Fluturimi Devollian i Shpend Ahmetit, KËRCËNIM PËR KRYEQYTETIN

  • 17 November 2017 - 08:05
Fluturimi Devollian i Shpend Ahmetit, KËRCËNIM PËR KRYEQYTETIN

Sot është dita e fundit e fushatës së mbetur për kandidatët për kryetar komunash, të cilët garojnë në balotazh dhe një fokus i veçantë i opinionit publik është te gara për Prishtinën. Duke parë ashpërsinë e garës që po bëhet përgjithësisht nëpër komuna, e kur dihet se të ardhurat e një zyrtari të lartë në komunë janë të vogla, më e larta deri 1 mijë euro paga e kryetarit, analistët politikë vlerësojnë se arsyeja e vetme pse po synohet pushteti gjithandej edhe nga ata më të pamerituarit është përfitimi. Sipas tyre, një pushtet i inkriminuar, njerëzve të politikës u sjell edhe të ardhura kriminale nga kanalet e krimit të organizuar e korrupsionit, kryesisht, me leje ndërtimi, tenderët milionësh të militantëve dhe mafio-oligarkëve, që ua LAGIN FYTIN, dhënie të tokave mafio-oligarkëve të inkriminuar, punësime të militantëve e familjarëve etj, etj. Duke e vlerësuar performancën nga Shpend Ahmeti si zero të qeverisjes së Prishtinës , njohësit e zhvillimeve katërvjeçare në kryeqytet vlerë- sojnë se tani është pikërisht vetë paraja e inkriminuar nga nëntoka e ndërtimeve arsyeja kryesore se pse kryetari i rikandiduar po insiston me çdo kusht që ta marrë pushtetin edhe për një mandat në kryeqytet, duke shpenzuar shuma marramendëse të parave të mafio-oligarkëve të inkriminuar, me jahtet e të cilëve është shëtitur gjatë tërë mandatit të tij. Nëse fiton sërish, dyshohet se do të jetë mandat në tërësi në shërbim të vëllezërve të inkriminuar Devolli dhe as edhe një për qind në shërbim të qytetarëve të tjerë. Ky dyshim argumentohet edhe duke parë qëllimet e publikuara në fushatën zgjedhore të VV-së për Komunën e Prishtinës, në zotimin e 23-të të kryetarit në ikje, i cili thotë: " Stacioni i ri Qendror i Transportit Publik në Prishtinë - ashtu siç është prezantuar në Konferencën e Investimeve në periudhën 2018 - 2019, Prishtina do ta ndërtojë Stacionin e ri të Autobusëve. Ky Stacion do të jetë qendra e trafikut në Komunën e Prishtinës. Aty do të vijë dhe do të niset çdo autobus nga, prej dhe drejt qyteteve të tjera, por edhe do të jetë pikë fillestare e autobusëve të trafikut urban". Sipas njohësve të rrethanave të deritanishme, dhe lidhjeve të Shpendit me Devollët, ky zotim interpretohet si zotim i qartë parazgjedhor i Shpend Ahmetit, që nëse e merr mandatin e ri, si kryetar i Prishtinës, do t'ua dhurojë vëllezërve DEVOLLI dhjetëra hektarë tokë publike të qytetarëve në Stacionin e Autobusëve për projektet e tyre të nëntokës kriminale. Edhe përkundër faktit se gazetari i ka kërkuar përgjigje kryetarit Shpend Ahmeti, i njëjti si zakonisht nuk ka kthyer përgjigje. Përgjigje nuk kanë kthyer as vëllezërit Devolli.

