Zeqa: PAN-i, zgjidhje e dështuar

  • 07 December 2017 - 12:14
Zeqa: PAN-i, zgjidhje e dështuar

Analisti politik Florim Zeqa thotë se këtë sfidë që tani po del para qeverisë 'Haradinaj' ai e kishte paralajmëruar, pas epilogut të zgjedhjeve nacionale kur e kishte dhënë edhe propozimin konkret."Zgjidhja më e mirë dhe më optimale për rrethanat e krijuara pas zgjedhjeve të 11 qershorit do të ishte krijimi i një "qeverie teknike" me kryeministër nga partia më e madhe politike në vend e dalë nga zgjedhjet, në këtë rast nga VV-ja, ndërsa posti i kryeparlamentarit t'i lihet koalicionit më të madh fitues të zgjedhjeve (PAN), kurse ndarja e posteve të tjera ministrore të bëhet në përputhje me fuqinë politike të secilit subjekt parlamentar", theksoi ai.

"E thash pikërisht kështu jo që isha kundër Ramushit apo pro Albinit, por pse vendit i duhej një qeverisje gjithëpërfshirëse për t'u përballur me sfidat e kohës. Kthimi i demarkacionit, nga çështje shtetërore në partiake, është gabimi më i madh politik dhe dëmi më i pariparueshëm për vendin. Se vërtet është pikërisht kështu e dëshmojnë deklarimet dhe qëndrimet e kundërta të partive në koalicionin qeverisës. Deri tek kjo kemi ardhur shkaku i mungesës së një konsensusi nacional lidhur me çështjet madhore për vendin. Qëndrueshmëria e qeverisë "Haradinaj" është më së paku e rëndësishme në raport me tërësinë territoriale dhe sovranitetin e vendit", tha Zeqa për "Kosova Sot"."Në këtë rast, Demarkacioni me Malin e Zi po e tregon gjendjen e mjerë të kësaj klase politike dhe talljen e tyre me qytetarët e vendit, që i kanë lënë të getoizuar në koloseumin e quajtur Kosovë, pa të drejtë lëvizje dhe pa asnjë shpresë për jetë në këtë vend. Mbase një "Qeveri Teknike", në mos zgjidhje fatlume, do t'u jepte fund iluzioneve të qytetarëve,...me çka do të bëhej përfundimisht e qartë çështja e kufijve të jashtëm të vendit tonë, jo vetëm në raport me Malin e Zi, por edhe me Serbinë në pjesën veriore të vendit tonë", është shprehur ai. 

(Kosova Sot)