Specialja rëndon situatën në Kosovë

  • 24 November 2017 - 08:00
Specialja rëndon situatën në Kosovë

Vizita që i bëri gjatë ditës së djeshme Republikës së Kosovës, Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale, nga njohësit e fushës së të drejtës dhe analistët politikë po vlerësohet si vizitë paralajmëruese rreth përgatitjes serioze të akuzave të para të kësaj gjykate që po e mban peng Kosovën. Sidoqoftë, njohësit e kësaj fushe konsiderojnë se është një lëshim i madh dhe gabim i politikës kosovare, i subjekteve politike parlamentare që nuk po arrijnë një konsensus të gjerë politik për zgjerimin e mandatit të Gjykatës Speciale, që të trajtojë në mënyrë të barabartë krimet e luftës, jo vetëm në bazë etnike si gjykatë raciste ku akuzohen vetëm shqiptarët, por të ndiqen me prioritet fillimisht edhe krimet që i ka kryer Serbia në Kosovë, kriminelët serbë, t'i jepet autoritet i zgjeruar edhe për trajtimin e aferave të mëdha korruptive dhe krimit të organizuar, që kanë kapur shtetin, e të cilat nuk po ka kurajën e guximin, dhe po dështon qëllimshëm t'i trajtojë drejtësia kosovare për më shumë se 10 vjet rresht! Duke i zgjeruar kompetencat kësaj gjykate edhe për krimin dhe korrupsionin e nivelit të lartë në Kosovë, do t'i bëhet akoma më e qartë edhe bashkë- sisë ndërkombëtare se mafia kriminale në Kosovë është aq e fuqishme, saqë asnjë BOSS i nivelit të lartë, qoftë nga politika apo nga mafio-oligarkia nuk ka shans të arrestohet e lëre më të dënohet, që do të thotë se i vetmi shans për kosovarët dhe Kosovën si shtet do të ishte zgjerimi i kompetencave të Gjykatës Speciale, e cila do të merrej edhe me skandalet zhvatëse të përmasave qindramilionëshe dhe miliardëshe, së pakut të prej pas pavarësisë e deri më sot. Deri më tani, mafia e tejinkriminuar në Kosovë arriti të blejë bile edhe gjyqtarë të EULEX-it dhe prokuror të EULEX-it, të ditur me emër e mbiemër, duke mbyllur lëndë e deri te marrja e vendimeve qesharake dhe kundërligjore, siç ishte rasti me "Z-Mobile" dhe shumë të tjera skandale kriminale!!!.

Image

 

Gjykatë kundër shqiptarëve

Profesori i së drejtës , Muhamet Kelmendi thotë se vizita e Trendafilovës gjithsesi është një paralajmërim serioz për afrimin e kohës së ngritjes së aktakuzave të para për krime lufte, sado që ato do të jenë të padrejta dhe në dëm të shtetit të Kosovës. Kelmendi shprehet kritik pse Kuvendi i Kosovës nuk mori iniciativë për plotësimndryshim të ligjit, qoftë për trajtimin e baraspeshuar të dyshimeve për krime lufte, qoftë edhe për t'i dhënë kompetenca kësaj gjykatë që të trajtojë edhe krimet e rënda dhe korrupsionin, të cilin nuk po arrin ta gjykojë as EULEX, e të mos flasim për gjykatat dhe Prokurorinë e Republikës së Kosovës. " Vizita e kryetares së Gjykatës Speciale në Kosovë tash në prag të hapjes së aktakuzave është domethënëse. Ajo kështu tregon se kjo gjykatë do të fillojë nga puna dhe se do të jetë shumë e dhimbshme. Më vjen shumë rëndë, por më duhet ta them se kështu si është krijuar dhe i janë përshkruar kompetencat e fushëveprimit, kjo gjykatë është anormale dhe ka vetëm tendenca antishqiptare. Kuptohet se si të tillë nuk e respektoj. Është e rrugës që mbi dhunën dhe gjenocidin serbomadh të kishte gjykatë dhe gjykim të drejtë. Ndryshe, dihet botërisht nga e gjithë bota e civilizuar që i kishim edhe aleatë, se UÇK-ja ka bërë luftë të drejtë dhe ishte në anën liridashëse, e nuk ishte pushtues", u shpreh ai. "Tash, kjo gjykatë do të merret vetëm me shqiptarët. Gjykata Speciale nuk shqyrton krimin dhe korrupsionin, oligarkinë kriminale ekonomike mafioze. Ajo shqyrton vetëm gjoja krimin shqiptar ndaj serbëve. Krimi dhe korrupsioni mbeten të paprekura. Do të kemi edhe më tej dukuri kriminale. Tani, për të bërë diçka kundër kësaj dukurie lypset një Vetting në polici, në prokurori dhe në gjykata. Kërkohet gjithashtu edhe një ligj mbi pastërtinë e figurave politike nga krimi etj. Mirëpo, se kur do të bëhet kjo mbetet të presim", tha Muhamet Kelmendi.

