< Politikanët e korruptuar bllokojnë VETTING-UN DHE DEKRIMINALIZIMIN - Lajme - Kosova Sot
Politikanėt e korruptuar bllokojnė VETTING-UN DHE DEKRIMINALIZIMIN

Politikanėt e korruptuar bllokojnė VETTING-UN DHE DEKRIMINALIZIMIN

LEGJISLATURA E RE PO ZVARRIT LIGJET E RËNDËSISHME

"Këta njerëz me ndikim do të bëjnë të pamundurën vetëm që të vonojnë ose të ndalojnë çdo tentim që Kosova të ketë ligj të zbatueshëm dhe të pavarur nga çdokush, të pavarur sidomos nga mafia politike e mbjellë në vendin tonë pas luftës", theksoi për gazetën "Kosova Sot" analisti Naim Miftari
Kuvendi të hapë debatin për pastrimin e shtetit

Analistët dhe njohësit e fushës së drejtësisë kanë vlerësuar se vonesa e Ligjit të Dekriminalizimit dhe Ligjit të Vetting- ut për të hapur diskutimin më pastaj në komisionin e ligjeve dhe komisionet e tjera parlamentare dhe në fund edhe në mbledhjen plenare të Kuvendit për diskutim dhe aprovim të këtyre dy ligjeve kruciale për vetëpastrimin e drejtësisë dhe të politikës po bëhet qëllimisht nga strukturat politike dhe shtetërore, por edhe nga vetë Kuvendi, për arsye se shumë personave me ndikime politike nuk u shkon për shtati aplikimi i këtyre ligjeve, pasi këto ligje do t'u shkaktonin telashe njerëzve politikë që me njërën këmbë dhe njërën dorë janë vetë pjesëtarë të korruptuar dhe i takojnë nëntokës politike të lidhur ngushë me krimin e organizuar. Ndaj ata kanë shtruar edhe çështjen se deri kur drejtësia e padrejtë dhe e trafikuar do të vendoset kryesisht nga pazaret kriminale interferuese e ndikuese dhe sekserët e mafio- oligarkëve politikë dhe të mafio-oligarkëve të bizneseve të kriminalizuara që shëtisin lirshëm nëpër këto institucione të drejtësisë dhe bëjnë "korruptimin" e gjyqtarëve dhe prokurorëve në drejtësi. Analisti Skënder Kapiti, në një prononcim për gazetën "Kosova Sot", ka thënë se së pari duhet dekriminalizuar politika, partitë politike shqiptare, të cilat janë aktoret kryesore të demokracisë dhe duhen dekriminalizuar sistemi, demokracia dhe drejtësia. 

Vota ndëshkuese, dënimi më i mirë

Sipas Kapitit po ashtu duhet të ingranohen fuqishëm individët potencialisht të fortë intelektualisht, moralisht dhe patriotikisht, por që janë jashtë sistemit."Sistemi aktual duhet ndëshkuar ashpër nga vota popullore. Këtë votuesi kosovar duhet ta tregojë tani, në rundin e dytë të zgjedhjeve vendore. VETTING-u më i mirë dhe real është votimi popullor masiv për ndëshkimin e individëve me rekorde kriminale, korruptive, si dhe aventurizmin dhe krimin mafio-oligarkik, për t'i nxjerrë ata në pension dhe për t'i dëbuar nga sistemi politik, pa përjashtuar ndëshkimin e merituar ligjor", theksoi ai. "Zvarritja e procesit të dekriminalizimit dhe të VETTING- ut në Kosovë do ta vështirësojë shumë më pastaj miratimin dhe zbatimin e tyre, pasi sa më shumë të zgjatet ajo në kohë aq shumë fuqizohet dhe perfeksionohet mafio-oligarkia politiko-kriminale, ashtu sikurse ndodhi në Shqipëri, ku me gjithë këmbënguljen dhe presionin amerikan aq të vështirë ishte miratimi i VETTING- ut, ashtu siç edhe vazhdon pengesa dhe rezistenca e politikës dhe e gjyqësorit kundër zbatimit të tij", u shpreh analisti Skënder Kapiti. 

