Byroja Kombëtare, shpresa e fundit për ndëshkimin e "peshqve të mëdhenj"

  • 30 November 2017 - 07:36
Byroja Kombëtare, shpresa e fundit për ndëshkimin e

DËSHTIMI I DREJTËSISË NË LUFTIMIN E KRIMIT DHE KORRUPSIONIT


Institucionet vendore të ligjit, të paafta të ndëshkojnë bandat

Duke pasur parasysh dështimin e sistemit të drejtësisë për këta 18 vjet të shtetndërtimit në tranzicion dhe gati plot 10 vjet në pavarësi kur në Kosove askush nuk po "t`ia prishe tymin e duhanit" krimit të organizuar të nëntokës kriminale dhe politikanëve të korruptuar të lidhur me mafio-oligarkët e tejinkriminuar, analistët theksojnë se për ta forcuar një shtet të mirëfilltë ligjor në Kosovë duhet urgjentisht një Byro Kombëtare e Hetimit, që do të udhëhiqej nga FBIja. Kjo byro do të ishte e mirëseardhur të ketë mbështetje dhe nga shteti gjerman, e kurrsesi jo nga vendorët, fillimisht për një periudhë 3-5-vjeçare, gjersa "peshqit e mëdhenj", si në nivelin qendror po ashtu edhe në atë lokal, bashkë me familjet kriminale të klaneve mafioze dhe njerëzit e nëntokës të përfundojnë në burg dhe më pas prokurorët të fillojnë të punojnë profesionalisht e jo sikur deri tani, të vazhdojnë të janë në shërbim të politikës dhe nëntokës kriminale, edhe duke i prishur provat e hetimit. Analisti Jeton Kelmendi thotë se derisa nuk po funksionon drejtësia kosovare, krijimi i një mekanizmi të tillë do të ishte shpëtimi i vetëm për shtetin e Kosovës. "Mendoj që Kosova gjendet në një krizë të thellë të sundimit të ligjit, për shkak se në çdo pore e jetës politike dhe ekonomike kanë depërtuar nepotizmi, korrupsioni, hajnia, prandaj ndoshta do të ishte e mirë ideja që të vijë dhe të angazhohet një njësit special, si Guarda Di Financia që e ka Italia, por assesi që t'u lihet në përgjegjësi vendorëve, shqiptarëve, sepse këtu në Kosovë nuk ka drejtësi, nuk ka mekanizma të vendosur e të pavarur që do të mund të hetonin krimin e organizuar dhe korrupsionin e nivelit të lartë, për shkak të lidhjeve mafioze që kanë drejtësia dhe politika me strukturat e oligarkisë ekonomike", tha Jeton Kelmendi për "Kosova Sot".

Politikanët në "shtratin" e krimit

Një opsion të tillë e mbështet edhe analisti Florim Zeqa. "Nga paslufta e deri në ditët e sotme, politikanët e korruptuar e kanë bërë gjumin rehat, pa ia pasur frikën drejtësisë. Po ndodh pikërisht kështu për faktin se politikanët jo vetëm se flirtojnë, por edhe flenë e bashkëjetojnë në 'shtratin' e krimit me gjykatësit dhe prokurorët, me avokatë dhe policinë hetimore. Prandaj, ata nuk kanë frikë se do të hetohen, gjykohen apo dënohen, pasi në dorën e tyre është komplet sistemi i drejtësisë vendore", u shpreh ai."Shpresë për dënimin e tyre është vetëm një Byro Kombëtare e Hetimit, që do të udhëhiqet nga FBI-ja amerikane e shtetit mik, e kurrsesi jo nga vendorët, fillimisht për një periudhë 3-5 vjeçare, gjersa 'peshqit e mëdhenj', si në nivelin qendror po ashtu edhe në atë lokal, bashkë me familjet kriminale të klaneve mafioze dhe njerëzit e nëntokës të përfundojnë në burg dhe më pas prokurorët të fillojnë të punojnë profesionalisht dhe pa frikë, e jo sikur deri tani, të vazhdojnë të jenë në shërbim të politikës dhe të nëntokës kriminale. Nuk mund të jetë ndryshe, kur gjithnjë pas proceseve të stërzgjatura gjyqësore të akuzuarit lirohen si të pafajshëm", vijoi më tutje ai."Kur një i akuzuar mbetet me vite në paraburgim apo nëpër procese gjyqë- sore dhe në fund lirohet i pafajshëm, sipas ligjit i takon dëmshpërblimi material si kompensim moral", tha Zeqa për "Kosova Sot".

