< Rritja ekonomike ua trash xhepat mafio-politikanëve - Lajme - Kosova Sot
Rritja ekonomike ua trash xhepat mafio-politikanėve

Rritja ekonomike ua trash xhepat mafio-politikanėve

Rritja që na duhet nuk mund të vijë me këtë lloj qeverisjeje

"Kam frikën se do të mundet që të ketë vetëm rritje të krimit të organizuar dhe pasurive të mafio-oligarkëve qoftë ata në nivelin qendror, e po ashtu edhe ata në nivelin lokal, për të cilët madje po dyshohet se paratë e tyre ata janë duke i fshehur nëpër parajsat fiskale", theksoi analisti Florim Rudhani

Mbështetur në vlerësimet e njohësve të ekonomisë dhe specialistëve të kësaj fushe, me këtë klasë politike në pushtet, vështirë që në Kosovë të ketë ndonjë shans që të pritet të kemi një rritje ekonomike. Analistët janë skeptikë se do të ketë vetëm rritje të krimit të organizuar dhe pasurive të mafio-oligarkëve, qoftë ata në nivelin qendror e po ashtu edhe ata në nivelin lokal për të cilët madje dyshohet se paratë e tyre ata janë duke i fshehur nëpër parajsat fiskale. Specialistët e kësaj fushe sugjerojnë se Kosova ka nevojë imediate që shkalla e rritjes ekonomike të jetë në nivelin shtatë për qind. Analistët thonë se me këtë rritje ekonomike aktuale vështirë se mund të bëhen ndryshime në punësim. Sipas tyre, diaspora është ajo forcë që realisht po e mban gjallë Kosovën, sepse pa paratë e tyre ky shtet do të falimentonte. Sipas shifrave zyrtare të organizatave ndërkombëtare, papunësia në Kosovë ka arritur në shifrën prej 32.9 për qind, kurse sipas shënimeve të përfaqësuesve të BSPK-së, thuhet se niveli i papunësisë është mbi 45 për qind dhe statistika të tilla kontradiktore janë dhënë në këto vitet e fundit. Kjo rritje ekonomike nga 3 deri në 4 për qind që e ka pasur Kosova në dy vitet e fundit, sipas ekspertëve të ekonomisë, do të jetë e pamjaftueshme për të absorbuar afër 25-30 mijë të rinj që çdo vit hyjnë në tregun e punës. Ndërsa, shifrat e Bankës Botërore tregojnë se Kosova rritjen ekonomike më të lartë e kishte shënuar në vitet 2010 dhe 2011 dhe atë mbi 5 për qind, por edhe në atë kohë papunësia ishte një nga problemet më të mëdha që kishte përcjellë qytetarët e Kosovës.

Investitorët po joshen me tokë

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Bilall Sherifi (Nisma) tha për gazetën"Kosova Sot' se Qeveria 'Haradinaj' nuk do të përsëritë gabimet e qeverive të tjera në asnjë fushë, duke punuar natë e ditë për të ndërruar për të mirë situatën në vend. "Besoj shumë se kjo Qeveri top prioritet të punës së saj e ka rritjen ekonomike, por edhe zhvillimin e vazhdueshëm ekonomik të vendit, ndaj edhe masat që jemi duke i marrë në këtë drejtim, sidomos ato që në mbështetjen e produkteve vendore dhe stimulimin e prodhimit vendor, si edhe vendimin mbi pezullimin e privatizimit të tokave bujqësore shumë shpejt presim se do të japin rezultatet e para", u shpreh ai. "Investitorëve të huaja po u jepet një hapësirë dhe tokë për investime dhe duke ofruar infrastrukturë besojmë dhe jemi të bindur se shumë shpejt do të kemi dukshëm më shumë investitorë të huaj dhe do të ketë edhe zhvillim ekonomik, por edhe rritje të ekonomisë në shkallë mbi 4-5 për qind, e mbase edhe më shumë ", ka theksuar Sherifi.

Do të rritet krimi, por jo ekonomia

Eksperti i ekonomisë Florim Rudhani tha për " Kosova Sot " se, sipas raportit të fundit të Bankës Botërore, papunësia në Kosovë vazhdon të jetë nga problemet thelbësore të qytetarëve të vendit dhe se me rritjen aktuale të Bruto Produktit Vendor (GDP) nuk pritet që të ketë ndryshime në këtë drejtim. "Për t'u arritur kjo duhet që të ketë dyfishim të shifrave të rritjes së GDP-së. Njohësit e fushës së ekonomisë në tërë këto vite kanë bërë thirrje që për t'u rritur GDP-ja duhet që fokusi të jetë te zhvillimi i sektorit privat, përkrahje e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, zhvillimi i bujqësisë dhe tërheqja e investitorëve të huaj, të cilët do të kishin një ndikim të madh në zhvillimin ekonomik dhe zbutjen e papunë- sisë", u shpreh ai. Analisti Rudhani thotë se me këtë klasë politike, që aktualisht janë në skenën vendore, është shumë vështirë që në Kosovë të ketë ndonjë shans që të kemi një rritje ekonomike. "Kam frikën se do të mundet që të ketë vetëm rritje të krimit të organizuar dhe pasurive të mafio-oligarkëve qoftë ata në nivelin qendror, e po ashtu edhe ata në nivelin lokal, për të cilët madje po dyshohet se paratë e tyre ata janë duke i fshehur nëpër parajsat fiskale", theksoi ai. 