Image

 

GURAZIU: VOTA PËR SHPEND AHMETIN ËSHTË VOTË PËR KRIMIN E ORGANIZUAR

Një synim të tillë kriminal e beson të realizohet nga Shpend Ahmeti, nëse qytetarët gabojnë dhe i japin mandat tjetër, edhe analisti politik Ragip Guraziu."Shpend Ahmeti po tregon se arsyeja e vetme pse po e kërkon edhe një mandat të fundit si kryetar i Prishtinës është që t'ua dhurojë vëllezërve DEVOLLI dhjetëra hektarë tokë publike të qytetarëve në Stacionin e Autobusëve për projektet e tyre të nëntokës kriminale, që e vërteton kjo se edhe shëtitja e tij në jahtet e Devollëve ka krijuar borxhe ndaj tyre përmes marrëveshjeve të fshehta e kriminale,të cilat po shpërblehen me para të mëdha nga Devollët për Shpend Ahmetin dhe klikën e tij kriminale, para dhe tani gjatë fushatës për balotazh", tha Guraziu për "Kosova Sot". Ai potencon se tani edhe kjo luftë kaq e ashpër për pushtet edhe në këtë garë për komuna, po bëhet vetëm pse arsyeja është të kapet pushteti i inkriminuar, pasi individëve të caktuar, shembulli i Shpend Ahmetit, u sjell të ardhura nga kanalet e krimit të organizuar e korrupsionit me leje ndërtimi, tenderët milionësh militantëve dhe mafio-oligarkëve, që ua LAGIN FYTIN, dhënie të tokave mafio-oligarkëve të inkriminuar, punësime të militantëve e familjarëve etj."Është pikërisht paraja e inkriminuar nga nëntoka e ndërtimeve arsyeja kryesore se pse Shpend Ahmeti po insiston me çdo kusht që ta marrë pushtetin edhe një mandat në kryeqytet, duke shpenzuar shuma marramendëse të parave të mafio-oligarkëve të inkriminuar, me jahtet e të cilëve është shëtitur gjatë tërë mandatit të tij. Ndryshe, nuk ka kuptim të pyesësh se si u shitën lejet ndërtimore në Prishtinë gjatë tërë mandatit të Shpend Ahmetit, duke ua "lagur fytin" shefave të VV-së, Shpend Ahmetit, Dardan Sejdiut, Dardan Molliqajt, Albin Kurtit, Liburn Aliut dhe shumë të tjerëve në VV, nga mafio-oligarkët Devolli, identik siç ua lagin po të njëjtët (Devollët) fytin shefit të shefave, Adem Grabovcit e shumë të tjerëve në PDK!? Kjo tregon se Shpend Ahmeti nuk dallon fare nga Grabovci dhe klani 'Pronto' dhe se vota për të është votë për krimin e organizuar", u shpreh Guraziu

Image

 

