këtë rast, pasi që në politikë ka shumë pak, ose nuk ka fare moral dhe etikë, në mënyrë që personalisht politikani të japë llogari, qoftë penale, qoftë politike."Kjo nuk po ndodh dhe nuk mendoj se në të ardhmen e afërt apo të largët do të kemi një veprim të tillë, me moral dhe politikë serioze. Politikanët në Kosovë nuk mbështeten në interesat e masave ku është, por të vetat dhe pikërisht të karakterit individual. Në Prishtinë më së shumti po vërehet kjo dukuri", tha Muhamet Kelmendi.

I inkriminuari kërkon vota

Një gjykim të ngjashëm e ka edhe Riza Smaka. "Në vendin tonë, pos të tjerave, nuk përfillet dot përgjegjësia morale e rrjedhimisht as ajo politike! Në cilindo shtet të së drejtës, në rrethanat e sipërpërmendura, funksionari publik përkatës pashmangshëm do të jepte dorëheqje pa asnjë kusht e nëse kjo nuk do të ndodhte, do të shkarkohej imediatisht. Edhe në rastin e parë të dorëheqjes pa kusht do të hapej procedurë juridike për vërtetimin e përgjegjësisë përkatëse nga ajo disiplinore, materiale, civile, eventualisht penale. Në vendin tonë gjasat për veprime e akte të tilla, mjerisht, janë tejet të vogla!", tha prof. Smaka. Ndërkohë, analisti Dardan Grapci turpin dhe pafytyrësinë më të madhe e sheh në faktin se Shpend Ahmeti është dashur menjëherë pas vdekjes dhe tragjedisë së fëmijëve që ka ndodhur në lagjen 'Kolovica' nuk ka dhënë dorëheqje e që së paku këtu do të merrte një plus moral e personal nga qytetarët. "Ai e ka vazhduar punën e tij duke u bërë sikur asgjë s'ka ndodhur, e sidomos as nuk ka marrë masa në lagjen 'Kolovica' për ta eliminuar ndonjë tragjedi tjetër në të ardhmen. Populli i Prishtinës do të dënojë Shpendin me votë dhe Shpendi do të jetë humbës në këto zgjedhje që do të mbahen më 19 nëntor, kurse VVsë do t'i humbet pasqyra politike që e kanë pasur deri më sot, ku shkaktar do të jetë Shpendi", u shpreh ai. "Nuk e di si guxon të kërkojë vota tash nga qytetarët e Prishtinës Shpendi, duke e ditur që përveç përgjegjësisë morale e njerëzore në rastin konkret është edhe i inkriminuar me mafio-oligarkët DEVOLLI, si dhe i korruptuar nga bizneset dhe ndërmarrjet private", potencoi Abrashi për "Kosova Sot".

CELULA MAFIOZE E VV-SË

Analisti politik Reshat Sahitaj tha se zgjedhjet e fundit lokale ishin barometri më i mirë, ku tregohet shkalla e vetëdijes së qytetarëve tanë, të cilët vetëm brenda tre muajve i kuptuan qëllimet antiqytetare dhe antikombëtare të shefave të VVsë, prandaj nga frika e humbjes së pushtetit të inkriminuar tani VV-ja dhe Shpend Ahemti nuk pyesin për çmimin e vazhdimit të ruajtjes së pushtetit, sado që e dinë se fundi i tyre po vjen e po afrohet më 19 nëntor. "Celula e pesëshit të VV-së e ngarkuan Shpend Ahmetin t'i shpeshtonte kontaktet më klanet mafioze më të cilët kishin kontakte, e t'i zgjeronte të tjerat aty ku ende nuk kishin. Albin Kurti dhe kryesia e tij nuk i quajnë klane mafioze kompaninë "Devolli" e kompani të tjera që brenda pak vitesh nga hiçgjë u shndërruan në milionerët më të fuqishëm në Kosovë. Jo. VV-ja këta i quan biznesmenë dhe Shpend Ahmetin e kanë si xhoker që u shërben për të krijuar kontakte të reja me klane mafioze, të cilin në rast nevoje mund ta gjuajnë, që pastaj të kenë mundësi ta kritikojnë sa për opinionin tonë. Një tentim të tillë e bëri Albin Kurti kur në Kuvend foli kundër kompanisë "Devolli" e nuk bëri asnjë hap për t'i konkretizuar akuzat e tij. Përkundrazi, Shpend Ahmeti në vend se të ngushtonte aktivitetin ilegal, e zgjeroi duke dhuruar dhjetëra hektarë tokë bujqësore, e shumë shkelje tjera në dëme të qytetarëve të Prishtinës", shpjegoi ai."E keqja më e madhe dhe më antishqiptare është kur Shpend Ahmeti për të qëndruar ende në pushtet planifikon ndërtimin e një xhamie me përmasa piramidale në qendër të Prishtinës e nuk e planifikoi ndërtimin e një shkolle apo përmirësimin e kushteve të studentëve tanë", vijoi më tej Sahitaj. "Si kanë guxim Shpend Ahmeti dhe tërë kryesia e VV-së të krenohen kur gjatë katër viteve sundimi në Prishtinë nuk kanë arritur të ndërtojnë asgjë të re. Ka shumë kohë që kam dëshirë t'ia përkujtoj Shpend Ahmetit se ndërtesa e Teatrit Kombëtar është e njëjta që e ka ndërtuar Serbia (natyrisht me buxhetin e Kosovës) menjëherë pas luftës, ndërtesën e Komunës ku punon Shpend Ahmeti e ka ndërtuar Serbia, Kuvendin, Qeverinë, Pallatin e shtypit, e të gjitha ndërtesat e institucioneve të Kosovës të ndërtuara nga Serbia", potencoi Sahitaj.

