Njerëzit e politikës, jashtë drejtësisë!

  • 30 November 2017 - 07:46
Njerëzit e politikës, jashtë drejtësisë!

REFORMIMI I DREJTËSISË, PENG I NËNTOKËS DHE OLIGARKISË

Korrupsioni po i gërryen institucionet e shtetit

Analistët dhe njohësit e fushës së drejtësisë kanë vlerësuar se në Kosovë thuajse çdo gjë funksionon ashtu siç dëshirojnë dhe urdhërojnë "të fortët" e nëntokës, pra në vend të sundimit të ligjit, çdo gjë në Kosovë është e lidhur ngushtë me nëntokën dhe politikën. Së këndejmi, sipas tyre, Kosova po vazhdon të vuajë nga mungesa e sundimit të ligjit, gjë që ka bërë që nëntoka të dirigjojë çdo gjë, ndërsa klientela "të vjelë" frytet e krimit, mbase të mbush xhirollogaritë e njohura dhe të panjohura, kurse në anën tjetër mungojnë prokurorët e guximshëm që t'i hetojnë politikanët e pushtetarët e kamur si dhe gjyqtarët t'i dënojnë të korruptuarit me pozita të larta shtetërore. Ndaj ata kanë shtruar edhe çështjen se a është bërë Kosova vend tepër i frikshëm për të jetuar, sepse nuk ka siguri për asgjë pasi askush nuk i jep llogari askujt? Analisti Naim Miftari, në një prononcim për gazetën "Kosova Sot", ka thënë se kur flasim sot në Kosovë për krimin e organizuar mendjen e kemi tek politikanët e korruptuar dhe njerëzit jashtë ligjit nën petkun e politikanit, ku e shfrytëzon për ta mbrojtur profitin dhe pasurinë e vet nga ligji.

Proceset blihen me paratë e jashtëligjshme

Sipas Miftarit, ky model funksionon te ne deri më sot, ndërsa kur këta njerëz i bëjnë miliona e qindra miliona, pastaj edhe po të jetë ligji i pastër është shumë e vështirë për t'i dënuar këta multimilionerë. "Kjo pasi me pasurinë e fituar jo ligjërisht i blejnë dëshmitarët , prokurorët, gjyqtarët dhe hetuesit policorë, pra e vetmja mënyrë me i dënuar është kur të jenë organet e ligjit vetë të pastra që të ua konfiskojnë pasurinë këtyre keqbërësve që shpeshherë janë me petk politik, apo njerëz që punojnë në organe të larta të shtetit tonë", u shpreh ai. "Vetting- u dhe konfiskimi i pasurisë me Ligjin Antimafia, të mbështetur nga SHBAja, Gjermania, Britania, pra të mbështetur fuqishëm nga miqtë tanë duhet bërë, por ne vetë si shtet duhet të tregohemi seriozë dhe të jemi shembull për të tjerët", vijoi më tutje Miftari."Kosovës nuk i duhet një Gjykatë Speciale kundër UÇK-së me akuza të trilluara dhe të sponsorizuar nga prokurorët serbë, por KOSOVËS i duhet një reformë gjithëpërfshirëse VETTING-u politik, juridik dhe gjithë-institucionalë, ku pastaj edhe të gjykohen drejt dhe në mënyrë të paanshme krimet e çdo kohe dhe të çdo lloji: si ai politik, ekonomik, korrupsioni, vjedhja dhe abuzimi me pronat, me paranë publike gjithmonë duke e shfrytëzuar detyrën e postin politik dhe shtetëror", u shpreh analisti Naim Miftari. 

