Simptomat më të rralla të kancerit të gjirit

  • 20 November 2017 - 19:51
Simptomat më të rralla të kancerit të gjirit

Femrat në tërë botën e dinë se prania e ndonjë duqi në gjinjtë e tyre, mund të jetë shenjë e kancerit. Por, të pakta janë ato femra që njohin edhe simptomat e tjerë të kancerit të gjirit. Nënat Emily Nunn, 40 vjeçe, nga Rotherham, Jorkshajri jugor dhe Katherine Vesey, 42 vjeçe, nga Uirral, Mërsisajd, janë në mesin e 34% të pacientëve me kancer të gjirit, që janë diagnostikuar në bazë të simptomave të tjerë, e jo në bazë të pranisë së ndonjë duqi në gjinjtë e tyre.

Zbrazja nga gjinjtë

Nëna e dy fëmijëve, Emily, kishte zbrazje nga gjinjtë e saj, por derisa disa muaj më pas asaj iu gjet një duq, mjekët nuk e dinin shkaktarin e kësaj. Në ndërkohë, mësuesja Katherine shkoi te mjeku, pasi kishte ndier djegie në brinjë dhe kishte gjetur një 'shirit të gjatë dhe të ngushtë' nën lëkurën e saj. Këto gra kanë vendosur që të bëjnë publik rastin e tyre, me shpresë të ngritjes së vetëdijes rreth këtyre simptomave më pak të njohura të kancerit të gjirit. Nëna e dy fëmijëve, Emily Lunn u diagnostikua me kancer të gjirit në tetor të vitit të kaluar, derisa ishte në vitin e parë të studimeve në universitet. Ajo në fillim kishte vërejtur një derdhje të një lëngu të trashë, të ngjashëm me qumështin, nga gjiri i saj, në qershor të vitit 2016. Pas një jave ai lëng ishte zhdukur dhe mjeku i përgjithshëm nuk e kishte bërë të madhe këtë punë. Disa muaj më pas, Emily gjeti një duq në gjirin e saj, por nuk e lidhi këtë me rrjedhjen e mëparshme të lëngut nga gjiri. Pas vënies së diagnozës u trajtua me kimioterapi, operacion dhe rrezatim. Aktualisht është në një gjendje stabile. Mësuesja Katherine Vesey jeton në Uirral me burrin Michael dhe katër fëmijët e tyre.

Ndjenja e djegies në brinjë

 Simptoma e parë që hetoi Katherine, ishte ndjenja e djegies në brinjë. Më pas ajo hetoi praninë e një 'shiriti të hollë' mu nën lëkurë. Shiriti doli të ishte shenjë e inflamacionit të venës, gjë që paraqitet te lëndimet apo ushtrimet, por në rastin e saj ajo ishte shenjë e kancerit. Kur mbushi 42 vjet Katherine vendosi që të bënte edhe një ultrazë të gjinjve, ku mjekët zbuluan dy duqe. Ishte kancer i gjirit. Për fat, kanceri nuk i ishte përhapur gjetiu. Gjendja aktuale, pas trajtimit edhe te kjo është stabile.

(Kosova Sot)