Demarkacioni rrezikon Haradinajn, koalicioni i madh mund të rikthehet

  • 07 December 2017 - 08:10
Demarkacioni rrezikon Haradinajn, koalicioni i madh mund të rikthehet

MARRËVESHJA E KONTESTUAR MUND TË NA ÇOJË SËRISH NË ZGJEDHJE

Qeveria nuk i ka votat, vendi në udhëkryq të madh

"LDK-ja dhe PDK-ja presin që me presionin e ndërkombëtarëve ta rrëzojnë qeverinë 'Haradinaj' dhe me koalicion paszgjedhor të jenë prapë në pushtet. Ashtu siç pretendon edhe VV-ja të dalë e para dhe të bëjë koalicion me LDK-në pastaj... Haradinaj bëri gabime strategjike që nga koalicioni parazgjedhor me PDK-në e deri te zgjedhja e tij si kryeministër, por edhe atëherë kur pranoi që kauzat e të tij t'ia marrin dhe t'ia keqpërdorin të tjerët. Andaj ne po bëhemi shtet i zgjedhjeve, por jo i zgjidhjeve", tha politologu Gurakuq Kuçi për "Kosova Sot"

Duke parë situatën konfuze të krijuar në mes të partnerëve të koalicionit të tanishëm qeverisës, pas dërgimit të raportit të komisionit të ri për Demarkacionin në Kuvendin e Kosovës, analistët politikë vlerësojnë se kjo situatë, mungesa e konsensusit të gjerë, e rrezikon seriozisht edhe rrëzimin e qeverisë 'Haradinaj'. Sipas analistëve, këtë pikëpyetje të madhe e bëjnë vetë qëndrimet e deklaruara në publik të partnerëve të koalicionit qeverisës në Kosovë, lidhur me çështjen e marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, që janë krejtësisht të kundërta, por edhe që mund ta rrezikojnë qëndrueshmërinë e Qeverisë. Përderisa Partia Demokratike e Kosovës, si subjekti më i madh politik brenda koalicionit qeverisës, ka shprehur qëndrimin se deputetët e saj do të votojnë në favor të ratifikimin të Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën kanë deklaruar se do të votojnë kundër ratifikimit të kësaj marrëveshjeje. Analistët theksojnë se kjo mungesë dakordance politike për një çështje kaq serioze tregon gjendjen e mjerë të kësaj politike dhe talljen e tyre me qytetarët që i kanë lënë të pashpresë për liberalizim vizash. Madje tani as opozita e zhurmshme e gazit lotsjellës, VV-ja, nuk po e hap fare gojën, edhe pse Demarkacioni pritet të sillet para deputetëve javën e ardhshme. Kjo tregon më së miri se edhe pozita, por edhe opozita janë më shumë duke u marrë me zhvatjet e tyre me mafio-oligarkët, se si të zhvatin, si në nivelin lokal po ashtu edhe në atë qendror, duke vazhduar të injorojnë zgjedhjen e problemeve të qytetarëve.

VV-ja "fërkon" duart

Politologu Gurakuq Kuçi mendon se të gjitha prapaskenat që po përgatiten në këtë fazë, deri në nxjerrjen për votim në Kuvend të Marrëveshjes për demarkacion, dhe raportit të komisionit të fundit me të gjeturat e tij, situatën e dërgojnë drejt prishjes së këtij koalicioni, ngase të gjitha partitë politike tani po kalkulojnë në interesa të votës pas dështimit të miratimit të kësaj marrëveshje në Kuvend."Në të kaluarën kemi paralajmëruar se Haradinaj duhet që të dilte nga koalicioni PAN, sepse veç pritej ky antagonizëm dhe qasje e PDK-së për Demarkacionin dhe LDK-ja të mos e mbante fjalën e saj se nuk votojnë kufij të rinj përveç asaj në Çakorr, Zhlep e Kullë. Ndërsa, VV-ja bën sehir që të përfitojë si palë e tretë dhe të digjet AAK-ja", u shpreh. "LDK-ja dhe PDK-ja presin që me presionin e ndërkombëtarëve ta rrëzojnë qeverinë 'Haradinaj' dhe me koalicion paszgjedhor të jenë prapë në pushtet. Ashtu siç pretendon edhe VV-ja të dalë e para dhe të bëjë koalicion me LDK-në pastaj. Por, gjasat janë që LDK-ja dhe PDK-ja të jenë në koalicion dhe të kalojnë ato kinse vendimet e mëdha", potencoi Kuçi."Z. Haradinaj bëri gabime strategjike që nga koalicioni parazgjedhor me PDK-në e deri te zgjedhja e tij si kryeministër, por edhe atëherë kur pranoi që kauzat e tij t'ia marrin dhe keqpërdorin të tjerët. Andaj ne po bëhemi shtet i zgjedhjeve, por jo i zgjidhjeve, me politikanë rentierë dhe pa interesa të rëndësishme qytetare", tha politologu Kuçi për "Kosova Sot".