Banditët në krye të shtetit

Analisti Ymret Reshiti thotë se, meqenëse shtetin e kontrollon mafia politike, atëherë për të shkapur shtetin nga kjo mafi nevojitet që t'i qesim në opozitë partitë politike në pushtet, të cilat janë të lidhura me krimin e organizuar dhe korrupsionin. "Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit nuk do të ketë suksese, sepse vetë bosët e krimit janë politikanët që drejtojnë shtetin. Shtrohet pyetja nëse mundet kryeministri Haradinaj ta fillojë një betejë kundër krimit dhe korrupsionit? Marrë parasysh përbërjen e Qeverisë së Kosovës, e cila përbëhet nga shumë parti të vogla dhe ku fjalën kryesore në atë qeveri e kanë partitë politike që kanë instaluar krimin dhe korrupsionin për tërë këto vite, vështirë se do të nisë një betejë të tillë kryeministri Haradinaj, ngase do të jetë i shantazhuar", u shpreh. "Kryeministri Haradinaj nuk e lufton krimin dhe korrupsionin në Kosovë në përmasa sa kërkon BE-ja dhe sa ka nevojë vetë Kosova, ai do të jetë kryeministër i dështuar, ndërsa gjendja në Kosovë do të vazhdojë që të jetë e pandryshueshme. Kosova ka nevojë për një reformë rrënjësore dhe të gjithanshme, ku si pikënisje bazë do të jetë Ligji për Vettingun e funksionarëve publikë kosovarë. Ndryshe, çdo iniciativë dhe angazhim selektiv i luftimit të krimit dhe korrupsionit në Kosovë nga institucionet kompetente të Republikës së Kosovës do të konsiderohen si beteja periferike dhe luftë e izoluar. Boshtin e së keqes që shkakton krimin dhe korrupsionin në Kosovë e përbëjnë politikanët e fuqishëm të Kosovës, të cilët kanë pozita të larta shtetërore dhe kanë një aparat të madh dhe të organizuar zyrtarësh publik të cilët i kontrollojnë", vijoi më tutje ai."Këta politikanë të inkriminuar në krime dhe korrupsion i bëjnë të fuqishëm pozita e tyre publike, të fituar nga zgjedhjet e përgjithshme, respektivisht nga vota e qytetarëve. Për të eliminuar ndikimin e tyre tek zyrtarët publikë të segmenteve të ndryshme të shtetit si në polici, prokurori, gjyqësi, doganë, inspektorate etj., duhet që t'i largojmë nga detyrat e tyre publike dhe tek pastaj ndaj tyre mund të zhvillohen hetime të paanshme dhe të pavarura për krimet e tyre", tha Ymret Reshiti."Një mundësi tjetër kryeministri Haradinaj mund ta ketë nëse kërkon ndihmën nga ndonjë vendi i zhvilluar i Bashkimit Evropian, siç mund të jetë Gjermania, në mënyrë që nga ky shtet të kërkojë grupe të prokurorëve, gjyqtarëve dhe ekspertëve të tjerë me emër, për t'i integruar në sistemin e drejtësisë kosovare, të cilët do t'i hetojnë dhe gjykojnë rastet e krimeve të "peshqve të mëdhenj" të Kosovës. Kjo mund të bëhet me përkrahjen e Kuvendit të Kosovës. Qeveria e Kosovës duhet të hartojë një plani emergjentë dhe specifik për luftimin e krimit dhe korrupsionit të figurave të larta publike, në kuadër të angazhimeve të Kosovës për integrim në Bashkimin Evropian. Një iniciativë e tillë mund të sjellë shumë shpejt plotësimin e kushtit të BE-së për liberalizimin e vizave, që ka të bëjë me luftimin e korrupsionit", tha Reshitaj për "Kosova Sot".