Mungon edhe siguria për jetë

Analisti Naim Kelmendi thotë se në Kosovë thuajse çdo gjë funksionon ashtu siç dëshirojnë dhe urdhërojnë "të Fortët" e nëntokës, pra në vend të sundimit të ligjit, çdo gjë në Kosovë është e lidhur ngushtë me nëntokën dhe politikën. Së këndejmi sipas tij Kosova po vazhdon të vuajë nga mungesa e sundimit të ligjit, gjë që ka bërë që nëntoka të dirigjojë çdo gjë, ndërsa klientela "të vjelë" frytet e krimit, mbase të mbushë xhirollogaritë e njohura dhe të panjohura, gjersa siç tha, në anën tjetër, mungojnë prokurorët e guximshëm që t'i hetojnë politikanët e pushtetarët e kamur, si dhe gjyqtarët t'i dënojnë të korruptuarit me pozita të larta shtetërore. "Pra në mungesë të kësaj, Kosova të themi është bërë një vend tepër i frikshëm për të jetuar, sepse nuk ka siguri për asgjë, dhe se askush nuk i jep llogari askujt, ndërsa ata që kanë instaluar krimin dhe dirigjojnë skemat mafio-kriminale nuk lejojnë t'u preket biznesi i tyre i pistë dhe puro kriminal", ka vijuar ai. Tutje Kelmendi ka shtuar se paraprakisht për ta pasur një shtet ligjor të së drejtës, ku sundojnë ligji dhe e drejta, do të duhej të mos jetë asnjë segment i tij nën influencën politike, dhe krejt kjo duhet bërë për ta shpëtuar drejtësinë dhe shtetin ligjor, pa të cilin nuk mund të ketë drejtësi dhe shtet juridik me sundim të ligjit."Njerëzit e lidhjeve me politikën nuk e kanë vendin në gjyqësor as në prokurori, ngase kështu cenohet pavarësia e vetë sistemit të drejtësisë, prandaj do të duhej reformimi i këtij sistemi tërësisht dhe pastrimi nga gjyqtarë e prokurorë nga ndërlidhjet me politiken dhe oligarkinë", theksoi për gazetën "Kosova Sot" analisti Naim Kelmendi.

Drejtësia në nivelet minimale

Profesori universitar Nexhmedin Spahiu ka nënvizuar se në Kosovë ka mungesë të madhe të patriotizmit më shumë se në çdo vend tjetër të Evropës dhe kjo natyrisht, siç tha, e bën që të dominojnë forcat e errëta, të nëntokës dhe jo të rregullohen institucionet të cilat kishin me mbarëvajtur jetën publike në Kosovë."Nuk mund të presësh në një vend ku ka mungesë të patriotizmit, ku ka mungesë qytetarie që edhe prokurorët edhe gjykatësit, por edhe të gjithë ta kryejnë punën si duhet, më tepër është e pritshme që edhe një pjesë e tyre të bëhen pjesë e mafisë politike, pjesë e strukturave të krimit. Shto kësaj edhe jo përgatitjen adekuate profesionale të gjykatësve dhe të prokurorëve atëherë kjo e bën që sistemi juridik në Kosovë të funksionojë në premisat e tij më të dobëta të mundshme dhe të mos jetë aspak funksional", spikati për gazetën "Kosova Sot" Profesori universitar, Nexhmedin Spahiu. Profesori universitar, Mazllum Baraliu, ka veçuar se është nevojë e domosdoshme, por edhe imperativ kohor ngritja cilësore në shumë aspekte dhe dimensione e institucioneve të drejtësisë, përfshirë edhe të prokurorisë, policisë, gjyqësisë, por këtu do duhej edhe në avokati të ketë ngritje si cilësore, mirëpo edhe do duhej të kishte përgjegjësi më të madhe. "Andaj gjithë sistemi në kuptimin e gjerë të drejtësisë ka nevojë për ngritje të kapaciteteve, edhe pse ata që janë nuk është se nuk dinë, pasi një pjesë e mirë e tyre janë përgatitur qoftë më herët, qoftë përmes trajnimeve, derisa të tjerët janë të rinj, të cilët po ashtu kanë kaluar proceset e trajnimit, provimin e jurisprudencës dhe kësisoj nuk është se nuk kanë dituri, por nuk kanë edhe kushte, kanë edhe vështirësi në punë", deklaroi për gazetën "Kosova Sot" profesori universitar Mazllum Baraliu.

(Kosova Sot)