Rrëzimi i marrëveshjes, në favor të AAK-së

Analisti Jeton Kelmendi po ashtu çështjen e Demarkacionit e sheh si rrezik potencial, që duke mos arritur ta kalojë në Kuvend, në versionin e parë, të firmosur nga Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa, të bëhen bashkë të dy këto parti politike dhe t'ia shkurtojnë mandatin kryeministrit Haradinaj. Kelmendi thekson se edhe me rrëzimin eventual të Qeverisë 'Haradinaj' trofeu i fitores nga zgjedhjet e ardhshme do t'i takojë AAK-së, e cila është rritur shumë në këto zgjedhje lokale, kurse rrëzimi i demarkacionit dhe dërgimi i tij në arbitrazh do të ishin premi e madhe për autoritetin e Haradinajt. "Mendoj që kjo që ka ndodhur tani Qeveria ka bërë një punë jashtëzakonisht të mirë, edhe pse gjithsesi të vonuar, por është një punë e mirë, pasi që e ka miratuar variantin e komisionit 'Meha' për ta dërguar në Kuvend, por të bashkangjitur me të e ka edhe një dokument tjetër, një punë vlerësuese të Komisionit të ri, që quhet komisioni 'Bulliqi'. Unë mendoj se me këtë veprim kryeministri ka bërë një punë të mirë, sepse kam qenë skeptik për një kohë të gjatë nëse do të mund ta realizoj, sepse në këtë aspekt është jo shumë i ditur, por gjithsesi ka dalë shumë burrëror kryeministri Haradinaj me zotimet e tij", theksoi ai."Tani ka shumë kundërthënie në koalicion, e kjo është shumë normale, por tani këtu është zënë pak më ngushtë partia e dikurshme më e madhe, PDK-ja, që është drejt një rënie të lirë dhe tani partia e Kadri Veselit dhe e Hashim Thaçit e kundërshton me çdo kusht këtë konstatim të komisionit 'Bulliqi', madje kjo u pa edhe në reagimet e para të presidentit Thaçi dhe të zyrtarëve të tjerë të PDKsë, sepse ata po tentojnë me çdo kusht ta ruajnë akoma lëkurën e presidentit Thaçi, sepse për këta nuk është shumë problem pse do të humbej ajo tokë", vijoi më tutje Kelmendi për "Kosova Sot". Sipas tij, nuk ka arsye të jetë VVja e dhunshme sikur që ka qenë, për arsye se ka 32 deputetë dhe kur ia shton 8 deputetë të AAK-së bëjnë dyzet, prandaj vetëm me këta deputetë kundër nuk sigurohen votat, por do të dështojë përfundimisht kjo marrëveshje.

PAN-i, zgjidhje e dështuar

Analisti politik Florim Zeqa thotë se këtë sfidë që tani po del para qeverisë 'Haradinaj' ai e kishte paralajmëruar, pas epilogut të zgjedhjeve nacionale kur e kishte dhënë edhe propozimin konkret."Zgjidhja më e mirë dhe më optimale për rrethanat e krijuara pas zgjedhjeve të 11 qershorit do të ishte krijimi i një "qeverie teknike" me kryeministër nga partia më e madhe politike në vend e dalë nga zgjedhjet, në këtë rast nga VV-ja, ndërsa posti i kryeparlamentarit t'i lihet koalicionit më të madh fitues të zgjedhjeve (PAN), kurse ndarja e posteve të tjera ministrore të bëhet në përputhje me fuqinë politike të secilit subjekt parlamentar", theksoi ai. "E thash pikërisht kështu jo që isha kundër Ramushit apo pro Albinit, por pse vendit i duhej një qeverisje gjithëpërfshirëse për t'u përballur me sfidat e kohës. Kthimi i demarkacionit, nga çështje shtetërore në partiake, është gabimi më i madh politik dhe dëmi më i pariparueshëm për vendin. Se vërtet është pikërisht kështu e dëshmojnë deklarimet dhe qëndrimet e kundërta të partive në koalicionin qeverisës. Deri tek kjo kemi ardhur shkaku i mungesës së një konsensusi nacional lidhur me çështjet madhore për vendin. Qëndrueshmëria e qeverisë "Haradinaj" është më së paku e rëndësishme në raport me tërësinë territoriale dhe sovranitetin e vendit", tha Zeqa për "Kosova Sot"."Në këtë rast, Demarkacioni me Malin e Zi po e tregon gjendjen e mjerë të kësaj klase politike dhe talljen e tyre me qytetarët e vendit, që i kanë lënë të getoizuar në koloseumin e quajtur Kosovë, pa të drejtë lëvizje dhe pa asnjë shpresë për jetë në këtë vend. Mbase një "Qeveri Teknike", në mos zgjidhje fatlume, do t'u jepte fund iluzioneve të qytetarëve,...me çka do të bëhej përfundimisht e qartë çështja e kufijve të jashtëm të vendit tonë, jo vetëm në raport me Malin e Zi, por edhe me Serbinë në pjesën veriore të vendit tonë", është shprehur ai. 

