Veliaj: Projekt i ri për shkollat 9 vjeçare dhe një lajm të mirë për përdoruesit e biçikletave

  • 23 November 2017 - 20:36
Veliaj: Projekt i ri për shkollat 9 vjeçare dhe një lajm të mirë për përdoruesit e biçikletave

Duke filluar nga viti 2018, Bashkia e Tiranës do të sjellë një risi në sistemin arsimor 9-vjeçar, duke zbatuar për herë parë një model të ngjashëm me atë të vendeve më të zhvilluara të Europës.

Në mbledhjen e sotme, Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi vendimin për zbatimin e projektit pilot “Bëjmë detyrat e shtëpisë”, përmes të cilit nxënësit e katër shkollave 9-vjeçare në Tiranë do t’i bëjnë detyrat e shtëpisë në mjediset e shkollës. Projekti do të ofrojë shërbim dhe kujdes për nxënësit pas përfundimit të procesit mësimor, deri në orën 17.00, nga e hëna në të premte, dhe prej tij do të përfitojnë fillimisht 3000 fëmijë, vajza dhe djem, nga mosha 6-15 vjeç, që ndjekin shkollat ku do zbatohet projekti.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës e konsideroi këtë projekt si një nga vendimet më të rëndësishme që miraton ky këshill dhe që kërkon të sjellë një transformim të mënyrës së funksionimit të shkollave në Tiranë. “Projekti mundëson që fëmijët e shkollave periferike, në komunitete me popullsi rome, egjiptiane, pra komunitete që janë në vështirësi ekonomike, të vazhdojnë të rrinë në mësim, në grupe speciale, t’u ofrohet edhe dreka në shkollë. Të kenë mundësi që me një mentor të bëjnë detyrat e shtëpisë dhe të kenë mundësi të përgatiten për të nesërmen në shkollë. Një pjesë e madhe e tyre humbet shumë nga çasti që lë shkollën dhe kthehet në rrugë, ndaj besoj se kjo është mënyra më e mirë se si për 66 shkolla 9-vjeçare publike me rreth 47.406 nxënës, të përzgjedhim ata që janë më nevojtarë dhe ata që kanë nevojat më të mëdha për t’u sistemuar”, tha kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Sipas këtij vendimi, fëmijët pas procesit mësimor do konsumojnë ushqimin, më pas do zhvillojnë aktivitete argëtuese dhe më pas do rikthehen në klasë për të bërë detyrat e shtëpisë. Aktivitetet pas shkolle do hartohen nga ekspertë të kurrikulës në bazë të moshës së fëmijës, pra çdo fashë moshe do ketë aktivitetet e dedikuara për të. Për të gjithë nxënësit që vijnë nga familje të cilat përfitojnë ndihmë ekonomike në të 4 shkollat pjesë të projektit, ushqimi do financohet 100% nga Bashkia Tiranë. Projekti do të shtrihet fillimisht në 4 shkolla 9-vjeçare me synimin që në varësi të suksesit të tij të mund të shtrihet edhe në shkolla të tjera në kryeqytet.

Kryebashkiaku Veliaj u ndal edhe te buxheti i Bashkisë së Tiranës për vitin e ardhshëm, ku theksoi se ai vjen në masë 15% më i lartë se buxheti aktual, ndërsa bëri të ditur se një vëmendje e theksuar e investimeve që ai do të mbulojë i përkasin zonave periferike, periurbane dhe rurale të Tiranës, duke synuar që brenda vitit 2019 të çohet urbanizimi i plotë kudo ku banojnë qytetarë të Tiranës. Ai tha se vetëm në këtë vit janë rreth 200 rrugë të reja në Tiranë. “Kemi pasur një dyvjeçar të ngjeshur, sidomos me punët nëpër blloqe pallatesh. Kemi pasur 200 ndërhyrje në vit , praktikisht thuajse çdo ditë pune ka një ndërhyrje. Kështu që, do të sjellim në këshill një paketë të re me rreth 200 ndërhyrje  në Tiranë dhe po të mbajmë këtë ritëm, deri në fund të mandatit  thuajse do kemi prekur çdo bllok, edhe çdo lagje. Fokusin më të madh në dy buxhetet e ardhshme do ta kemi kryesisht në zonat periferike dhe periurbane”, u shpreh Veliaj.

Ai bëri një prezantim të punëve kryesore që ka bërë Bashkia e Tiranës gjatë këtyre muajve të fundit, ku theksoi fushatën e mbjelljeve të pemëve dhe gjelbërimin e Tiranës, në funksion të projektit madhor të krijimit të Pyllit Orbital. “Dua t’ju informoj se kemi bërë një plan, të cilin do ta reflektojmë në buxhetin e vitit të ardhshëm për Pyllin Orbital. Kemi filluar ta konturojmë pyllin përgjatë unazës jugore, pjesë e së cilës do të jenë edhe në qytet, deri tani ka shkuar mbarë”, shtoi Veliaj, duke theksuar se synimi është që këtë vit të mbillen rreth 100 mijë pemë.

Sa i përket mobilitetit, Veliaj tha se pas testimit me sukses të autobusëve elektrik, gradualisht do të nisë edhe zëvendësimi flotës së mjeteve nga operatorët privat që ofrojnë shërbimin e transportit urban në Tiranë. “Më vjen mirë që testimi shkoi me sukses, disa nga kompanitë kanë filluar të bëjnë porositë e para të autobusëve elektrikë. Dua të inkurajoj edhe kompanitë e tjera të bëjnë të njëjtën gjë dhe t’i provojnë Bashkisë së Tiranës që po bëjnë porositë e autobusëve elektrikë. Ajo që kemi propozuar është që çdo vit të kemi mbi 20% të flotës që fillon e konvertohet në autobusë elektrikë në Bashkinë e Tiranës”, tha Veliaj, teksa shtoi se po shqyrtohet edhe propozimi për të krijuar një kompani publike me autobusë elektrik.

