Gratë e dhunuara hezitojnë të aplikojnë për pensione

  • 24 November 2017 - 09:57
Gratë e dhunuara hezitojnë të aplikojnë për pensione

Gratë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit po hezitojnë të deklarohen për ta marrë pensionin. Mosdeklarimi, siç janë shprehur ato, ka të bëjë me frikën se do të identifikohen, ndonëse është paraparë me ligj ruajtja e konfidencialitetit

Çdo grua e dhunuar nga forcat serbe u përball pas luftës jo vetëm me trauma, por edhe me probleme të tjera shëndetësore. Ato asnjëherë nuk morën ndihmë shëndetësore apo pension si kategori e luftës.

Tani që Qeveria ka ndarë mjetet që të fillohet verifikimi i këtyre viktimave dhe të ndahen pensionet për to, disa nga këto gra në rrëfimet e tyre për “Zërin” kanë thënë se pensionet nuk janë asgjë për to.

“Nuk janë asgjë për ne ato pensione. Krimi për ne është më i rëndi. Jeta jonë është shkatërruar. Shteti është dashur gjithçka të bëjë. Të kërkojë llogari për krimin që është bërë ndaj neve. Sepse ka grua që edhe me emër e ka njohur kriminelin, nëse s’e kam ditur unë gjuhën, dikush e ka ditur, e ka njohur dikë dhe kurrë nuk janë kërkuar kriminelët”, thotë ajo në kushte anonimiteti (emër i njohur për redaksinë).

Ajo thotë se nëse dënohen kriminelët këto viktima, gratë, do të ndiheshin më mirë dhe nuk do të ndienin turp për krimin. Ajo nuk beson se ndonjëherë do t’i marrin pensionet. Madje thotë se me sëmundjet që po përballen edhe sikur t’i marrin asgjë nuk po u duhen.

“Nuk e di se çfarë kërkon më Qeveria (për verifikim) nga këto gra kur gjithë bota e di se çka kanë përjetuar ato”, thotë ajo. Asnjëherë ajo dhe bashkëshorti i saj nga paslufta nuk kanë marrë pagë, edhe ndihma sociale u është ndalur.

(Kosova Sot)