Klanet e krimit duan ta rrënojnë Lumezin

  • 23 November 2017 - 08:37
Klanet e krimit duan ta rrënojnë Lumezin

KRYEPROKURORI PADREJTËSISHT NË DITËT E TIJ MË TË VËSHTIRA QË NGA DEKRETIMI

"Me siguri kryeprokurori tenton të jetë i pavarur, por është e pamundur, pasi z. Lumezi as nuk e ka fuqinë politike, por as nuk e ka fuqinë private që t'i kundërshtojë këto grupacione dhe këto klane të fuqishme, që janë të lidhura edhe me politikën, por në të njëjtën kohë edhe janë grupe të infiltruara, që e udhëheqin edhe nëntokën e Kosovës", u shpreh analisti Naim Miftari
Hetimet e iniciuara kundër mafio-oligarkëve zemërojnë bandat e pushtetit të inkriminuar

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, në paraqitjen e tij të parë publike, para disa ditësh, ka folur për hetimin ndaj dosjes së tij të provimit të jurisprudencës, që përfundoi javën që shkoi, pasi dyshimet u ngritën nga një i dënuar për korrupsion. Lumezi i ka ndërlidhur sulmet e fundit ndaj tij me akuzat e hedhura, po ashtu në publik ndaj tij për vrasje dhe korrupsion dhe me vjedhjen e kryer para një viti në shtëpinë e tij private, pra që i njëjti grup ka kryer edhe vjedhjen në shtëpinë e tij, në nëntor të vitit të kaluar. Lumezi theksoi se "kemi të bëjmë me një grup i cili është i strukturuar, i organizuar dhe i financuar, me qëllim që të rrënohet dinjiteti dhe autoriteti i kryeprokurorit të Shtetit, por jo vetëm i individit, por edhe i tërë sistemit prokurorial". Ndaj analistët dhe njohësit e fushës së drejtë- sisë kanë shtruar çështjen se pse Prokuroria Speciale nuk e zbardh se kush është ky grup i organizuar dhe a janë pjesë e këtyre grupeve që realisht bashkë me nëntokën kriminale dhe pushtetarët e fuqishëm, de fakto përmes njerëzve të vet në drejtësi e polici, e kanë drejtësinë në dorë. Për atë se a u ka penguar grupeve te nëntokës dhe politikës edhe deklaratat e kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, i cili ka kërkuar hapur para KPK-së dhe medieve që prokurorët duhet detyrimisht të kenë prioritet rastet e korrupsionit dhe krimit të organizuar, ku të përfshirë janë persona e zyrtarë të lartë të shtetit e me pozita të larta, flet shkrimi në vijim.

Shpifjet që shkaktuan huti

Analisti Reshat Sahitaj, në një prononcim për gazetën "Kosova Sot", ka thënë se është për t'u habitur se si ekzistojnë grupe mafioze, individë e parti politike të cilat dëshirojnë të shembin çdo gjë në shtetin e Kosovës, derisa siç tha është e pabesueshme të imagjinohet një gjë e tillë siç i ka ndodhur Aleksandër Lumezit, ndaj të cilit janë inskenuar një varg problemesh, sikur në filma holivudianë. Tutje ai thotë se është tepër skandaloze dhe irrituese se në çfarë mënyre Enver Hasani, i cili ishte njëri ndër më përfituesit e sistemit në Kosovë, të inicionte një shpifje se gjoja Aleksandër Lumezi nuk e paska kryer provimin, një shpifje e thjeshtë, por marramendëse, ngase kjo shkaktoi bujë dhe huti në opinionin tonë."Kjo zhurmë e iniciuar nga Enver Hasani, i cili vetë ishte keqpërdorues i pozitës së tij për shumë vite me radhë, u bë për qëllime të caktuara. Kjo zhurmë do të influenconte edhe të tjerët që të dyshonin, që të keqinterpretonin për qëllime të tyre xheloze dhe shkatërruese. Madje me këto inskenime i ndihmuan edhe disa televizione private dhe portale të shumta, të cilat një pjesë e tyre financohen nga Serbia dhe librat e tyre i promovojnë në Beograd, pasi që në Kosovë nuk po kanë sukses. Objektivi i këtyre shpifjeve dhe inskenimeve kishte për qëllim që në Kosovë të instalohen frika, dyshimi dhe pasiguria se gjoja asgjë nuk funksionon normalisht", u shpreh ai. "Objektivi i këtyre shpifjeve ishte që Kosovës t'i shkatërrohej imazhi i një shteti të mirëfilltë e të krijohej bindja ndërkombëtare se në Kosovë, përveç drogës, krimit të organizuar, korrupsionit, edhe prokurori i Shtetit është i pashkollë dhe i korruptuar. Kjo ishte një shpifje që aktorët e këtij marifeti duhet të dënohen në mënyrë që tjerëve t'u jepet shembull se shpifjet dënohen e shpifësit janë destruktivë të çdo shoqërie", potencoi Sahitaj.