Ai bëri të ditur se në funksion të përqafimit të transportit alternativ dhe të gjelbër, shumë shpejt në Tiranë do të vijë një flotë prej 4 mijë biçikletash, ndërsa Bashkia do të vijojë projektin për ndërtimin e një rrjeti minimal korsish biçikletash. “Një pjesë e madhe e kantiereve të hapura në qytetin e Tiranës janë të fokusuara në korsitë e dedikuara të biçikletave. Keni parë rrugën e Dibrës që po transformohet; përshtatja me korsi biçikletash po ndodh edhe tek Zogu i Parë. Jemi duke bërë një plan që në fillim të vitit tjetër të kemi kompletuar 10 kilometra korsi të dedikuar biçikletash me sinjalistikë vertikale dhe jemi përgatitur që në muajin mars të lançojmë në Tiranë “bike share”, pra biçikletat që përdoren nga qytetarët, ku do të sjellim 4 mijë biçikleta”, u shpreh Veliaj.

Ai njohu Këshillin edhe me dy propozime që janë ende në fazë diskutimi dhe që pritet të paraqiten për miratim në mbledhjet e ardhshme. Vendimi i parë ka të bëjë me krijimin e një Qendre Kulturore Shqiptaro-Hebraike, e cila mund të ngrihet tek Teatri i Kukullave pas një rikonstruksioni dhe zgjerimi të ambienteve. Propozimi i dytë parashikon ndërtimin e një teatri të ri kombëtar. “Kemi marrë një propozim, ndoshta një nga propozimet më të bukura që kam parë ndonjëherë, për teatrin ri kombëtar. Arkitekti i famshëm Bjarke Ingels, që sot cilësohet si arkitekti më i famshëm dhe më i suksesshëm në botë, na ka bërë një propozim tejet interesant për teatrin kombëtar. Ndërtesa aktuale zëvendësohet nga një ndërtesë ekskluzive vetëm për teatrin, e cila do t’i bëhet në një prezantim të veçantë këshillit dhe besoj që Tirana realisht do të ketë një stoli me teatrin kombëtar. Të parët që do ta shijojnë janë artistët që do të kenë ndoshta një nga teatrot më modernë në këtë pjesë të botës, por sigurisht edhe qytetarët që do të kenë një tjetër hapësirë, e cila nuk do të ketë vetëm një skenë, do të ketë disa skena”, deklaroi kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Gjatë mbledhjes së sotme Këshilli Bashkiak miratoi edhe vendimin “Për miratimin e familjeve përfituese dhe fondit nga programi i bllok-ndihmës ekonomike deri në 6 për qind me fondet e buxhetit vendor për periudhën 1-30 nëntor 2017”. Ky vendim lidhet me trajtimin me ndihmë ekonomike nga Fondi i Bashkisë Tiranë të disa familjeve, të cilat nuk e kanë përfituar dot këtë ndihmë sepse nuk i pranon sistemi i pikëzimit dhe që kryesisht janë familjet që kanë në përbërje si; kryefamiljare të divorcuara me shumë fëmijë, kryefamiljare të veja, pa punë, gratë mbi 55 vjeç, burrat mbi 60 vjeç që jetojnë vetëm, familjet me fëmijë të vegjël.

Gjithashtu, Këshilli Bashkiak miratoi edhe vendimin “Për miratimin e  nivelit të pagave të  punonjësve të sektorit të mbështetjes e logjistikës në drejtorinë e shërbimit të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin”. Nga ky vendim do të përfitojnë të gjithë punonjësit e sektorit të mbështetjes e logjistikës në Drejtorinë e Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin dhe ai vjen në kuadër të ndryshimeve në legjislacionin e pagave, si dhe të rritjes së nivelit të pagave në nivel qendror dhe vendor.

Këshilli miratoi edhe vendimin “Për disa ndryshime në vendimin nr. 84, datë 29.12.2016 të Këshillit Bashkiak “Për miratimin e programit buxhetor afatmesëm 2017-2019 dhe detajimin e buxhetit të Bashkisë së Tiranës për vitin 2017” (i ndryshuar). Ky vendim bënë një rishpërndarje të fondit të investimeve dhe shpenzimeve korrente. Një tjetër vendim i rëndësishëm i miratuar gjatë mbledhjes së sotme të Këshillit Bashkiak ishte edhe ai “Për një shtesë në numrin e punonjësve të qendrës ekonomike për zhvillim dhe edukimit të fëmijëve”. Ky vendim parashikon shtimin e punonjësve të Qendrës Ekonomike të Zhvillimit dhe Edukimit të Fëmijëve me 46 punonjës të rinj, duke e çuar numrin total në 717 vetë. Kjo shtesë vjen si rrjedhojë e kërkesës së lartë për frekuentimin e çerdheve dhe kopshteve publike, ashtu edhe për të plotësuar nevojat që kërkojnë për staf çerdhet dhe kopshtet e reja që janë hapur rishtazi në Tiranë. Me këtë vendim synohet të ruhet raporti një kujdestar për çdo 5 fëmijë latantë dhe një kujdestar për 7 fëmijë në paslatantë.

Këshilli Bashkiak miratoi dhe vendimin për “Miratimin e Rregullores për organizimin dhe funskionimin e shërbimit taksi në qytetin e Tiranës”, dhe vendimin për “Miratimin e manualit praktik ‘Metodologjia për alokimin e fondeve për organizatat e shoqërisë civile-metodologjia LOD”.

(Kosova Sot)