Skadon afati për “Universitetet” private

  • 29 July 2015 - 17:45
Skadon afati për “Universitetet” private

Kolegjet abuzojnë me emërtimin dhe licencat

“U kam drejtuar letër të gjitha institucioneve private të arsimit të lartë më 16 korrik 2015, që brenda një periudhe dhjetëditore të ndërmarrin të gjitha masat për mënjanimin e lëshimeve dhe parregullsive të konstatuara dhe në respektim të ligjshmërisë”, tha ministri Arsim Bajrami

Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, gjatë muajit qershor e ka autorizuar Inspektoratin e arsimit që të bëjë një inspektim special të bartëve privatë të arsimit të lartë për të parë gjendjen që mbizotëron në këto kolegje. Shkelja kryesore që është gjetur është se këto kolegje, si brenda objekteve të tyre, ashtu edhe jashtë tyre, gjithmonë thirren si universitete, vetëm e vetëm për të tërhequr më shumë studentë. Kolegjet që kanë bërë këtë shkelje janë “AAB” Prishtinë, Ferizaj e Gjakovë; “Dardania”, Prishtinë; “Universum”, Prishtinë; “Iliria”, Prishtinë; Kolegji Amerikan në Kosovë, Prishtinë; “ISPE”, Prishtinë; “Pjetër Budi”, Prishtinë. Kurse, në indeksin e kolegjit të menaxhmentit internacional “Globus”, Prishtinë, figuron emërtimi “Kolegji universitar”. Po ashtu, inspektorët i kanë rekomanduar ministrit që për kolegjin “Humanistika”, Ferizaj, të rishikohet licencimi për studimet e nivelit master, sepse ky kolegj nuk është i akredituar për këto lloj studimesh. Inspektorati i Arsimit ka vërtetuar se kolegji “UBT” nuk ka akreditim për programet e shkencave kompjuterike, Juridik/LLB dhe Arkitekturë. “Kjo degë veprimtarinë e vet e ka filluar pa licencë pune nga MASHT-i. Inspektorët e Arsimit me vendimin ref. nr 10/1-7-, nr 2/570, dt. 26.03.2015, kanë ndaluar punën e BPRAL Kolegjit “UBT”, dega në Ferizaj. BPRAL Kolegji “UBT” më 01.06.2015 nxjerr vendim, ku njofton se ligjëratat dhe provimet në UBT-Ferizaj ndërpriten dhe të njëjtat do të fillojnë pas marrjes së licencës nga MASHT-i. Nuk ka licencë nga MASHT-i”, thuhet në raportin e Inspektoratit të Arsimit. (Më gjerësisht mund t'a lexoni në numrin e sotëm të gazetës KOSOVA SOT)