Rënia e investimeve, goditje e rëndë

Ndërsa, eksperti i Integrimeve evropiane në fushën e ekonomisë, Ardian Nokaj, për gazetën "Kosova Sot', tha se ajo që më së shumti është zhgënjyese gjatë kësaj periudhe, është rënia e investimeve të huaja, investime këto për të cilat është pritur se do të rriten pas shpalljes se pavarësisë. "Ndaj, mendoj se stagnimi ekonomik ka qenë një pasojë e mungesës së një sistemi adekuat ekonomik, që nënkupton ligje që i përshtaten këtij mjedisi. Për gjendjen aktuale ekonomike, një pjesë të fajit e bart edhe klasa politike, duke filluar nga institucionet e larta qeveritare e deri tek ato komunale. Sepse, rënia e investimeve direkte, qoftë të brendshme apo të jashtme, ka ardhur si pasojë e shkallës së lartë të korrupsionit dhe nepotizmit, formave të ndryshme të pengesave, qoftë ligjore apo tarifore për investitorët", shpjegoi ai. "Qeveria e re dhe kjo klasë politike duhet që të gjejnë forma që të ndërtojnë një sistem që do të absorbonte zhvillimin ekonomik, që nënkupton jo me një mentalitet si deri më tani, jo me këta ekspertë të sotëm që gjenden në një rreth vicioz dhe që të varen vetëm nga paratë e diasporës, sepse me një shkallë të tillë të rritjes ekonomike ,3-4 për qind nuk ka vende të reja pune dhe as zhvillim ekonomik", potencoi Nokaj. 

Diaspora, shpëtimi i Kosovës

Në anën tjetër, afaristi Ramadan Maloku, anëtarë i Kryesisë së Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, për gazetën"Kosova Sot" tha se Kosova ka nevojë imediate që shkalla e rritjes ekonomike të jetë në nivelin për shkallë të rritjes ekonomike prej 7 për qind. "Sepse, me këtë nivel dhe me këtë shkallë të rritjes ekonomike 3-4 për qind është shumë e vështirë që të bëhet ndonjë ndryshim në punësimin e të rinjve", potencoi ai . "Është shumë e vështirë të ndërrojë situata dhe nëse nuk ka rritje shifrash në punësim do të mbërrihet shkalla kritike, ku ekonomia mund të integrojë në tregun e punës kontingjentin vjetor e të rinjve të papunë që e prodhon kjo shoqëri", u shpreh Maloku. "Bazuar në shkallën e tashme të rritjes ekonomike për momentin me të drejtë po vlerësohet se është vetëm diaspora jonë ajo forcë e vetme që me remitencat e saj, që i ofrohen shifrave të 700 -800 milionëve që i dërgojnë gjatë një viti, që realisht po e mbajnë të gjallë Kosovën, sepse pa paratë e tyre ky shtet edhe do të mund të falimentonte", ka thënë ai. 

Qeveria, joefikase për tregun

Selatin Kaçaniku ("Konsumatori") tha për "Kosova Sot" se një Qeveri dhe klasë politike e mençur, e sinqertë, e përgjegjshme...profesionale do ta bënte një studim gjithëpërfshirës për t i konstatuar arsyet e regresit ekonomik, buxhetit konsumues, mashtrues dhe jo prodhueseksportues, rritjes së krimit, faljes së pasurive të shtetit. "Kjo Qeveri do ta studionte arsyen e mungesës së tregut vendor, ekonomisë së lirë, strategjisë së zhvillimit ekonomik, moszbatimit të ligjeve. Por, natyrisht se këtë studim do ta bënin në kushtet standarde transparente, mbi bazat e llogaridhënies dhe me ndarje të plotë të përgjegjësisë edhe me shoqërinë civile", vijoi më tutje ai. Sipas Kaçanikut, është iluzore të presim përmirësime e korrigjime nga ata që na e sollën gjendjen e rëndë socio-ekonomike në derë. "Riciklimi" i tyre nëpër fushatat elektorale, që nga fillimi mashtrues, që dëshmohet me mospërputhjen e numrit të banorëve me atë të votuesve, fletëvotimeve, pasi kjo e dyta është për 10 për qind më e lartë se e para, po ashtu flet se edhe një pjesë e qytetarëve elektoratë, konsumatorë, taksapagues, janë kapur në vallen e ndarjes së interesave: klientelizmit, interesave të ngushta, përfitimeve jashtë standardeve, jashtë të drejtave që u takojnë", ka vlerësuar ai. Për sa kohë kemi një ambient të dobët ekonomik, edhe konsumatorët e pësojnë. Qeveria është zotuar të përkushtohet ndaj rritjes ekonomike, por treguesit janë pesimistë. 

(Kosova Sot)  

13 orë e 4 minuta më parë