Pritjet nuk u përmbushën

Analisti Mustafë Kadriaj tha se tani aktrimi i Shpendit jo vetëm në rastin tragjik të vdekjes së dy fëmijëve, por aktrim e kishte gjithë mandatin e tij qeverisës dhe e përdori atë si mjet të arritjes së qëllimeve politike. "Hyrjen e Lëvizjes 'Vetëvendosje' në politikë, në njëfarë mënyre, qytetari i Kosovës, veçmas qytetarët e kryeqytetit e shinin si mundësi dhe mendësi të re për shpëtimin e vendit nga e keqja, por ndodhi e kundërta. Aktrimit të paefektshëm në interes të qytetarit të Kosovës, po duket ashiqare që nuk i shpëtoi as Lëvizja 'Vetëvendosje', subjekt politik që qeverisi kryeqytetin dhe nuk bëri asgjë, por mbijetoi duke u ankuar gjatë gjithë kohës se po bllokohet në realizimin e projekteve", u shpreh ai."Kulmi i amoralitetit në politikë dhe mungesës së humanizmit arriti me rastin e dy fëmijëve të mbytur në pellgun me ujë, në atë gropën fatkeqe, e ku kryetari Ahmeti nuk ndjeu aspak përgjegjësi për mosndërmarrjen e masave preventive, por kryetari u pa vetëm në një moment se si lobon, e më pastaj e harron atë rast tragjik dhe tani vazhdon ta kërkon votën. Duhet ditur që qytetari nuk iu ka dhënë votën për me lotue, me vajtue, me u ankue, por për diçka tjetër, për të qeverisur më mirë që ishin zotuar se do ta bëjnë, më mirë se qeverisja e Isa Mustafës e nuk e bënë për katër vjet mandat", theksoi Kadriaj për "Kosova Sot".

Kryeqytetit i duhet udhëheqje kredibile

Të pamoralshëm e sheh Shpend Ahmetin tani në këtë kërkim të ri të votës qytetare edhe Skënder Mulliqi."Edhe Ahmeti me shumë Ahmeta të tjerë po sillën sikur të ishin do mbretër mbi këtë tokë, e jo përfaqë- sues të popullit .Vota kërkohet në mënyrë parimore për të mirën e përgjithshme e jo për realizimin e interesave meskine të grupeve te caktuara politike", u shpreh ai. "Prishtina dhe Kosova kanë nevojë për njerëz kredibil, të cilët më në fund punojnë për qytetarë, e nuk ka nevojë o për dallaveraxhinj. Me fjalë të zbrazëta është mbushur kupa. Ahmeti dhe të tjerët që vijnë në pushtet duhet të lirohen nga logjika e zhvatjes dhe përfitimeve të paligjshme, duke hapur vende te reja të punës për të brinjët tanë aq shumë të nevojshëm", vijoi më tutje Ahmeti."Të thithen investimet jashtme, pa të cilat nuk kapërcehet kriza ekonomike, të cilat investime nuk i kemi, se ato po ua prishin leverdinë materiale qarqeve të caktuara politiko-biznesore në Kosovë", theksoi Skënder Mulliqi. Sidoqoftë, kryeqytetasit të dielën e kanë shansin t'u japin fund mashtrimeve dhe ta çlirojnë komunën nga qeveritarët e inkriminuar. Vota e 19 nëntorit do të jetë vendimtare për kursin e ardhshëm katërvjeçar të Prishtinës. Komuna e Prishtinës dhe Shpend Ahmeti nuk kanë kthyer përgjigje në pyetjen rreth kësaj teme.

(Kosova Sot)