Pa u dekriminalizuar majat e shtetit nuk ka drejtësi

  • 25 November 2017 - 07:46
Pa u dekriminalizuar majat e shtetit nuk ka drejtësi

KOSOVA NUK E GARANTON MINIMUMIN E ZBATIMIT TË LIGJIT

Mekanizmat juridikë dirigjohen nga oligarkët politikë

Analistët dhe njohësit e fushës së drejtësisë kanë vlerësuar se shteti i Kosovë është bastarduar tej mase në një oazë të krimit e korrupsionit, për shkak të sistemit të degraduar dhe të dështuar të drejtë- sisë që sheh vetëm xhepin e vet, e nuk e bën punën sipas ligjit e provave nëpër lëndët gjyqësore, pasi mekanizmat e drejtësisë janë bërë si pacienti para vdekjes, të sëmurë rëndë që nuk ka kush i kuron në këtë vend. Sipas analistëve mbyllja e çështjeve me porosi e kërcënime, sikur edhe me pagesa, ryshfetet e dosjeve të aferave korruptive e kriminale të zyrtarëve të lartë të shtetit dhe mafio- oligarkëve të bizneseve të pista dhe shumë të tjera që mbahen e flenë nëpër sirtarë pa u hetuar e gjykuar me vite të tëra deri në parashkrim, flet për një drejtësi me një "virus kancerogjen të metastazuar" që vështirë se shërohet me këta njerëz që udhëheqin politikën në vend dhe drejtësinë e tyre të porositur dhe "kukull e marionetë". Ndaj ata kanë shtruar edhe çështjen për diskutim se si po dështon shteti i së drejtës duke mos arritur të përmbushë as funksionet themelore të tij ndaj qytetarëve? Profesori universitar, Muhamet Kelmendi, thotë se është thënë që sistemi i drejtësisë ka çalime të mëdha dhe ai konsiderohet i dëmshëm dhe aspak produktiv në drejtim të zbatimit të ligjit dhe të krijimit të barazisë, derisa sipas tij në këtë anë kërkohet të merren masa shëruese. "Kërkohet të merren masa për pastrimin e policisë, prokurorisë dhe të gjyqësorit. Nëse vetëm njëri institucion çalon do të kemi çalim të tërë sistemit. Nuk mund të kemi gjyqësor kualitativ nëse prokuroria nuk funksionon. Po nëse në polici kemi çrregullim dhe lejim të krimit, kuptohet se as prokuroria nuk funksionon. Në anën tjetër, nëse puna bëhet shkel e shko dhe jo në mënyrë profesionale, atëherë edhe suksese në gjyqësor nuk ka", u shpreh për gazetën "Kosova Sot" profesori universitar, Muhamet Kelmendi. 

Banditët udhëheqin shtetin

Analisti Reshat Badallaj ka thënë për "Kosova Sot" se për degradimin e shtetit të Kosovës natyrisht se ka hise edhe sistemi i kalbur i drejtësisë, sepse këtu siç tha është edhe kupola e krimit që janë të varur nga politika dhe veprojnë sipas urdhrave të këtyre bandave dhe jo sipas Kushtetutës së vendit për të mbrojtur atë për të cilën kanë dhënë betimin dhe për të mbrojtur interesat e qytetarëve të saj. Tutje ai thotë se ky sistem kurrë nuk e bëri punën sipas ligjit, në mënyrë që të gjithë të jenë të barabartë, por vetëm sipas interesave të tyre, që ka bërë të futen në korrupsion deri në fyt dhe se janë turrur në mbështetje të mafiooligarkëve teksa shumë lëndë të aferave dhe skandaleve korruptive i kanë lënë në sirtarë, ku i mbulon pluhuri."Sëmundja që e ka kapur këtë sistem të kalbur gjyqësor tashmë është duke u parë që kanë filluar të hanë kokën njëri-tjetrit. Për të shëruar këtë kolere dhe murtajë të zezë duhet ndërhyrë vetëm Vetting-u dhe ndërhyrja e forcave speciale amerikane, sepse secila bandë të fitojë pushtetin me vota të mashtruara, të manipuluara dhe të blera, ata ulin njerëzit e tyre puthadorësh dhe sahanlëpirës. Dora e zgjatur e bandave politike dhe mafio- oligarkëve në këtë dikaster ka bërë që të degradohet dhe të bastardohet deri në kufi që kanë harruar se janë shtylla e shtetit që kanë dhënë betimin para Kushtetutës së vendit. Kjo përzierje e bandave politike dhe të mafio- oligarkëve ka bërë që ky sistem i kalbur gjyqësor na ka qitur hijen e zezë në botën e qytetëruar edhe pse faktori ndërkombëtar ia ka tërhequr vërejtjen disa herë për të luftuar korrupsionin", u shpreh ai. Sipas tij, ky sistem nuk vepron i pavarur fare, por janë kukulla të politikës dhe bandave, mafio-oligarkëve, që për të arsyetuar veten thonë se mungon numri i tyre, janë duke u hetuar e lloj- lloj pallavra të tjera."Nuk ka zgjidhje tjetër se duhet pastruar fund e krye kjo kope bastardësh që nuk veprojnë sipas ligjit dhe Kushtetutës, por dihet se në radhë të parë duhet pastruar kryebanditët dhe banditë që janë të shpërndarë nëpër maja të shtetit dhe nëpër bandat e politikes që kjo është vërtetuar edhe në përgjime se si ky soj është përzier në këtë kope të faqes së zezë", theksoi Badallaj për gazetën "Kosova Sot".