Mungon vullneti politik për luftimin e krimit

Analisti politik Hidajet Ahmeti konsideron se krejt loja e krimit dhe korrupsionit ka qenë dhe është e organizuar në mënyrë të sofistikuar, institucionale e hierarkike, dhe se kjo gjendje e krijuar për më shumë se një dekadë nuk ka qenë e rastësishme, por e orkestruar dhe e organizuar brenda interesave reciproke, piramidës kriminale."Vazhdimi i gjendjes së njëjtë është vazhdimësi e anarkisë institucionale, korrupsionit, kontrabandës e krimit. Mendoj se çdo shpresë për ndryshime pozitive në vend me njerëz të njëjtë është e kotë, e pasinqertë dhe aq më pak serioze për opinionin e gjerë. Përderisa piramida kriminale e ndërtuar për më shumë se një dekada mban të kapura institucionet e drejtë- sisë, do të kemi një kaos në institucionet publike, por edhe thellim të krimit e korrupsionit", tha Hidajet Ahmeti. Ndërsa, njohësi i fushës së të drejtës, Blerim Burjani, konsideron se do të ishte shumë me interes krijimi i një mekanizmi të tillë, si Byro Kombëtare e Hetimit të Krimit dhe Korrupsionit, sepse kjo klasë politike e vendit nuk ka vullnet ta mbështesë një drejtësi të pavarur vendore. Sipas tij, klasa politike në Kosovë është e zhytur në krimin e organizuar, ngase vetë partitë janë bërë feude krimi. "Secila prej tyre me ardhjen në pushtet fillojnë të zhvatin buxhetin e shtetit, duke gërryer ekonominë e shtetit, e që i bëhen dëme të mëdha ekonomisë dhe zhvillimit të mirëqenies sociale dhe shëndetësore. Tash nuk ka ide as shteti e as KPK-ja e as KGJK-ja se si t'i qasen krimit të organizuar dhe profitabilitetit prej njerëzve të jakës së bardhë apo qeveritarëve dhe strukturave të tjera administrative. Ka probleme për të cilat në këtë situatë nuk ka zgjidhje, për shkak se mungon vullneti për të luftuar krimin e organizuar. Thjesht nuk po ka gatishmëri për të ndalë korrupsionin, nepotizmin dhe të gjitha format e tjera të kundërligjshmërisë, angazhimi i mekanizmave shtesë, siç ishte EULEX-i nuk ka arritur asgjë në këtë drejtim për ta ndalur ose reduktuar krimin ekonomik, zhvatjen dhe keqpërdorimin e buxhetit", vlerësoi Blerim Burjani për "Kosova Sot"

Kupola e sistemit të reformohet

Profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi, shprehet se duhet vullneti politik për ta luftuar krimin me masa adekuate, për të çrrënjosur dhe për të ndërtuar shtet ligjor dhe të drejtë."Në kuadër të kësaj nuk po del se ka vullnet nga pushteti, sidomos nga presidenti dhe ministri i Drejtësisë, që kjo dukuri të marrë rrugën e drejtë. Me ministrin e tashëm të Drejtësisë nuk priten zgjidhje. Me atë vetëm do të kemi vazhdim të korrupsionit dhe të krimit. E tërë kjo vjen nga fakti se kuadrot, përkatësisht Këshilli Gjyqësor dhe ai Prokurorial, janë nën diktatin e grupit të krijuar nga ana e politikës udhëheqëse në vend. Duke marrë për bazë këtë, nuk mendoj se duhet ndonjë mekanizëm tjetër i drejtësisë, sepse mekanizma ka mjaft", potencoi ai. Sipas tij, vendit tonë i duhen masa konkrete për spastrimin dhe vendosjen e mekanizmave ekzistues nën kontrollin e së drejtës, përkatësisht të ligjit, e jo të individëve. "Me këtë mendoj në dy punë: 1. Në spastrimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe 2. Në spastrimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës. Këtu rol dominues kanë presidenti i vendit dhe Kuvendi me Qeverinë. Nëse në këto organe veprohet me masa juridike, duke i hequr të korruptuarit dhe duke i vendosur njerëzit e ndershëm dhe të aftë në fushat e tilla, nuk do të kemi as prokurori dhe as gjyqësor të korruptuar dhe problematik", vijoi më tej Kelmendi."Prokurorët dhe gjyqtarët që dalin nga këto këshilla, nga KGJK dhe KPK-ja, janë kompetentë për të zbatuar në mënyrë të përditshme Vetting-un në organet e tilla dhe në mënyrë të pandërprerë", tha Muhamet Kelmendi. Sipas tij, nuk mjafton vetëm rritja e financave dhe prokurorëve e gjyqtarëve, por duhet të vendosen njerëzit e pastër në secilën pozitë.

(Kosova Sot)