ÇITAKU RRËFEN PRAPASKENAT E SHPEND AHMETIT PËR STACIONIN E AUTOBUSËVE

Një dyshim dhe shqetësim kaq të bazuar e shpreh publikisht edhe vetë Ylber Çitaku, kryesues i KE i NPL "Stacioni i Autobusëve" Sh.A. në Prishtinë. Ai e zbërthen një histori të gjatë të këtij plani pothuajse publik të Shpend Ahmetit. "Z. Shpend Ahmeti tashmë nuk e fsheh (edhe në debatin me z. Abrashi e konfirmoi) se realizimi i këtij zotimi do të bëhet me partneritet publiko-privat, nga kjo distancë kohore njerëzit vetëm mund të supozojnë se kush nga partnerët privatë do të investojë 80.000.000 (tetëdhjetë milionë euro) për ndërtimin e Stacionit të ri Qendror të Transportit Publik në Prishtinë. Informacionet që ne kemi dhe ato që tashmë kanë dalë në publik, janë se disa hektarë tokë të NPL "Stacioni i Autobusëve" Sh.A. Prishtinë dhe ca prona publike përreth Stacionit të Autobusëve janë negociuar dhe është arritur marrëveshja në mes z. Shpend Ahmeti dhe Devollëve, pengesë për implementimin e menjëhershme të tyre ka qenë Kuvendi Komunal i Prishtinës, ku kryetari Ahmeti nuk e ka pasur shumicën, gjithsesi tash kur edhe vetë deklaron se e ka arritur shumicën në Asamble me Pacollët, kjo çështje qartësohet", u shpreh ai. "Pacollët ndarjen e këtij "kulaçi" e presin krahëhapur. Këto prona, këta hektarë tokë komunale - urbane kanë vlera marramendëse, janë pasuri e NPL "Stacioni i Autobusëve" Sh.A. Prishtinë , janë pasuri e qytetarëve të Prishtinës, rrjedhimisht pronarët-qytetarët e Prishtinës do të duhej të interesoheshin që kjo pasuri e tyre të mos bjerë në dorën e zhvatësve të pronës së qytetarëve, të gllabëruesve të vendit, andaj rasti më i mirë dhe besoj unë i fundit është 19 nëntori 2017, në të kundërtën, qytetarëve të Prishtinës, pas një periudhe kohore jo më shumë se 2 vjet, nuk u mohohet e drejta për të protestuar për këto prona, por atëherë do të jetë tepër vonë", potencoi Çitaku. "Ne, menaxhmenti i NPL "Stacioni i Autobusëve" Sh.A. Prishtinë tashmë jemi bindur katërçipërisht se z. Shpend Ahmeti ka interesa për të tjetërsuar këto prona, treguesi më i qartë i krejt kësaj është pjesëmarrja aktive e tij, e bashkëpartiakëve të tij dhe e vartësve të tij për të dëmtuar imazhin dhe afarizmin e NPL "Stacioni i Autobusëve" Sh.A. Prishtinë dhe atë në më shumë raste, po i ceku vetëm tri prej tyre: Rasti 1 - Legalizimi i transportuesve ilegalë përreth hapësirave të NPL "Stacioni i Autobusëve" Sh.A. Prishtinë, Rasti 2 - Tendenca për të nxitur një eksod të të rinjve nga Stacioni i Autobusëve në Prishtinë në fillim të shtatorit 2017, dhe Rasti 3 - Pengimi i projektit për shitjen digjitale të biletave, edhe pse një projekt të tillë e kishte proklamuar edhe vetë në fillim të vitit 2015. Për 4 vjet z. Shpend Ahmeti si kryetar i Prishtinës dhe drejtorët e Drejtorive Përkatëse Komunale as edhe në një rast të vetëm nuk kanë treguar vullnet për të bashkëpunuar me menaxhmentin e NPL "Stacioni i Autobusëve" Sh.A. Prishtinë, përkundër dhjetëra e dhjetëra shkresave e kërkesave të menaxhmentit të Ndërmarrjes, tani në përfundim të mandatit del hapur me një ide për ndërtimin e Stacionit të ri Qendror të Transportit Publik në Prishtinë", theksoi Ylber Çitaku

Image

 

Ndëshkimi përsëritet

Analistët politikë u bëjnë thirrje qytetarëve që të votojnë për ndryshime në balotazhin e së dielës për kryetar të Prishtinës, duke ndëshkuar keqqeverisjen e Shpend Ahmetit. Ndëshkimin e kësaj keqqeverisje e kërkon me çdo kusht analisti politik Jeton Kelmendi."Shpend Ahmeti edhe para katër vjetësh erdhi në pushtet jo si rezultat i besimit nga qytetarët, por fati i tij u gjet aty dhe për ta dënuar ish- kryetarin e padisiplinuar Isa Mustafa, prandaj u bashkuan të gjithë kundër tij, prandaj edhe e përzgjodhën këtë person dhe Lëvizjen e tij VV, që i zhgënjeu të gjithë. Tani po shihet se janë po këta që duhet të ndëshkohen, VV-ja dhe qeverisja e tyre, sepse qytetarët tanimë dihet se nuk meritojnë t'ia humbin kryeqytetit edhe katër vjet të tjera. Në asnjë mënyrë nuk do ta votoj Shpend Ahmetin, sepse Prishtina meriton nivel më të mirë", theksoi ai. Edhe analisti Ali Hertica thotë se qytetari duhet të jetë kësaj radhe shumë i kujdesshëm kur të vendosë të shkojë te kutia e votimit për të parin e Prishtinës."E gjithë kjo tregon se këtu është përgatitur një komplot nga dy taborët politikë të shtetit, qoftë pozitë apo opozitë, dhe kjo tregon se makro-borgjezët Devolli i financojnë të gjitha këto politika banditësh në shoqërinë e re kosovare dhe në shtetin pa sundim të ligjit dhe pa gjykata. Skena politike kosovare, si pozita dhe opozita, financohen nga mafio-bizneset", theksoi Hertica. Sipas tij, të gjitha institucionet janë të involvuara në krim, duke përfshirë edhe opozitën e zhurmshme që ishte deri më tani."E gjithë kjo dëshmon pa asnjë pikë dyshimi se të gjithë janë të lidhur e të involvuar në krim, të varur nga kockat që ua japin Devollët për t'i lëpirë", u shpreh Ali Hertica për "Kosova Sot".

