Serbia i frikësohet një katastrofe humanitare për refugjatët

  • 30 July 2015 - 20:03
Serbia i frikësohet një katastrofe humanitare për refugjatët

Serbia i frikësohet një katastrofe humanitare, e cila mund të shkaktohet nga vala e jashtëzakonshme e emigrantëve që po përpiqen të arrijnë në Hungari, raporton KTV.

Gjërat i vështirëson Hungaria, e cila parashikoi se deri më 31 gusht do të përfundojë ndërtimin e rrethojës në kufi.

Një djalosh në të 20-at, i ikur nga Siria, thotë se qëllimi i tij është të arsimohet dhe të gjejë punë larg nga dhuna.

“Do të shkoj në Hungari, e më pas në Austri dhe në Gjermani, sepse dua të arsimohem. Në Siri ka shumë probleme. Është ushtria e Assadit, ISIS-i, Al Qaeda” deklaron ai.

Por Hungaria tashmë filloi ndërtimin e rrethojës 4 metra të lartë në kufirin me Serbi përgjatë 175 kilometrave mes dy shteteve për të ndalur valën e emigrantëve.

Ky gjest e kërcënon Serbinë me katastrofë, ku do të mund të krijohet një strofull e re për emigrantët në shtetin që nuk ka mjaft mundësi të ballafaqohet me ta.

Serbia mund të bëhet vend edhe më i keq se kampet në Calais, thotë Rados Djuroviq, kreu i Qendrës Mbrojtëse për Azilkërkuesit.

Derisa në Calais, Francë, ndodhen 3 mijë emigrantë që përpiqen të arrijnë në Britani, më shumë se 100 mijë tashmë kanë hyrë ilegalisht në Hungari deri tash.