Specialja bëhet gati të godasë kupolën kosovare

  • 15 November 2017 - 08:06
Specialja bëhet gati të godasë kupolën kosovare

PAS ZGJEDHJEVE, PRITEN AKTAKUZAT E PARA

"Tash priten që aktakuzat e para të ngritën nga kjo Gjykatë, pra fillon një rrugë e gjatë dhe e paqartë e kësaj Gjykate kundër luftëtarëve të lirisë. Kjo Gjykatë pritet të luhatë skenën politike në Kosovë dhe natyrisht se do të ndikojë në zhvillimet politike në vend dhe gati në të gjitha partitë politike në Kosovë, e kjo e përfshin PDK-në më së shumti, pastaj dhe të tjerat parti politike", u shpreh analisti Blerim Burjani

Paqartësi për zbardhjen e vrasjeve politike dhe transparencën e fondeve

Teksa po numërohen ditët e fundit në pritje të balotazhit për zgjedhjet lokale të këtij viti, me të cilin proces përmbyllet edhe një cirk zgjedhor, analistët politikë presin që pa vonesë, pas përfundimit të votimeve, do të fillojë edhe epoka e Gjykatës Speciale në Kosovë. Mirëpo, ajo që vazhdon të shihet akoma me shumë rezervë, është një optimizëm fare minimal dhe një rezervë e madhe nga pritja që kjo Gjykatë të sjellë përfundimisht një drejtësi të plotë në shtetin e brishtë të Kosovës, sepse akoma mbetet pikëpyetje e madhe se a do të shkojnë më në fund "peshqit e mëdhenj" të politikës të përmendur në raportin e Dick Marty-t, apo ata s'do të trajtohen fare nga Gjykata në fjalë, pas ndonjë pazari që mund të jetë bërë në vonesën e deritashme të punës së kësaj me një çmim prej dhjetëra milionësh. Sipas analistëve dhe njohësve të fushës së të drejtës, pritet që nga njerëzit e fuqishëm të politikës, të jenë bërë edhe pazare politike, në mënyrë që dikush të akuzohet dhe dikush të shpëtojë, në këmbim të milionave të buxhetit të shtetit nga taksapaguesit e Kosovës. Po ashtu, akoma mbetet çështje e pasqaruar, nëse do të trajtojë kjo Gjykatë tërësisht edhe "vrasjet politike" ndërmjet shqiptarëve pas luftës në Kosovë për ta hequr njëherë e përgjithmonë këtë enigmë të madhe, dhe në të njëjtën kohë të trajtojë edhe vjedhjet dhe keqpërdorimet masive të fondeve të luftës, "Vendlindja thërret" dhe Fondi "Tre për qind", nga mafiooligarkët e pasuruar paligjshëm.

Skena politike mund të tronditet

Njohësi i fushës së të drejtës Blerim Burjani, ndonëse pret që fillimi i veprimit të kësaj Gjykate të jetë i shpejtë në këtë fundvit apo fillim të vitit tjetër, nuk është aspak optimist që ajo do të sjellë drejtësinë, përveçqë mund të ndikojë në trazimin dhe destabilizimin e skajshëm të jetës politike dhe institucionale në vend, sepse institucionet e Kosovës i sheh të papërgatitura sa duhet për t'u përballë me këtë sfidë serioze. "Tash priten që aktakuzat e para të ngritën nga kjo Gjykatë, pra fillon një rrugë e gjatë dhe e paqartë e kësaj Gjykate kundër luftëtarëve të lirisë. Kjo Gjykatë pritet të luhatë skenën politike në Kosovë dhe natyrisht se do të ndikojë në zhvillimet politike në vend dhe gati në të gjitha partitë politike në Kosovë, e kjo e përfshin PDK-në më së shumti, pastaj dhe të tjerat parti politike", u shpreh ai. "Hetimet e kahershme priten të konkretizohen në këtë periudhë kohore të afërt, më se largu deri në janar, por më e keqja është se Kosova s'ka skenë politike stabile, e s'ka as institucione stabile, që unë i quaj institucione qejfi vetëm sa për t'u argëtuar me paratë e popullit, siç është edhe kjo Qeveri me këta njerëz qesharakë, deri edhe me poste fiktive kot së koti e pa kurrfarë dobie", potencoi Burjani.