Image

 

Katër vjet bllokim dhe stagnim

Se keqqeverisjen dhe qeverisjen e inkriminuar për katër vjet në Prishtinë duhet ndëshkuar duke votuar për ndryshime është gjykim edhe i analistit Ilir Fetahu."Sa i përket garës së balotazhit në Prishtinë, unë mendoj se dihet të ketë ndryshime në qeverisjen aktuale komunale dhe mendimi im është që Arban Abrashi ka përparësi të dukshme ndaj Shpend Ahmetit. Ndonëse ka pasur disa punë të mira, që mund të numërohen në gishta gjatë këtij mandate, konsideroj se, sidomos në pjesën e dytë të mandatit, e sidomos në këtë të fundit, Shpend Ahmeti ka qenë krejtësisht bllokues dhe stagnues i shumë proceseve", u shpreh ai."Duke e pasur parasysh që Prishtina është një e katërta e Kosovës, kryeqyteti nuk është dashur dhe nuk duhet të shkojë edhe më tutje me hapa të breshkës në fushën e zhvillimit, por është dashur të jetë deri më tani, dhe duhet të jetë domosdoshmërish në të ardhmen, një nga promotorët e fuqishëm të zhvillimit të vendit, ku duhet të zhvillohen projekte shumë të mëdha me të cilat duhet të identifikohet dhe të krenohet jo vetëm Prishtina, por edhe Kosova. Unë mendoj që në këtë objektiv tash për tash vetëm kandidati Abrashi i ka këto cilësi dhe ka një program ambicioz, pavarësisht kostos së lartë që ka. Ai është i realizueshëm gjithsesi në bashkëpunim edhe me institucionet financiare ndërkombëtare dhe Qeverinë e Kosovës", theksoi Fetahu. "Dobësitë e para të Shpend Ahmetit kanë filluar që në ditët e para të mandatit të tij, duke pasur qasje të gabuar të përpjekjes jonormale të qeverisjes së pakicës, që të qeverisë vetëm kryetari i Kuvendit pa votat e Kuvendit Komunal, pa koalicionet të logjikshme e të nevojshme që është dashur të ndërtohen në fillim të mandatit e jo ato të bëhen vetëm pas kalimit të pjesës së parë të atij mandati kur u bënë do koalicione krejtë- sisht kozmetike. E, në demokraci dihet që qeveris dhe zhvillon vendin vetëm shumica e ndërtuar në baza dhe parime krejtësisht demokratike, si në nivelin qendror edhe në atë lokal. Ndryshe, ne jemi dëshmitarë vetëm të përplasjeve të mëdha që janë bërë për ndërmarrjet publike, të cilat për inatet politike i kanë kushtuar shumë qytetarit të Prishtinës, i cili nuk duhet të lejojë të përsëriten edhe njëherë", tha Fetahu për "Kosova Sot"

(Kosova Sot)