Kriminalizimi i shtetit lë të lirë politikanët e korruptuar - Lajme - Kosova Sot
Kriminalizimi i shtetit lė tė lirė politikanėt e korruptuar

Kriminalizimi i shtetit lė tė lirė politikanėt e korruptuar

Dështimi në instalimin e shtetit ligjor, të një prokurorie dhe gjyqësori të pavarur profesional e funksional, në mbrojtje të drejtë të interesit të qytetarit, për këto 18 vjet, sipas analistëve politikë, e ka bërë Kosovën një shtet model për të keq, në të cilin po bashkëjetojnë pa asnjë problem korrupsioni dhe krimi i organizuar në çdo institucion të shtetit në Kosovë. Kjo bashkëjetesë tani duket normale dhe krejt si diçka tërësisht e zakonshme, pikërisht për shkak të dështimit ekstrem të prokurorisë dhe gjyqësorit, që nuk i luftojnë ato. Sipas analistëve, mosluftimi i korrupsionit dhe krimit ka bëre që krimi i organizuar dhe korrupsioni të bashkëjetojnë në të gjitha institucionet, në të tria shtyllat e pushtetit dhe në të dyja nivelet e pushtetit! Kjo ndodh kështu pasi që po shihet qartë se krimi i organizuar dhe korrupsioni, bashkë me ndërhyrjet politike, janë problemet kryesore, të cilat drejtësinë e vendit e kanë kthyer në padrejtësi të madhe për qytetarët, duke e trafikuar përmes rrugëve antiligjore, devijante. Kjo gjendje po i konvenon si e tillë vetëm politikës së inkriminuar dhe nëntokës mafioze, sepse kjo drejtësi e brishtë është bërë instrument për pushtetarët, të cilët e kanë shumë më lehtë të bëjnë milionat përmes rrugëve korruptive e kriminale dhe madje pa i prekur dhe pa u rrezikuar e ndëshkuar nga askush.

Image

Drejtësia, "ushqim" për korrupsionin

Një fakt të tillë e pohon për "Kosova Sot" edhe analisti politik Florim Zeqa."Korrupsioni dhe krimi i organizuar i kanë futur rrënjët thellë në të tri shtyllat e pushtetit dhe në dy nivelet e qeverisjes. Bashkërendimi i politikës me krimin e organizuar dhe korrupsionin e kanë kthyer sistemin e drejtësisë në padrejtësinë më të madhe për qytetarët", u shpreh ai."Hiq më 'keq' nuk i kanë punët as ata që punojnë brenda sistemit të drejtësisë, duke e ushqyer korrupsionin edhe ata shumë lehtë po i krijojnë milionat dhe pasuritë e patundshme me ndihmën e politikanëve. Kjo është arsyeja pse po bashkëjetojnë korrupsioni dhe krimi i organizuar në çdo institucion të shtetit në Kosovë, si diçka tërësisht e zakonshme, si pasojë e dështimit ekstrem te prokurorisë dhe gjyqësorit në luftimin e tyre", tha Zeqa për "Kosova Sot". Po aq i bindur në një fakt të tillë është edhe analisti Blerim Burjani."Korrupsioni është pjesa më vitale e kësaj klase politike, derisa askush nuk ka marrë deri sot ndëshkim meritor nga organet e drejtësisë, të gjithë pritet të lirohen, edhe ata që gjenden para organeve të drejtësisë. Pra, të gjithë këta njerëz që janë zvarritur deri më tani nëpër gjykata të ndryshme, madje edhe të EULEX-it, sipas këtij trendi do të lirohen. Shembullin konkret e kemi për rastin MTPT dhe mbajtjes së njerëzve të pafajshëm me vite në procedura gjyqësore, edhe në të tillat raste duhet të jepet përgjegjësi nga organet dhe individët që kanë udhëhequr këto seanca, ngase me këtë proces vetëm u janë bërë dëme njerëzve kot së koti, edhe dëm moral, por edhe dëm në imazh", potencoi ai.

Image

Biznes-politika për pasurim të paligjshëm

Sipas Burjanit, ne nuk kemi shtet të së drejtës dhe këtu janë shkelur të gjitha liritë dhe të drejtat elementare të njeriut."Kosova duhet ta reformojë këtë gjyqësi, këtë drejtësi joefikase, të çuditshme, të shantazhuar dhe me dyshime se janë instaluar aty njerëz të tejkorruptuar. Kjo flet që në Kosovë s'ka gjë që vendoset drejt dhe nuk ka gjë që i ndal këta njerëz që të merren me biznes politik për t'u pasuruar, sikur që u pasuruan edhe deri më tash. Ndryshe në një shtet të së drejtës më se lehti është që të luftohet korrupsioni, vetëm se pikëpyetja është a ka vullnet institucional", u shpreh më tutje ai."Në këtë shtetin tonë të ri dhe akoma të pakonsoliduar sa duhet po mungon vullneti, kjo shihet kaherë. Pra, tash për tash mund të themi se nuk ka gjë nga kjo temë. Këta njerëz nuk mund të dënohen përderisa kanë bërë kapital të paparë dhe të pajustifikueshëm dhe përderisa vazhdojnë të qeverisin shtetin", tha Burjani. Ndërsa, analisti Arsim Haziri pohon se luftimi i krimit dhe gjithë dukurive negative nuk mund të bëhet prej liderëve aktualë politikë, sidomos prej atyre që ushtrojnë qeverisjen qendrore."Vetë politika e nivelit qendror është vetë korrupsioni dhe padrejtësia e përgjithshme", theksoi ai."Mosfunksionimi shtetëror për liderët politikë përbën mundësi për hajni dhe zotërim të pasurive publike, kjo gjendje anemie është krijuar për shkak të manipulimit jo të regjistruar e jo të dënuar. Mjafton të vështrosh logjikisht qeverisjen Haradinaj, ku ajo është ngarkuar prej familjarizimit dhe klientelizmit", vijoi më tutje Haziri. Sipas tij, kjo politikë është vetë krimi dhe padrejtësia. Ai sugjeron që të hapet një zyre ndërkombëtare për luftimin e fenomeneve kriminale e korruptive të nivelit të lartë, në ekonomi, në politikë dhe në sistemin e drejtësisë etj.

(Kosova Sot)

18 orë e 43 minuta më parë