Dosjet mbyllen me ryshfete

Analisti Ragip Guraziu ka vlerësuar se dështimi i shtetit të së drejtës është një- soj si pacienti para vdekjes në klinikë dhe kjo siç tha është arsyeja pse kemi një shtet të korruptuar e të degraduar tejmase dhe të dështuar në drejtësi, duke mos arritur të përmbushë as funksionet themelore të tij ndaj qytetarëve?! "Shteti i Kosovë është bastarduar tej mase në një oazë të krimit e korrupsionit, për shkak të sistemit të degraduar dhe të dështuar të drejtësisë që sheh vetëm xhepin e vet, e nuk bën punën sipas ligjit e provave nëpër lëndët gjyqë- sore, pasi mekanizmat e drejtësisë, si pacienti para vdekjes të sëmurë rëndë, që nuk ka kush i kuron në këtë vend?!", u shpreh ai."Mbyllja e çështjeve me porosi e kërcënime, sikur edhe me pagesa e ryshfete të dosjeve të aferave korruptive e kriminale të zyrtarëve të lartë të shtetit dhe mafio-oligarkëve të bizneseve të pista dhe shumë të tjera që mbahen e flenë nëpër sirtarë pa u hetuar e gjykuar me vite të tëra deri në parashkrim, flet për një drejtësi me një "virus kancerogjen te metastazuar", që vështirë se shërohet me këta njerëz që udhëheqin politikën në vend dhe drejtësinë e tyre të porositur dhe kukull e marionetë", potencoi për gazetën "Kosova Sot" analisti Ragip Guraziu. 

Proceset e dirigjuara

Analisti Naim Miftari ka nënvizuar se mosfunksionimi i drejtësisë së një shteti zakonisht e ka prejardhjen nga politika e korruptuar, sepse po të ishte politika si duhet, deputetët, ministrat, zyrtarët shtetërorë, prokurorët etj., nuk do të ishin të korruptuar, mirëpo siç tha në një vend ku politika bëhet asisoj si në Kosovë, që tentohet vetëm sa më shpejt një politikan të pasurohet për vete ose për klanin e vet dhe nuk mendon për popullatën, p.sh një deputet që është zgjedhur me mijëra e mijëra vota nuk mendon edhe për votuesit e vet."Përndryshe në Kosovë vonesa e lëndëve, pastaj diskriminimi i një lënde penale, ndërhyrja e dëshmitarëve, humbja e provave, devalvimi i tyre bëhet në mënyrë sistematike, mirëpo kjo nuk ndodh vetëm sot, pasi kjo ka ndodhur që nga paslufta e këndej. Personalisht mendoj se gjer sot drejtësi pothuajse si ndërkombëtare si kombëtare ka pasur vetëm kur ka qenë ndonjë ushtar i UÇK-së si target i ndonjë hetimi dhe atë nëse ai ushtar nuk ka pasur lidhje politike, sepse edhe ndjekjet ndaj ushtarëve të UÇKsë i kanë dy dimensione, ku kemi raste kur ushtari shumë i mirë, mirëpo i paangazhuar politikisht dhe dënohet edhe nuk del p.sh. as nuk proteston askush, edhe pse dënohet padrejtë- sisht, dhe kemi rast p.sh. kur një komandant i UÇK-së, i cili nuk ka lënë të zezë mbase pa bërë gjatë punës së vet, del në gjykatë dhe lirohet me ndërhyrje politike", u shpreh ai. Sipas tij, njerëzit që janë të fortë materialisht dhe kanë përkrahje politike, që zakonisht janë të lidhur me nëntokën politike, nuk dënohen dhe normalisht që pastaj prokurorët, gjyqtarët edhe hetuesit nuk guxojnë të maten me këta njerëz.

(Kosova Sot)