Image

 

Proces tepër i komplikuar

Fillim të shpejtë të zbardhjes së aktakuzave të para nga Specialja, pas vizitës së Trendafilovës sheh edhe eksperti tjetër i së drejtës Blerim Burjani. Sipas tij, edhe po të donin kosovarët ta ndryshojnë mandatin e Gjykatës Speciale, qoftë për plotësim të mandatit me zgjerim fushëveprimi për krim e korrupsion, apo edhe për të ndjekur krimin e palës tjetër, atë të regjimit serb, nuk mundë ta bëjnë pasi Ligji për Gjykatën Speciale është i sponsorizuar dhe imponuar nga jashtë, nuk është iniciativë e institucioneve të Kosovës."Sinjalet janë të gjitha që të fillojë një proces jashtëzakonisht i komplikuar që shpesh komentohet dhe do të komentohet në variante të shumta. Puna e kësaj gjykate është shumë komplekse, prej asaj verifikuese të ngjarjeve të luftës në Kosovë e deri te zbulimi i veprave të rënda për trafikim. Kjo gjykatë ka një mandat të dhënë nga Këshilli i Evropës dhe nuk mund të ndryshohet as të zgjerohet, pra është një mandat i qartë i dhënë, nëse veç edhe ky mandat nuk dështon plotësisht për shkak se nuk është bazuar me shumë fakte, por me disa të dhëna të dyshuara, më shumë fantastike se sa reale dhe objektive juridiko- penale", u shpreh ai. Zbardhje të shpejtë të aktakuzave, pas vizitës së Trendafilovës në Prishtinë pret tani edhe analisti Florim Zeqa, derisa zërat individualë për ndryshim të ligjit, i sheh si një zgjim tepër të vonuar. "Vizita e kryetares së Gjykatës Speciale Trendafilova, është një paralajmërim serioz i akuzave të para të kësaj gjykate që po e mban peng të ardhmen e vendit duke u sjellë si "gogol" në kokat e çlirimtarëve! Fakti pse liderët shtetërorë, partiakë dhe deputetët e legjislaturës së kaluar nuk e kanë studiuar si duhet dokumentin e sipërpërmendur të Gjykatës Speciale është çështje për t'u diskutuar. 'Zgjimi' i vonuar i disa liderëve partiakë dhe deputetëve të caktuar për zgjerimin e kompetencave të Gjykatës Speciale është zgjim 10 minuta pas orës 12.00 nga agonia e gjatë e fjetjes në Parlamentin e Kosovës", theksoi ai.

Image

 

PDK-ja, fajtorja kryesore

Afrimin e dimrit të nxehtë nga mundësia e veprimit të kësaj gjykate, me akuzat e para, e sheh edhe analisti Jeton Kelmendi. "Sigurisht që vizita e Trendafilovës në Prishtinë ka sjellë në njëfarë mënyre edhe një tërmet në klasën politike dhe atë për habi tek shumica. Pra, elementet e para të dridhjes dhe të atij tërmeti i kemi vërejtur që nga bojkotimi, apo lëshimi i seancës së shumicës parlamentare në koalicionin PDK- AAK- NISMA, që realisht edhe mund të jenë partitë më të atakuara nga Gjykata Speciale. Mendoj se Trendafilova do të sjellë mesazhe të qarta, edhe pse është stërzgjatur shumë kjo, së paku pritet që pak a shumë t'ua bëjë me dije edhe emrat se kush mund të jenë disa nga kokat kryesore të politikës në Kosovë, të figurave të rëndë- sishme, dhe këtu sigurisht që mund t'ua thotë treshes së madhe, krerëve të institucioneve të Kosovës, presidentit, kryeministrit dhe kryeparlamentarit", u shpreh ai. "PDK-ja dhe Hashim Thaçi janë fajtori kryesor për këtë gjykatë, për faktin se ai e negocioi dhe ai e solli këtë gjykatë, për të cilën mendoj se është shumë e padrejtë për Kosovën, aq më tepër mandati që i është dhënë është krejtësisht joparimor, sepse do të trajtojë vetëm krimet e supozuara që i ka bërë UÇK-ja, por jo edhe të tjerët", tha Kelmendi.

Image

 

Ndikimet politike, evidente

Edhe eksperti i fushës së sigurisë, Xhevat Meha ndan mendimin se kjo vizitë ka të bëjë me përgatitjet për fillimin e punës së Dhomave të Specializuara të Gjykatës Supreme të Kosovës. "Kjo gjykatë ka disa muaj që është e gatshme për të filluar punën. Janë bërë ndarje buxhetore nga BE-ja për vitin 2017, diku 200-330 milionë euro, si dhe nga buxheti i Kosovës për vitin 2017 janë ndarë rreth 2 milionë euro për shpenzimet e udhëtimit, fjetjes etj., të familjarëve të të akuzuarve, si dhe për shpenzimet e avokatëve. Është e kuptueshme se fillimi i punës së kësaj gjykate ka ndikime politike, për faktin se është e pritshme që të akuzuar të jenë edhe disa nga krerët më të lartë të institucioneve të shtetit të Kosovës", u shpreh ai. Ndërsa, analisti politik Hidajet Ahmeti mendon se megjithatë Kuvendi i Kosovës do të duhej marrë nismë edhe për zgjerimin e kompetencave me fushëveprim shtesë të kësaj gjykate. "Gjykata Speciale, e cila ka ngritur shqetësime shumë të mëdha në opinionin publik dhe njëkohësisht përmes miratimit të Ligjit për Gjykatën Speciale janë ngritur dilema të shumta, duke u munduar të kontestohet lufta e drejtë dhe vlerat e UÇK-së. Mendoj se tash është e rrugës që përmes Kuvendit të Republikës së Kosovës t'i zgjerohet mandati i Gjykatës Speciale, duke i dhanë kompetenca shtesë në hetimin dhe gjykimin e rasteve për krimet ekonomike të pasluftës. Kjo do të ishte një gjë e mirë për pastrimin e njerëzve të fuqishëm të politikës, të cilët kanë zhvatur milionat e qytetarëve të saj", u shpreh ai.

(Kosova Sot)