Qëndrime kontradiktore brenda koalicionit

Ndryshime të shpejta në koalicion qeverisës, nëse Haradinaj me partnerët e tjerë nuk e sigurojnë numrin e mjaftueshëm të votave për kalimin e marrëveshjes sipas versionit të parë të komisionit 'Meha', pret edhe analisti Blerim Burjani. "Demarkacioni është problem kryesor dhe që lidhet drejtpërdrejt, të jetë apo të mos jetë kjo qeveri në qeverisje, apo ky koalicion i cili është bërë për këtë temë për Demarkacion, për liberalizimin e vizave dhe Gjykatën Speciale dhe Asociacionin. Nëse vazhdon me kryeneçësi me u sjell një pjesë e këtij koalicion mund të prishet shumë lehtë ky koalicion dhe mund të ketë riformulim të këtij koalicioni, përndryshe kjo qeveri edhe ashtu është me e dobëta e pas luftës, edhe më dobët se ajo e vitit 2002", tha Burjani për "Kosova Sot". Të pamundur e sheh vazhdimin e qeverisjes Haradinaj dhe të koalicionit PAN edhe Ali Hertica, nëse këto zotime të tanishme në shumicë kundër Demarkacionit jetësohen me votën kundër."Përderisa Partia Demokratike e Kosovës, si subjekti më i madh politik brenda koalicionit qeverisës, ka shprehur qëndrimin se deputetët e saj do të votojnë në favor të ratifikimit të Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ndërsa Nisma për Kosovën, kanë deklaruar se to të vazhdojnë të jenë kundër ratifikimit të kësaj marrëveshje, gjërat po bëhen shumë të qarta. Tani një gjë duhet të jetë e qartë që çështja e Demarkacionit nuk mund të mbetet pezull. Pra, duhet të ketë zgjidhje apo alternativa. Nuk guxon Qeveria 'Haradinaj' që të thotë 'ne jemi kundër këtij formati të Demarkacionit, sepse Qeveria 'Haradinaj' do të ketë probleme të mëdha edhe brenda koalicionit, si koalicion i gjerë qeverisës, por edhe në raport me partnerët ndërkombë- tarë, që ta arsyetojë vazhdimësinë e saj, nëse kjo qeveri nuk ka ide se si të ballafaqohet me problemin e Demarkacionit", theksoi ai për "Kosova Sot". 

Vizat për territorin?!

Situatë konfuze politike sheh në vend, nëse nuk kalon Demarkacioni, edhe analisti politik Hidajet Ahmeti. Sidoqoftë ai është në favor të rrëzimit të kësaj marrëveshje pasi që kushtëzimi i liberalizimit të vizave me demarkim të kufirit i duket i padrejtë. "Mendoj se çështja e Demarkacionit me Malin e Zi është një çështje shumë e ndjeshme për qytetarët e Republikës së Kosovës, pasi që kauzat e ngritura nga disa parti politike dhe një pjesë e shoqërisë civile ka krijuar një përcepcion negativ në raport me versionin aktual të demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. Gjykoj se raporti i Komisionit Evropian për çështjen e liberalizmit të vizave ka qenë i padrejtë, diskriminues e i pasinqertë, pasi që kushtin për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi e ka bërë duke përdorur standard të veçantë për rastin e Kosovës. Kushti për Demarkacionit e kufirit me Malin e Zi më shumë ka qenë një kusht që i është sajuar nga klasa politike në Kosovës sesa kusht real nga ana e Komisionit Evropian. Konfuzioni i krijuar nga komisioni i ri për Demarkacionin me Malin e Zi ka krijuar një mjegull në opinionin publik, i cili realisht më shumë krijon paqartësi në mes versionit të kaluar se zgjidhje për rastin në fjalë", u shpreh ai."Nëse marrim rastin në mënyrë hipotetike, edhe nëse projektligji për Demarkacionin të miratohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, por nuk ka një garanci absolute se mund të ndodhë liberalizimi i vizave. Në njërën anë inicimi për liberalizim vizash nga institucionet përgjegjëse të BE-se kërkon procedura, kohë e përkushtim. Kurse në anën tjetër e kemi kushtin tjetër, për të cilin gjykoj se është primar në raport me Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi është fjalë për luftimin e krimit dhe korrupsionit, i cili në substancë është esencial për çështjen e liberalizimit të vizave", vijoi më tej Ahmeti. Sipas tij, logjikisht, moralisht e në interesa kombëtare e shtetërore, në momentin kur një qeveri nuk mund t'i shtyjë disa procese të rëndësishme përpara, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në konsolidimin dhe integrimin në strukturat euroatlantike duhet të dorëhiqet.

(Kosova Sot)