Gripi vret 20-VJEÇARIN

  • 23 November 2017 - 22:01
Gripi vret 20-VJEÇARIN

Një familje e dëshpëruar tregon se si gripi mori jetën e djalit të tyre 20- vjeçar, derisa edhe i ati i djalit ishte prekur nga gripi, por ia kishte dalë që të shpëtonte. Familja e ka bërë publike këtë ngjarje, në kuadër të kampanjës për bindjen e njerëzve që ta marrin vaksinën kundër gripit. Macauley Bratherton vdiq në muajin shkurt. Motra e tij, Michaela thotë: 'Macauley ishte një djalosh i shëndoshë 20-vjeçar, i cili më së shumti preferonte që ta kalonte kohën me familjen dhe miqtë e tij'. Pasioni i Macauley't ishte që të shkruante dhe të këndonte, duke shpresuar që këtë ta ndjek edhe si karrierë të tij.

Babai u pranua në spital të njëjtën ditë me djalin e tij

Motra e tij tregon: 'Një të marte, Macauley filloi që të kishte simptoma sikur të gripit, duke përfshirë dhembjen e fytit, kollin dhe një ndjenjë jo të mirë të përgjithshme. Me kalimin e ditëve, simptomat e tij vinin duke u përkeqësuar, kështu që, të shtunën, e thirrëm autoambulancën. Gjendja e tij ishte aq e rëndë, sa që menjëherë e shtrinë në kujdesin intensiv në spitalin "Glan Clwyd", ku e vendosën në frymëmarrje artificiale. Mjekët na thanë se Macauley ishte infektuar nga virusi i gripit A, se i ishte paraqitur pneumonia dhe se gjendja e tij ishte e keqe. Macauley vdiq të hënën, më 6 shkurt. Babai ynë, Mick, u pranua në spital të njëjtën ditë me djalin e tij, meqë edhe ai ishte prekur nga gripi".

Probleme me frymëmarrje

Pensionisti Mick, 68 vjeç, tregon se, sikur edhe i biri, ai ishte prekur nga gripi dhe nuk kishte vend në trup që nuk i dhembte. Po ashtu, kishte probleme me frymëmarrje. Ai thotë ta ketë thirrur autoambulancën të shtunën në mëngjes për të birin, por pasditen e së njëjtës ditë, ishte shtruar në spital edhe vet ai. Ai gjendej përbri të birit, në kujdesin intensiv, ku qëndroi dy javë dhe, për dallim nga i biri, arriti që të shpëtonte. 'Duhej ta merrja vaksinën e gripit, por nuk e kisha marrë. Sivjet pa dyshim se do ta marr", thotë ai, derisa e bija, Michaela, apelon te të gjithë ata që duhet të vaksinohen kundër gripit, ta bëjnë një gjë të tillë. 'Sa më shumë njerëz që të vaksinohen kundër gripit, ai do ta ketë më të vështirë që të prekë një numër të madh të njerëzve", thotë ajo.

(Kosova Sot)