Merkel parapëlqen zgjedhje të reja, pas dështimit të bisedimeve për formimin e qeverisë

  • 20 November 2017 - 23:29
Merkel parapëlqen zgjedhje të reja, pas dështimit të bisedimeve për formimin e qeverisë

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se preferon zgjedhje të reja, pas dështimit të bisedimeve për formimin e koalicionit qeverisës.

Ajo po ashtu tha se nuk sheh arsye për të dhënë dorëheqje nga posti, pavarësisht dështimit të negociatave.

Të dielën në mbrëmje, liberalët e Partisë Demokratët e Lirë janë tërhequr nga bisedimet me bllokun demokristian të Merkelit dhe Partinë e Gjelbër.

Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, u ka bërë thirrje palëve “të rishqyrtojnë qëndrimet e tyre”.

Steinmeier kërkoi nga to që të bëjnë kompromise për, siç tha, “mirëqenien” e Gjermanisë, përcjell REL.

Merkel përballet me sfidën më të madhe në 12 vjet si kancelare.

“Rruga për formimin e qeverisë po del më e vështirë seç e kemi menduar”, tha Merkel për transmetuesin ARD.

Ajo tha se është “shumë skeptike” për një qeveri të pakicës dhe shtoi se “zgjedhjet e reja do të ishin rruga më e mirë”.

(Kosova Sot)