Përplasja për Kosovën në Beograd. Çfarë thanë Izetbegovic, Vuçiq dhe Çoviç

  • 07 December 2017 - 11:04
Përplasja për Kosovën në Beograd. Çfarë thanë Izetbegovic, Vuçiq dhe Çoviç

Tre anëtarët e Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, Kryesuesi Dragan Covic, Bakir Izetbegovic dhe serbi Mladen Ivanic kanë qëndruar dje në Beograd ku kanë pasur takim me Presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq. Në konferencën për media është shënuar një incident kur dy palët kanë folur për Kosovën dhe qëndrimin e dy vendeve ndaj pavarësisë së saj.

Kur kryesuesi kroat i Presidencës boshnjake Dragan Covic ka folur për Kosovën duke thënë se Sarajeva sa i përket kësaj çështjeje do të t’i përshtatet qëndrimeve të Beogradit, ka reaguar anëtari tjetër Bakir Izetbegovic.

Izetbegovic ka thënë se politika e jashtme e Bosnjës duhet të jetë e pavarur.

“Politikën ndërkombëtare të B e H do ta udhëheqin këta tre persona dhe ajo do të udhëhiqet në Sarajevë. Natyrisht, do ti marrim shumë parasysh qëndrimet e vendeve fqinje sepse jetojmë me Serbinë, jetojmë me Kroacinë dhe BE’në, ku kemi marrë obligime në procesin e integrimeve. Por qëndrimi im është se politika e jashtme bëhet në Bosnjë e Hercegovinë dhe unë e luta Covicin që atë që e tha ta thotë si qëndrim të tij e jo si të Presidencës” ka thënë Izetbegovic.

Presidenti serb pastaj ka reaguar me një mimikë duke shfaqur revoltë për qëndrimin e Bakir Izetbegovic.

“Ja pra kështu duke. Unë vetëm e citova atë që e morra gjatë bisedave zyrtare, por gjendja është kështu rreth Kosovës dhe kufijve” ka thënë Vuçiq,

Vërejtja e Izetbegovic ka nxitur reagime të shumëta në Serbi dhe Republika Srpska, sikur edhe ditë më parë kur Izetbegovic shfaqi mendimin e tij personal se Bosnja është dashur ta njohë Kosovën kaherë.

(Kosova Sot)