Qeveria "kineze", zhvatje e taksapaguesve kosovarë

  • 23 November 2017 - 08:27
Qeveria

EMËRIMET NUK KANË TË NDALUR, NË MUNGESË TË LIGJIT

Për Kosovën e varfër, ky luks tregon babëzinë e partive

"Mbi 22 milionë euro i kushtojnë Kosovës postet në krye të ministrive, vetëm për paga, pa i futur këtu zhvatjet e milionave që i bëjnë përmes tenderëve. Kjo klasë politike e kriminalizuar dhe në interes të saj ka si qëllim vetëm si të zhvatë vendin, duke u pasuruar pa asnjë meritë", potencoi Faton Mehmeti

Mbingarkesa e madhe e qeverive të deritanishme të Kosovës me një mal ministrash të panevojshëm dhe zëvendësministrash, këshilltarësh e asistentësh, një dukuri e kritikuar në vazhdimësi nga partitë politike që mbeteshin në opozitë, është shpresuar që mbase në mandatin e qeverisë 'Haradinaj', me partnerët tjerë të koalicionit, nuk do të përsëritet e njëjta skemë qeveritare, por ato pritje ranë shpejt. Ekzekutivi aktual mund të mbetet në historikun e të gjitha qeverive të Kosovës si një nga më të ngarkuarit dhe më të shantazhuarit për interesa të klientelave politike, për çka edhe është fryrë tej mase me pozita krejtësisht të panevojshme. Analistët politikë vlerësojnë se jo rastësisht Kosova po vazhdon që edhe një dekadë pas shpalljes së pavarësisë të ketë një qeveri pa Ligjin e miratuar edhe ky është një absurd i madh, tregues i papërgjegjësisë politike. Pavarësisht se është obligim kushtetues, Ligji për Qeverinë ende nuk është aprovuar edhe pas kaq shumë vitesh, në mungesë të qëllimshme të këtij ligji, analistët theksojnë se edhe politika po e keqpërdor situatën, andaj as sot e kësaj dite nuk e kemi Ligjin për qeverinë, si edhe shumë ligje e veprime të tjera. Kjo gjendje flet më së miri se të gjitha qeveritë deri më tani, pa ndonjë kushtëzim nga jashtë, nuk janë të interesuara që të shtyjnë përpara asnjë çështje me rëndësi për vendin e qytetarët, siç janë Ligji për Qeverinë, Ligji për pagat e zyrtarëve të lartë publikë, luftimi i korrupsionit, i krimit të organizuar, luftimi i monopoleve kriminale, luftimi i evazionit fiskal dhe kontrabandës, pastaj ndryshimi i ligjeve të rëndësishme zgjedhore e shumëçka tjetër. 

Trashëgimi e shëmtuar politike

Analistët pajtohen se pasojë e mosaprovimit të Ligjit për Qeverinë në qeverinë e re kemi 90 poste ministrore, duke përfshirë edhe zëvendësministrat, e të cilat sërish edhe mund të shtohen. Kjo është një ngarkesë e papërballueshme për buxhetin e shtetit, i cili vilet nga taksapaguesit e Kosovës. Analisti Skënder Kapiti thotë se Kosova po shërben si vend model për të keq, sepse është e pabesueshme dhe as e paramendueshme që në një shtet të mos ketë ligj të aprovuar për Qeverinë. "Kjo do të thotë se Qeveria vepron sipas interesave të saj, të klanit apo të grupit korruptiv të interesit qeveritar. Zvarritja e miratimit të këtij ligji ashtu si dhe mosdëshira për një Ligj VETTING-u u intereson politikanëve dhe qeveritarëve shqiptare, sepse ata duan liri veprimi për krimin, korrupsionin dhe të lloj-lloj allishverishi abuziv me postet politike dhe shtetërore dhe të mos përgjigjen para ligjit", u shpreh ai. "Mospasja dhe mosfunksionimi i Ligjit për Qeverinë i lejon asaj të bëjë ç'të dojë ajo me buxhetin e shtetit dhe administratën burokratike-korruptive të tejzmadhuar, ku joshen me poste e detyra qeveritare shumë individë, duke e tejfryrë qeverinë dhe administratën me njerëz të panevojshëm, të cilët nuk kanë meritë tjetër përveç asaj të fanatizmit militantist partizan, lidhjeve korruptivo-kriminale e farefisnore", theksoi Kapiti."Kjo është një trashëgimi e politikës, pasi kush e merr pushtetin dhe qeverinë mundohet që ta mbajë vetëm një premtim: atë të abuzimit me postet dhe me paranë publike të taksapaguesve kosovar, me vende pune të panevojshme në shtetin e varfër", tha Skënder Kapiti. 