Politika, pengesë për reforma

Analisti Naim Miftari thotë se vonesa e Ligjit të Dekriminalizimit dhe Ligjit të Vetting-ut, për të hapur diskutimin në komisionin e ligjeve dhe komisionet e tjera parlamentare dhe në fund edhe në mbledhjen plenare të Kuvendit për diskutim dhe aprovim të këtyre dy ligjeve kruciale për vetëpastrimin e drejtësisë dhe të politikës, po bëhet qëllimisht nga strukturat politike dhe shtetërore, por edhe nga vetë Kuvendi, për arsye se shumë personave me ndikime politike nuk u shkon për shtati aplikimi i këtyre ligjeve. Sipas tij, këto ligje do t'u shkaktonin telashe njerëzve politikë që me njërën këmbë dhe njërën dorë janë vetë pjesëtarë të korruptuar dhe i takojnë nëntokës politike të lidhur ngushë me krimin e organizuar. "Prandaj vonimi dhe mosimplementimi i këtyre ligjeve, pra Vetting- ut dhe atij të Dekriminalizimit, bëhet qëllimisht nga politikanët e korruptuar të Kosovës, por edhe më gjerë", është shprehur ai. "Këta njerëz me ndikim do të bëjnë të pamundurën vetëm që të vonojnë ose të ndalojnë çdo tentim që Kosova të ketë ligj të zbatueshëm dhe të pavarur nga çdokush, të pavarur sidomos nga mafia politike e mbjellë në vendin tonë pas luftës", theksoi për gazetën "Kosova Sot" analisti Naim Miftari. 

Drejtësia, levë e pushteteve

Analisti Naim Kelmendi ka vlerësuar se tërë këto vite të pasluftës drejtësia ka qenë levë e pushteteve, në këtë rast e politikës për të mbrojtur të inkriminuarit e shumë veprave korruptive e të krimit në vend dhe fatkeqësisht, sipas tij, kjo ka bërë që të mos gjykohen asnjëherë rastet e kryesve të veprave kriminale, qofshin ato të krimit të organizuar, të krimit ekonomik apo të korrupsionit në institucionet e shtetit, ngase kështu vetë drejtësia, duke qenë e inkriminuar nga politika, ka bërë që të mos dalin para drejtësisë bartësit e veprave të këtyre krimeve." Prandaj, institucionet tona të dala nga vota e popullit duhet ta kenë përgjegjshmërinë dhe vullnetin politik për adresimin e fajësisë për këto dështime të drejtësisë dhe iniciativën për sanimin e gjendjes në të cilën ka degraduar drejtësia, ngase vendit i duhet një gjyqësor dhe prokurori me kredibilitet dhe i besueshëm e në funksion të ligjit dhe të së drejtës", u shpreh ai. "Së këndejmi do të duhej që të mos vonohet qëllimshëm, si deri më tani që nuk po procedohen në Qeveri dhe në Kuvend Ligji i Dekriminalizimit dhe Ligji i Vetting-ut, por sa më parë duhet të hapur diskutimin në komisionin e ligjeve dhe komisionet e tjera parlamentare dhe në fund edhe në mbledhjen plenare të Kuvendit për diskutim dhe aprovim të këtyre dy ligjeve kruciale për vetëpastrimin e drejtësisë dhe të politikës, si dhe të të gjitha institucioneve të shtetit", spikati për gazetën "Kosova Sot" analisti Naim Kelmendi. Ndërsa deputeti nga Nisma për Kosovën, Zafir Berisha, thotë se nuk e ka idenë se përse ligjet në fjalë po vonohen dhe nuk po procedohen në Qeveri dhe në Kuvend për të hapur më pastaj diskutimin në komisionin e ligjeve dhe komisionet e tjera parlamentare, ndërsa siç tha se duhet të vijnë këto ligje dhe të miratohen, faktikisht kjo është domosdoshmëri. "Pra, këto ligje tashmë janë imperativ kohe, por që janë vonuar", deklaroi për gazetën "Kosova Sot" deputeti nga Nisma për Kosovën, Zafir Berisha. 

(Kosova Sot)   

13 orë e 28 minuta më parë