Vjedhja e telefonit ishte shantazh

Avokati Nikë Shala shprehet se zotimet e kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit kundër grupeve kriminale u dëshmuan edhe në praktikë, kur ndaj shumë figurave të larta janë ngritur aktakuza dhe kanë përfunduar me aktgjykim dënues. Kjo sipas avokatit Shala dëshmon se guximi i tij nuk mungon në luftimin e dukurive negative, që për fat të keq e kanë kapluar Republikën e Kosovës."Pavarësisht barrierave të qëllimshme nga njerëzit e nëntokës së krimit, të ndërlidhura me krim të organizuar, të cilët tentojnë që ta vënë në shantazh iniciativën dhe punën e palodhshme të tij apo punën e Prokurorisë në përgjithësi, në atë mënyrë që të heshtin dhe mos t'i iniciojnë dosjet e krimit të organizuar, kështu që 'peshqit e mëdhenj' apo personat që kanë pozitë të lartë shtetërore institucionale mos të dalin para drejtësisë, kjo nuk duhet të ndodhë në një shoqëri demokratike", u shpreh ai. "Vjedhja e telefonit në shtëpinë e kryeprokurorit të shtetit nuk ishte e rastësishme, por një vepër e tillë ishte mirë e organizuar për ta shantazhuar atë që të mos guxojë t'i prekë kokat e krimit në vend", deklaroi për gazetën "Kosova Sot" avokati Nikë Shala. 

Rezistenca e nëntokës kriminale

Analisti Ragip Guraziu thotë se kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, i ka ndërlidhur sulmet e fundit ndaj tij me akuzat e hedhura në publik ndaj tij për vrasje dhe korrupsion. "Po mirë, tani shtrohet pyetja se pse Prokuroria Speciale nuk e zbardh se kush është ky grup i organizuar dhe a janë pjesë e këtyre grupeve, që realisht bashkë me nëntokën kriminale dhe pushtetarët e fuqishëm de fakto përmes njerëzve të vet në drejtësi e polici e kanë drejtësinë në dorë?!", potencoi ai. "Lëndët e korrupsionit dhe krimit të organizuar po mbesin në sirtarët e Prokurorisë Speciale, siç e kishte pranuar edhe vetë kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, në mbledhjet e Këshillit Prokurorial të Kosovës. Ndoshta u kanë penguar grupeve të nëntokës dhe politikës edhe deklaratat e kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, i cili ka kërkuar hapur para KPK-së dhe medieve që prokurorët duhet detyrimisht të kenë prioritet rastet e korrupsionit dhe krimit të organizuar ku të përfshirë janë persona e zyrtarë të lartë të shtetit e me pozita të larta", vijoi më tutje Guraziu."Pra, mbase po i pengon ky deklarim i tij nëntokës kriminale dhe politikës së inkriminuar, pra insistimi i kryeprokurorit të Shtetit që këto raste të mos presin e mbeten gjatë në sirtarët e prokurorëve "të porositur" që mos të veprojnë, siç ka ndodhur dhe po ndodh edhe sot e për çdo dite?, përfundoi për gazetën "Kosova Sot" analisti Ragip Guraziu. 

Depolitizimi i kryeprokurorit

Ndërsa, analisti Naim Miftari ka veçuar se si duket kryeprokurori i Kosovës, Aleksandër Lumezi, ka tentuar t'i dalë paksa nga kontrolli para sistemeve politike që e kontrollojnë sidomos MD- në, kryeprokurorin, gjyqësinë, policinë. "Pra, me siguri kryeprokurori tenton të jetë i pavarur, por është e pamundur, pasi z. Lumezi as nuk e ka fuqinë politike, por as nuk e ka fuqinë private që t'i kundërshtojë këto grupacione dhe këto klane të fuqishme që janë të lidhur edhe me politikën, por në të njëjtën kohë edhe janë grupe të infiltruara që e udhëheqin edhe nëntokën e Kosovës", u shpreh ai. "Ndërkaq, vjedhja e telefonit e kryeprokurorit nuk ka qenë e rastësishme, pasi kryeprokurori duhet me qenë njeriu më i rëndësishëm dhe më i sigurt i një vendi, pra vjedhja e telefonit është bërë vetëm me qëllim që t'i tregojnë se krimi i organizuar, i lidhur me nëntokën politike të Kosovës, mund të depërtojë edhe aty ku nuk mund të hyjë askush dhe për këtë kanë treguar edhe rastet e mëhershme, si vjedhja e arit në dhomën e dëshmive, etj., se grupet e nëntokës të lidhura me grupet kriminale të politikës së Kosovës janë shumë të fuqishme dhe nuk ka limit ose kufij që mund t'i ndalojë ata", spikati për gazetën "Kosova Sot" analisti Naim Miftari.

(Kosova Sot)