Zbrazëtirat ligjore, në favor të abuzimeve

Prof. Muhamet Kelmendi thotë se aq sa është i nevojshëm ligji për qeverinë, po aq i nevojshëm është edhe një ligj për Kuvendin, sepse edhe njëri edhe institucioni tjetër po punojnë vetëm me rregullore, që mund të plotësohen, të ndryshohen e të akuzohen vazhdimisht sipas interesave politike. "Jo vetëm Qeveria e Kosovës, por edhe Parlamenti i Republikës së Kosovës gjendet në të njëjtin nivel, pa rregullim juridik dhe në kuadër të kësaj veprohet me rregullore, të cilat ndryshohen dhe fitojnë pozitë, sipas interesave që janë. Mungesa e ligjeve ka bërë që shumëherë të kemi edhe lëvizje të ministrive dhe të pozitave të tilla në qeveri, në kundërshtim me interesin dhe me kapacitetin e nevojën që e ka vendi", u shpreh ai."Ne e dimë se në vendet më të zhvilluara, si në UE, ashtu edhe përtej oqeaneve, kudo në vendet parlamentare dhe gjysmëpresidenciale e presidenciale, ku ka me qindra milionë banorë, kemi kryesisht 15 deri në 18 ministri dhe dy zëvendësministra për dikaster. Në Kosovë kemi mbi 20 ministri dhe me nga 3 deri në 5 zëvendësministra, të cilët kanë këshilltarë, sekretarë dhe subjektet të tjera gjoja ndihmëse. Po kështu është gjendja edhe në Kuvendin e Republikës. As atje nuk ka ligj", potencoi Kelmendi. Të vonuar qëllimisht e sheh politikën kosovare që ka qeverisur vendin në bërjen e këtyre ligjeve bazike edhe analisti Ali Hertica."Unë konsideroj se Ligji për Qeverinë e Kosovës, sikurse edhe ligji përkatës, i bazuar në Kushtetutë për Kuvendin e Kosovës, janë dy ligje të cilat është dashur të hartohen nga Qeveria e parë pas shpalljes së pavarë- sisë së Kosovës. Nuk ka pasur asnjë kuptim që në emër të shkëputjes nga rregulloret e Administratës së UNMIK-ut të krijohen dikasteret e reja ministrore po me të njëjtat rregullore që vetëm logoja u është ndryshuar", vijoi më tutje ai."Mosmiratimi i Ligjit për Qeverinë po lë shumë hapësirë abuzimi nga politika për interesa klanore e klienteliste, për rehatimin maksimal të militantëve partiakë nëpër dikasteret ministrore e zëvendësministrore", është shprehur Hertica. Vendi më i varfër, me luksin më të madh Analisti politik Faton Mehmeti thotë se është një plaçkitje klasike e buxhetit të shtetit nga një përbërje kaq megalomane e kabinetit qeveritar, në një nga shtetet më të reja dhe më të varfra në botë e në rajon."Ndonëse vendi më i varfër në Evropë, Kosova po 'vuan' nga luksi i tepërt që e ka kapluar. Me mbi 60 zv.ministra Kosova e ka numrin më të madh të ministrave dhe zv.ministrave në Evropë. Kjo tregon se në krye të qeverisë kemi njerëz që nuk punojnë për shtet, por për rehatinë e militantëve të tyre. Mbi 22 milionë euro i kushtojnë Kosovës postet e ministrive vetëm për paga, pa i futur këtu zhvatjet e milionave që i bëjnë përmes tenderëve. Kjo klasë politike e kriminalizuar dhe në interes të saj ka si qëllim vetëm si të zhvatë vendin, duke u pasuruar pa asnjë meritë", potencoi Mehmeti. Ndërsa analisti Reshat Badallaj thotë se Kosova po përballet me këtë gjendje dhe me këtë hartë të kabinetit qeveritar, gati njësoj që nga paslufta."Sa qeveri janë ndërruar deri më tani dhe cila qeveri ka vepruar sipas Kushtetutës së vendit dhe për të çuar përpara shtetin…asnjëra! Të gjitha dolën të korruptuara dhe me skandale e afera korruptive. Pra, këto qeveri i thënçin nuk kanë respektuar kurrë Kushtetutën e vendit, sepse nuk kanë afruar njerëzit e ditur dhe të fushave përkatëse, por rreth vetes kanë afruar njerëzit e akraballëkut të tyre", theksoi Badallaj. 