Dështimi në drejtësi e solli Gjykatën

Veprim të shpejtë të Gjykatës Speciale, pas përfundimit të ciklit të zgjedhjeve lokale, pret edhe analisti Arsim Haziri, por ai thotë se nuk mund të paragjykojë për ndonjë mundësi veprimi me zgjerim të mandatit përtej atij që i është përcaktuar me ligj, e që është i përkufizuar vetëm në dyshimet e ngritura në bazë të raportit të Dick Martit. " Me finalizimin e shumë përgatitjeve, që kanë ndodhur si proces përgatitor, nxjerrjen e akteve nënligjore që nevojiten për veprimin e këtij institucioni të pavarur të drejtësisë ndërkombëtare nën logon e Republikës së Kosovës, konsideroj se tani Gjykata Speciale më në fund është shumë afër veprimit praktik, ngritjes së aktakuzave të para, pasi tani është bërë edhe thirrja e hapur për paraqitje të avokatëve mbrojtës të të akuzuarve, të dyshuarve dhe viktimave të ndryshme", u shpreh ai. "Nisma e saj operuese do të jetë javëve në vazhdim, gjë që për skenën politike, sidomos ata për të cilët ka bazë të mjaftueshme, do të përbëjë një tronditje të papërshkrueshme", potencoi Haziri. "Nuk duhet të harrojmë se kjo Gjykatë Speciale është rezultat i mungesës së rezultateve të punës në të kaluarën në sistemin e drejtësisë, shtyllës së UNMIK-ut, pastaj mungesës së efikasitetit të ushtrimit të plotë të sistemit të drejtësisë edhe nga misioni i BE-së, EULEX, ashtu edhe sistemit tonë, të cilët nuk ishin në gjendje që të prodhojnë një sistem më të drejtë operues, në mënyrë që kriminaliteti të denoncohet, të ndiqet dhe të dënohet, dhe të mos jetë problem bazik i të ardhmes së Kosovës", tha Arsim Haziri. 

Krimet ekonomike dhe politike, jashtë orbitës së Speciales

Analisti politik Florim Zeqa, sado që e sheh të shpejtë tani veprimin e Gjykatës Speciale, ai nuk e sheh fare të ndërlidhur me procesin elektoral në vend. Ai nuk pret që kjo Gjykatë do të prekë "peshqit e mëdhenj" të krimit të organizuar në vend, por do të merret ekskluzivisht me dyshimet e ngritura në raportin e Dick Martit. "Fillimisht, duhet sqaruar opinionin për dy gjëra. E para, Gjykata Speciale nuk ka asnjë lloj ndërlidhjeje me proceset zgjedhore në Kosovë, dhe e dyta, Gjykata e njëanshme Speciale është produkti më i keq dhe më i dëmshëm për imazhin e luftës së lavdishme çlirimtare dhe me pasoja për të ardhmen e shtetit të Kosovës. Po ashtu, do të ishte i rrezikshëm edhe krijimi i iluzioneve në opinionin vendor, se gjoja Gjykata Speciale do t'i trajtojë edhe krimet ekonomike dhe politike të klasës së korruptuar kosovare", u shpreh ai. "Në asnjë rrethanë, Gjykata Speciale nuk do t'i trajtojë as vrasjet me motive politike ndërmjet shqiptarëve të Kosovës, sikurse që nuk do t'i trajtojë as vjedhjet dhe keqpërdorimet masive të fondeve të luftës, respektivisht 'Vendlindja Thërret' dhe Fondit të 3 %,...në 'sitën e Speciales' nuk do të bien as mafio-oligarkët, të shndërruar në "miliarderë" që u prodhuan pas luftës në Kosovë dhe të cilët vodhën dhe keqpërdoruan të gjitha pasuritë publike dhe shtetërore, që kontrolluan dhe vazhdojnë të kontrollojnë çdo segment të jetës institucionale në Kosovë", tha Zeqa për "Kosova Sot". 

(Kosova Sot)