"Në një shtet të varfër si Kosova të ketë një administratë qeveritare kaq shumë të fryrë dhe të panevojshme, sa të tillë nuk e ka besoj që e as Kina me popullsi 1.5 miliardësh, kjo përbën kulmin e amoralitetit korruptiv për pushtetin dhe për politikën", tha Skënder Kapiti

Vonesa e qëllimshme

Ndërsa, sipas analistit Skënder Mulliqi, mosaprovimi i Ligjit për Qeverinë tash e një kohë të gjatë po i u leverdis mirë vetëm qeveritarëve, për të mos dhënë shumë llogari për keqpërdorimet, për shpenzimet enorme, pagat e larta, të cilat i kanë në krahasim me pagën mesatare në Kosovë."Të gjitha këto lidhen edhe me mosluftimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit, kontrabandave të ndryshme, e shumë përfitimeve të tjera të paligjshme. Miratimi i këtij ligji nga Kuvendi do të bënte shumë në përcaktimin e organeve përgjegjëse, për kompetencat, përgjegjësit si dhe në organizimin dhe funksionimin e mirë të tyre", u shpreh ai."Edhe pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Kosovës pas 15 qershorit të vitit 2008, Qeveria nuk i referohet më rregullores së UNMIK-ut, por as nuk ka dërguar deri më tash ligj të ri për të zëvendësuar këtë rregullore. E ka zëvendësuar këtë vetëm me akte nënligjore, të cilat janë miratuar nga Qeveria. Andaj, nevojitet ekzistimi i një baze të mirë ligjore, e cila themelon dhe shuan postet ministrore të deritashme. Kjo pa dyshim do të ndikonte në zvogëlimin e keqpërdorimeve dhe këto ndryshime do të kishin edhe ndikim financiar, kur dihet se qeveritë e deritashme nuk janë treguar transparente në bërjen publike të të dhënave për pagat e zyrtarëve të lartë publikë, për shpenzimet e tyre enorme, transportit, reprezentacionit etj.", tha Mulliqi për "Kosova Sot". Ligjin për Qeverinë është dashur ta miratojë Kuvendi në mandatin e parë të pavarësisë edhe sipas Dardan Grapcit. "Por, ajo çka ka ndodh është se të gjitha qeveritë e atëhershme janë marrë me gjëra të kota, siç janë: Mitrovica veriore, rikthimi i pakicës serbe në Kosovë, shitja e fabrikave shtetërore tek mafio-oligarkët, krijimi i LVV-së etj., prandaj Kosova është sot në këtë gjendje të mjerueshme. Ligji për Qeverinë duhet sa më shpejtë të aprovohet, për shkak se shumë ligje, shumë punë kanë mbetur peng shkaku i mosaprovimit të ligjit për Qeverinë", tha Grapci.

(Kosova Sot)